Magani “ndez” tifozët: Këtë sezon do të shohin rezultate

Futboll

Magani “ndez” tifozët: Këtë sezon do të shohin rezultate

Më: 23 korrik 2023 Në ora: 14:21
Lushnja

Lushnja kërkon që t’i shpëtojë një herë e mirë “fantazmave” të së shkuarës. Në dy vitet e fundit, skuadra ka rrezikuar seriozisht rënien në Kategorinë e Dytë.

Ka mbijetuar vetëm në limite, duke shmangur të paktën dramën. Ndërsa këtë edicion kërkohet një reflektim i thellë, për të ngjitur futbollin verdhejeshil drejt pretendimeve të mëdha. Interesimi për skuadrën vijon të mbetet i lartë, pasi publiku lushnjar shpreson shumë për një sezon me pretendime.

Një faktor që ka mbjellë entuziazëm është edhe ardhja në krye të ekipit e teknikut të njohur Gugash Magani. Në një prononcim për “Panorama Sport”, i pari i pankinës komenton ditët e para të përgatitjeve dhe planet për merkaton.

“Përgatitjet tona deri tani kanë shkuar mirë. Kemi dy javë që kemi dalë në fushë, por java e parë ka qenë seleksionuese.

Kemi ecur mirë. Nesër (sot) do të luajmë një miqësore me Bylisin. Shkojmë në Ballsh dhe do të jetë një provë e mirë. Do të kemi mundësi të shohim ku jemi. Qëllimi është që të vëzhgojmë më konkretisht 2-3 lojtarë, që nuk kanë firmosur ende”, u shpreh fillimisht tekniku.

Paralajmëron se do të vijnë maksimumi edhe katër përforcime brenda javës së ardhshme, që të plotësojnë edhe më shumë organikën.

“Sa i përket merkatos, presim edhe 3-4 afrime. Janë lojtarë të huaj dhe besoj se deri në mesjavën e ardhshme do të kemi 90% të skuadrës”, shpjegoi peqinasit i stolit.

TIFOZËT – Këto ditë stërvitjeje kanë ngjallur interesin e tifozëve. Kanë qenë të shumtë në çdo seancë, duke treguar dukshëm afërsinë me ekipin. Ata janë të etur për të parë Lushnjën në nivele të larta dhe Magani mendon se do t’i shpërblejnë këtë sezon.

“Respekt për tifozët, që vijnë edhe na shikojnë në stërvitje. Nuk është risi, sepse njihet shpirti sportdashës i Lushnjës. Do t’ia shpërblejmë me punë dhe me rezultate”, deklaroi kryepankina verdhejeshile.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat