Begolli: Kurset në bashkëpunim me UEFA-n, synojmë zhvillimin e Mjekësisë Sportive

Futboll

Begolli: Kurset në bashkëpunim me UEFA-n, synojmë zhvillimin e Mjekësisë Sportive

Më: 1 maj 2021 Në ora: 19:03
Begolli: Kurset në bashkëpunim me UEFA-n, synojmë zhvillimin e Mjekësisë Sportive

Federata e Futbollit vijon të tregojë përkushtimin e saj ndaj sportit të futbollit. Departamenti i Mjekësisë Sportive në FSHF, i ngritur prej më shumë se një viti po funksionon më së miri, duke zhvilluar kurse herë pas here për të gjithë mjekët e rinj sportivë, fizioterapistët, apo edhe studentët me qëllim përmirësimin e kësaj shtylle të re të futbollit dhe që në të ardhmen t’u vihet sa më shumë në ndihmë futbollistëve.

Për disa ditë radhazi, ky departament organizon kursin e “UEFA Football Education Programme”, një kurs në bashkëpunim me qeverinë e futbollit europian që ka si qëllim zhvillimin e fushës së mjekësisë sportive në Shqipëri. Kjo fushë është ende e pazhvilluar në vendin tonë për shkak të mungesës së strukturave universitare apo Fakulteteve që mund të kenë programe të integruara të kësaj fushe.

Përmes bashkëpunimit me UEFA-n, departameni i Mjekësisë Sportive në FSHF ka menduar të organizojë kurse të tilla, që do t’i shërbejnë sportit shqiptar, duke marrë parasysh që në vitet në vazhdim, ekipet, jo vetëm Kombëtare por edhe klubet e çdo kategorie, do të duhet të kenë në përbërje të tyre një mjek sportive, si kriter i vendosur nga UEFA.

Pjesë e këtij kursi janë jo vetëm figura të njohura shqiptare por edhe mjekë të huaj, të cilët ndanë me pjesëmarrësit eksperiencën e tyre në fusha të ndryshme të mjekësisë sportive.

Koordinatori i Departamentit të Mjekësisë në Federatën Shqiptare të Futbollit, Ilvi Begolli, në një intervistë për fshf.org shpjegon në mënyrë të detajuar rëndësinë e këtij kursi dhe të figurës së mjekut sportiv si dhe flet për Departamentin e Mjekësisë Sportive në FSHF.

“ Qëllimi i kursit “UEFA Football Education Programme” – Kursi që ne po zhvillojmë aktualisht me Federatën e Futbollit quhet “UEFA Football Education Programme”.

Qëllimi i këtij kursi është që nëpërmjet Federatës, në bashkëpunim me UEFA-n, të zhvillojmë fushën e Mjekësisë Sportive në Shqipëri që është sa e veçantë por edhe e re, sepse në Shqipëri na mungojnë mjekët sportivë. Në bazë të statistikave që ka Federata, ne kemi përafërsisht rreth 40 mijë sportistë që merren me futboll dhe jo vetëm, të cilët në raport me prezencën e mjekut sportive, do të thoja që janë jashtëzakonisht shumë më tepër.

Pra, mungesa e figurave, të cilët merren enkas dhe posaçërisht me fushën e Mjekësisë Sportive, në Shqipëri është me mungesë dhe për këtë arsye qëllimi i Federatës në bashkëpunim me UEFA-n, lindi me misionin që ne të trajnojmë, të promovojmë sa më shumë fushën e Mjekësisë Sportive dhe pse jo, të evidentojmë figura siç është fizioterapisti i profilizuar në fushën e sportit, por edhe mjeku. Në vitet që do të vijnë, do të jetë kriter i detyrueshëm nga UEFA, prezenca e një mjeku në ekipe, i cili do të jetë i licencuar për të qenë pjesë e skuadrave të futbollit dhe as Shqipëria nuk mund të shpëtojë nga ky kriter. Kësisoj, Federata është vënë në lëvizje duke bërë programe, workshope, që kanë qëllim formimin e njerëzve, fizioterapistëve, me qëllimin e vetëm që t’i vijmë në ndihmë sportistëve në Shqipëri.

Zhvillimi i Mjekësisë Sportive në Shqipëri – Patjetër që ky nuk është një mision i lehtë, është një mision i vështirë sepse në Shqipëri mungojnë strukturat universitare apo Fakultetet që mund të kenë programe të integruara apo mundësi shkollimi të mjekëve sportivë. Është një disiplinë që mungon në rang Kombëtar, po ashtu edhe në vendet e Ballkanit. Prandaj edhe ne menduam ndryshe, menduam të bëjmë blloqe kursesh, që do t’i çojmë në UEFA dhe pastaj të presim licencime nga UEFA përsa i përket atyre studentëve që do të ndjekin dhe do të jenë pjesë e këtyre kurseve.

Departamenti i Mjekësisë Sportive në FSHF- Departamenti është i ri, ka një vit e pak që është ngritur dhe që po funksionon. Aktualisht ky department ka marrë përsipër realizimin e të gjithë kurseve të Mjekësisë Sportive.

Është një departament që do formohet dhe do shtohet edhe në staf edhe në një database mjekësh apo fizioterapistësh, të cilët në të ardhmen jo vetëm që do trajnohen, por mund të kenë mundësi që të punësohen në ekipet Kombëtare, ekipet e Kategorisë Superiore apo ekipet e Kategorive më poshtë. Departamenti ynë ka një drejtues që është Gianluca Stessina, mjeku i ekipit Kombëtar, me një eksperiencë shumë të gjatë në fushën e Mjekësisë Sportive. Federata mbulon anën organizative, me sekretari dhe koordinime të tjera, sa i përket krijimit të databasave që na shërbejnë për të pasur vazhdimësi të studentëve që do të ndjekin kurset, që tashmë janë të shumtë. Kësaj radhe kemi pasur në kurs rreth 90-100 kërkesa dhe jo vetëm studentë, apo fizioterapistë e profesionistë nga vendi por kemi pasur kërkesa edhe nga individë nga jashtë.

Por për arsye të pandemisë, kursi nuk mund të ishte me shumë persona. Por do kemi sërish në muajt në vazhdim. Janë edhe dy kurse të tjera që do jenë në perspektivë, që do kenë elemente të shumta të diskutimeve të fushës së Mjekësisë Sportive. Ky ishte një kurs goxha i ngjeshur, kishte brenda Mjekësinë Sportive, parandalimin e traumave, rehabilitimin, nutricion, pra gjithçka që i përket fushës së Mjekësisë Sportive, pothuajse në një mbulim 360 gradë.

Lektorët e kursit “UEFA Football Education Programme” – Përveç lektorëve të huaj, që janë katër, kemi atashuar edhe mjekë dhe figura të tjera, panelistë të tjerë që ishin pjesë e këtij kursi. Dr. Ridvan Alimehmeti, i cili është një profesor i nderuar, shëf i Shërbimit të Kolonës në Repartin e Neurokirurgjisë në Spitalin Universitar “Nënë Tereza”, i cili foli për traumat e kokës. Dr. Fiona Konomi, nutricioniste e diplomuar në Nutricion Sportiv në Itali. Dr. Dritan Todhe, i cili ka një eksperiencë të gjatë në fushën e Ortopedisë, Mjekësisë Sportive dhe Traumatologjisë Sportive, i diplomuar në Gjermani, me një eksperiencë disa vjeçare në Berlin dhe kishim fatin që ta kishim mes nesh për të dhënë dhe ai eksperiencën e tij.

Do të thoja që ishte një miks shumë i mirë i këtyre figurave, të cilët kanë një eksperiencë të mirë jo vetëm brenda vendit por edhe jashtë vendit dhe kryesisht në fushën e Mjekësisë Sportive, me programe që janë të vendosura dhe të përcaktuara nga UEFA, që janë programe model, që ne i kemi zbatuar duke përfshirë eksperiencën e gjithsecilit. Ky kurs ka qëllimin e një ujëvare, që është organizuar që në 2015 në UEFA. Unë kam pasur fatin të jem përfaqësues i Federatës në atë kohë dhe aktualisht të jem përfaqësues i UEFA-s për Shqipërinë për organizimin e këtyre kurseve dhe qëllimi i UEFA-s ka qenë që protokollet e reja që nxjerr UEFA t’i implementojmë në vendin tonë në mënyrë që të jemi njësoj si vendet e tjera të Bashkimit Europian, që operojnë sot me modelet e UEFA-s.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat