Arbitër qipriot për Tiranën ndaj boshnjakëve

Futboll

Arbitër qipriot për Tiranën ndaj boshnjakëve

Më: 17 korrik 2022 Në ora: 11:16
Arbitër qipriot për Tiranën ndaj boshnjakëve

Tirana nuk mundi të shkonte përtej raundit të parë kualifikues në Champins League teksa bardheblutë dështuan në të dyja sfidat ndaj ekipit luksemburgas të Dudelange. Megjithatë, aventura europiane nuk ka përfunduar ende për Kampionët e Shqipërisë duke qenë se tashmë kryeqytetasit janë zhvendosur në turin e dytë të Conference League ku i pret përballja e dyfishtë ndaj boshnjakëve të Zrinjski Mostar.

Ndeshjen e parë, Tirana e luan të martën në Air Albania duke nisur nga ora 20:00 (sfidën mund ta ndiqni në SuperSport përmes platformës Digitalb), teksa UEFA ka vendosur edhe arbitrat që do të ndajnë drejtësinë në kryeqytet. Për këtë sfidë është vendosur një katërshe gjyqtarësh nga Qipro, me kryesor Loukas Sotiriou.

Ky i fundit nuk është një emër i panjohur për skuadrat shqiptare duke qenë se ka gjykuar në të kaluarën Laçin. Në edicionin 2019-2020, kurbinasit e nisnin aventurën europiane nga turi i parë kualifikues i Europa League ku përballë kishin Hapoel Ber Sheva. Në ndeshjen e parë të cilën e luanin në shtëpi, kryesor ishte pikërisht Loukas Sotiriou, teksa ajo ndeshje ka përfunduar me rezultatin 1-1.

Në atë ndeshje, Loukas Sotiriou ka nxjerrë pesë herë kartonin e verdhë nga xhepi duke ndëshkuar në dy raste kurbinasit ndërsa në fushë ishte edhe Redon Xhixha, që tashmë do të hasë sërish të njëjtin arbitër, por këtë herë duke përfaqësuar fanellën e Tiranës. Ndërkohë, eksperienca të tjera europiane të Sotiriou lidhen me kualifikueset e Europianit të të rinjve, U17 apo U21 ndërsa ka gjykuar edhe në fazën e grupeve të UEFA Youth League.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat