Në Samadrexhë të Vushtrrisë po finalizohet palestra e sportit

Hendboll

Në Samadrexhë të Vushtrrisë po finalizohet palestra e sportit

Më: 28 maj 2020 Në ora: 13:25
Në Samadrexhë të Vushtrrisë po finalizohet palestra e sportit

Samadrexha e Vushtrrisë shumë shpejt do të ketë palestrën e saj të sporteve. Për këtë, sot Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Kryetarin e Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.

Sipas memorandumit, për fazën përmbyllëse të projektit “Ndërtimi i Palestrës së Sporteve në Samadrexhë të Vushtrrisë”, MKRS-ja ka ndarë 200 mijë euro investim. Po ashtu, ministria do të mbikëqyrë realizimin e projektit, e cila edhe e ka hartuar këtë objekt sportiv.

Me këtë rast, ministrja Dumoshi theksoi se projekti në fjalë është me interes për qytetarët e Komunës së Vushtrrisë, duke pasur parasysh edhe faktin e traditës sportive që ka Samadrexha me rrethinë.

“Si ministri kemi në plan që të rrisim mbikëqyrjen dhe inspektimet në terren në ato projekte ku ministria po bën investimet e saj nëpër komunat e Kosovës, me qëllim të rritjes së dinamikës së punës sepse në projekte të caktuara po krijohen vonesa në realizimin e punëve”, sqaroi ministrja Dumoshi, duke vënë në pah se MKRS-ja është e interesuar që projektet infrastrukturore të kryhen sipas standardeve dhe në kohën e paraparë.

Ndërsa kryetari Tahiri e falënderoi ministren Dumoshi për mbështetjen e ministrisë për projektet konkrete që janë në dobi të qytetarëve të komunës që ai udhëheq.

Të dy biseduan edhe për projekte tjera nga fusha e kulturës dhe e trashëgimisë që janë në realizim e sipër si dhe për projektet e përbashkëta që priten të kryhen në të ardhmen e afërt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat