Britania nxit zgjidhjet teknologjike për të luftuar urinë globale, kritikët fajësojnë pabarazinë

Evropë

Britania nxit zgjidhjet teknologjike për të luftuar urinë globale, kritikët fajësojnë pabarazinë

Më: 23 nëntor 2023 Në ora: 17:38
Kryeministri britanik, Rishi Sunak

Novacionet në industrinë e prodhimit të ushqimit mund të lehtësojnë problemin e urisë për miliona njerëz, sipas qeverisë së Britanisë, e cila organizoi një takim mbi pasigurinë ushqimore këtë javë. Kritikët thonë se përqendrimi i vëmendjes në zgjidhjet e bazuara në teknologji injoron shkaktarin real të mungesave ushqimore, rritjen e pabarazisë dhe varfërisë.

Somalia është mes vendeve më të goditura nga pasiguria ushqimore. Rreth 113 mijë njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre nga përmbytjet e shkaktuara nga reshjet ekstreme të shiut në ditët e fundit.

Përmbytjet pasuan thatësirën më të rëndë në 40 vjet që ka goditur Somalinë.

Presidenti i Somalisë ishte në mesin e pjesëmarrësve në takimin mbi sigurinë globale të ushqimit në Londër të hënën. Kryeministri britanik Rishi Sunak tha se mobilizimi global financiar dhe partneritetet për të nxitur novacionin do të mund të lehtësonin pasigurinë ushqimore.

“Duhet nxitur kërkimet në kultivimin e orizit që i reziston përmbytjeve, grurit që i reziston sëmundjeve dhe kulturave të tjera bujqësore. Nga këto novacion do të përfitonin miliona njerëz në vendet më të varfra të botës.”

Kryeministri Sunak tha se ndryshimet klimatike, konfliktet, pasojat e pandemisë së COVID-19 dhe agresioni i Rusisë në Ukrainë janë shkaktarët kryesorë të pasigurisë së tanishme ushqimore në botë.

Por a mundet teknologjia t’i japë fund urisë globale? Ajo është një nga shumë mjetet që mund të ndihmojnë këtë përpjekje, thotë analisti Steve Wiggins nga Instituti i Jashtëm i Zhvillimit.

“Uria globale është rezultat i varfërisë, trajtimit jo të mirë të njerëzve dhe vendosja e tyre në situata, në të cilat ata janë të pambrojtur. Këto janë shkaqet themelore të urisë, për të cilat ne duhet të gjejmë zgjidhje. Natyrisht, përparimet teknike krijojnë lehtësira në përpjekjet për zgjidhjen e këtyre çështjeve.”

Kjo përfshin sistemet e ujitjes që funksionojnë me energji diellore në Mali, thotë zoti Wiggins.

“Energjia diellore e ka lehtësuar ujitjen e tokave bujqësore, duke eliminuar nevojën e përdorimit të pompave që funksionojnë me naftë”, thotë ai.

Kritikët thonë se përqendrimi i vëmendjes në zgjidhjet e bazuara në teknologji injoron shkaktarin kryesor të pasigurisë ushqimore.

“Zgjidhjet teknologjike kanë prirje të përqendrohen në anën e zinxhirit të furnizimit me produktet bujqësore. Por, ajo që ne duhet të bëjmë është zgjidhja e problemit të pabarazisë, që është një nga shkaktarët e urisë. Ndoshta gjëja më e thjeshtë që mund të bëhet është furnizimi i njerëzve me artikuj ushqimorë ose para në mënyrë që ata vetë të blejnë ushqimet”, thotë Nick Nisbett nga Instituti britanik për Studime të Çështjeve të Zhvillimit.

Jashtë ndërtesës ku po mbahej takimi, protestuesit palestinezë sollën vëmendjen tek kriza humanitare në rritje në Rripin e Gazës. OKB-ja ka paralajmëruar se furnizimet me ujë dhe ushqime janë në nivele shumë të ulëta në këtë territor ndërsa Izraeli vazhdon të kufizojë hyrjen e ndihmave në rajonin e goditur nga lufta, që pasoi sulmin e militantëve të Hamasit më 7 tetor në Izrael./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat