Kosova tregoi paraqitje të mirë në Turqi

Hendboll

Kosova tregoi paraqitje të mirë në Turqi

Më: 26 nëntor 2019 Në ora: 10:49
Kosova tregoi paraqitje të mirë në Turqi

Hendbollistet e Kombëtares së Kosovës të hënën e kanë luajtur ndeshjen e fundit në turneun ndërkombëtar të mbajtur në Antalya të Turqisë. Në ndeshjen e fundit Kombëtarja jonë humbi nga Maqedonia Veriore me rezultat 30:27. Humbja erdhi si pasojë e lodhjes dhe lëshimit të koncentrimit. Vajzat tona kanë luajtur katër ndeshje të forta brenda tri ditëve. Mbi dhjetë herë lojtaret tona kanë goditur shtyllën. Ndonëse angazhimi i lojtareve tona ishte maksimal, kjo ndoshta ishte ndeshja jonë më e zbehtë në turneun e zhvilluar në Antalya.

Kosova ka fituar ndaj Italisë dhe Turqisë B, kurse pësoi nga Turqia A dhe Maqedonia Veriore. Kundër Maqedonisë Veriore prap me efikasistet shumë të lartë është shquar kapitenja Leonora Demaj që ka shënuar 12 gola. Edhe lojtaret tjera kanë dhënë më të mirën e tyre.
Shtabi teknik i Kombëtares sonë e ka vlerësuar shumë të suksesshëm turneun në Turqi. Qëllimi që ishte vënë për këtë pjesëmarrje është realizuar në tërësi, ndonëse për nga cilësia e shfaqur, Kombëtarja jonë është dashur të ketë të paktën tri fitore.
Gjatë qëndrimit në Antalya janë provuar lojtare të reja, ndërsa motrat Marigona Hajdari e Arlinda Hajdari janë dëshmuar si përforcim shumë i madh për Kombëtaren tonë. Në nivel të lartë është paraqitur edhe Mirjeta Bytyqi, kurse vlera kanë shfaqur edhe lojtaret tjera. Ndeshjet në Turqi i shërbejnë Kombëtares sonë edhe për komponim të mëtejmë, ndërsa me rritjen e konkurencës është rritur edhe optimizmi për ndeshjet e marsit që i luajmë me Bjellorusinë.

Mos të harrojmë që Kosova në Antalya është paraqitur pa thuajse gjysmën e ekipit. Për shkak të angazhimeve personale kanë munguar Albana Arifi, Dorentina Osmani, Elma Kameri, Ardiana Merditaj, Fitore Aliu, Aurora Shehdadi, Meltem Ylberi e disa lojtare të tjera.

Maqedonia Veriore – Kosova 30:27 (17:13)

Maqedonia Veriore: Cakidova 4, Brizovska, Tasevska, Markovic, Gjorgievska 8, Serafimova, Sedlovska, Nikolov, Jankurovska 6, Stojanovska 6, Micevska, Kiprnanovska, Kaladjievska, Djatevska, Livrinka 2, Sazdovska 4.

Kosova: Ahmetxhekaj, Istrefi, Mehmeti 4, Kursani, A. Hajdari 3, Kelmendi, Rugova 2, Uka, Stagova, Gjikokaj 2, Demaj 12, Lekaj, Kastrati, Bytyqi 3, M. Hajdari 1, Ujkiq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat