Bavari: CSU fitoi, por me rezultatin më të dobët

Evropë

Bavari: CSU fitoi, por me rezultatin më të dobët

Më: 9 tetor 2023 Në ora: 08:44
Markus Söder fitoir prapë por humbi shumë vota

Në Bavari, CSU mbetet forca më e madhe politike, por ajo arriti rezultatin më të keq që nga viti 1950. AfD shënoi rritjen më të madhe.

CSU (Unioni krisitiansocial) i kryeministrit Markus Söder fitoi zgjedhjet në Bavari me një diferencë të qartë - por njëkohësisht shënoi një rezultat historikisht të dobët. Votuesit e Lirë (FW) me kandidatin kryesor Hubert Aiwanger, nga ana tjetër fituan shumë vota. Prandaj, të dyja palët mund të vazhdojnë aleancën e tyre qeveritare siç synohet.

Një fitim të madh të votave ka shënuar partia e djathtë Alternativa për Gjermani (AfD), ndërsa të Gjelbrit kanë humbur pak. Liberalët (FDP) nuk siguruan pesë për qind dhe mbeten jashtë parlamentit të landit. Ndërsa socialdemokratët e kancelarit Scholz kanë rënë nën 10%, që është rezultat shumë i dobët.

Në rezultatet e përkohshme të zgjedhjeve në Bavari, partia kristiansociale CSU mori rreth 37 për qind të votave. Kjo do të thotë se partia, e cila ka qenë kreu i qeverisë në Bavari për 65 vjet, ka fituar edhe më pak se në vitin 2018 (37.2 për qind), që për një parti të tillë me kaq traditë në pushtet është rezultat shumë i dobët. Në vitin 2018 kishte shënuar rënie prej më shumë se dhjetë pikë.

FW dhe AfD shënojnë rritje

Votuesit e Lirë (FW) kanë përmirësuar ndjeshëm rezultatin e mëparshëm me 15.8 pikë përqindje (2018: 11.6). Të Gjelbrit fituan 14.4 për qind dhe nuk arritën rezultatin e tyre rekord prej 17.6 për qind nga 2018. Fitimet më të mëdha shënoi AfD, përkatësisht 4.4 pikë, tani me 14.6 për qind. Kjo do të thotë se partia ekstremiste pjesërisht e krahut të djathtë do të bëhet opozita më e fortë në parlamentin e Bavarisë.

SPD arriti vetëm 8.4 përqind të votave (9.7 në vitin 2018) - ky është rezultati më i keq ndonjëherë në një zgjedhje bavareze. Me tre për qind, FDP-ja e humbi qartë hyrjen në parlamentin e shtetit (5.1).

Pjesëmarrja në votime u raportua 73.3 përqind; Në vitin 2018 ishte 72.4 për qind. Rreth 9.4 milionë njerëz kishin të drejtë të votonin në landin me hapësirën më të madhe në Gjermani./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat