Kosova sonte i nis kualifikimet për Botëror, kundërshtari i parë, Italia - Bota Sot
Kosova sonte i nis kualifikimet për Botëror, kundërshtari i parë, Italia

Hendboll

Kosova sonte i nis kualifikimet për Botëror, kundërshtari i parë, Italia

Më: 10 janar 2020 Në ora: 11:44
Foto ilustrim

Kombëtarja e Kosovës në hendboll sonte do ta nis aventurën në kualifikimet për Botërorin e vitit 2021.

“Dardanët” prej të premtes deri të dielën do t’i zhvillojnë tri ndeshje në fazën e parë kualifikuese.

Ndeshjen e parë Kosova do ta zhvillojë sonte prej orës 20:00 kundër Italisë, ndërsa në të njëjtin grup janë edhe Rumania dhe Gjeorgjia.

Ekipi kosovar të enjten ka zbarkuar në Itali, ku e ka zhvilluar edhe një seancë stërvitore para këtyre tri ndeshjeve.

Përzgjedhësi Taip Ramadani shpreson që ekipi i tij të kalojë në fazën e dytë kualifikuese. “Synimi në Itali është të kalojmë në fazën e dytë të kualifikimeve. Kemi ekip kualitativ që është në ngritje të vazhdueshme. Më nuk duhet të kënaqemi vetëm me paraqitje dinjitoze. Duhet të jemi ambicioz, të luftojmë të barabartë me çdo ekip dhe të besojmë në aftësitë tonë”, ka thënë Ramadani.

Kosova ishte paraqitur edhe në kualifikimet e Botërorit të vitit 2017. Por që i kishte humbur gjashtë ndeshjet e zhvilluara.

Pastaj, “Dardanët” kanë luajtur edhe në kualifikimet e Botërorit të kaluar. Por i kishte humbur të tria ndeshjet nga Polonia, Portugalia dhe Qipro.

Mirëpo, kohëve të fundit Kosova ka shënuar përparim. Konkurrenca në skuadër është rritur, profesionalizimi po ashtu, gjë që u jep shpresë tifozëve “Dardanë”.

Kapiteni Valon Dedaj kërkon nga skuadra të luajnë fortë në Itali. “Duhet që të gjithë të luajmë në nivel të lartë. Me dy-tre lojtarë nuk është e mundur. Nëse luftojmë si në ndeshjet në Kosovë, atëherë do të jetë shumë mirë. Deri më tani jashtë vendit kemi luajtur më dobtë dhe shpresoj që kjo të ndryshojë tani. Ndoshta na ka kushtuar edhe mungesa e përvojës”, ka thënë Dedaj.

Ai ka theksuar se ekipi kosovar tash e tutje nuk duhet t’u frikësohet kundërshtarëve, por t’i sfidojë seriozisht ata.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat