Saktësisht 45 vjet më parë, më 15 qershor të vitit 1975, është shkruar një prej kapitujve më të suksesshëm të historisë së hendbollit i Kosovës.
Borac i Ferizajt (i njohur si Borci e tani Kastrioti) ka arritur sukses të jashtëzakonshëm duke siguruar kalimin në ligën e parë federative të ish-Jugosllavisë. Për hendbollin e sportin ferizajas, por edhe për hendbollin e sportin në përgjithësi, ishte një sukses shumë i madh. Për herë të parë një skuadër nga Kosova në sportet ekipore po bëhej pjesë e elitës federative (vetëm klubi i boksit Radniçki, më vonë Prishtina, ka garuar më parë në nivelin më të lartë federativ).
Xhemajl Kasumi si kryetar dhe i ndjeri Hysni Firza si trajner ishin më meritorët për këtë sukses. Natyrisht kontributin e madh e kanë dhënë edhe lojtarët. Sipas një shkrimi në gazetë të publikuar nga B. Hasangjekaj më 16 qershor 1975, ekipin e Borcit që bëri histori e kanë përbërë: Skënder Sahiti, Xhelal Selmanaj, Tahir Sojeva, Sefedin Reçica, Muhamet Kilaj, Idriz Gashi, Lubisha Vuçkoviq (kapiten), Milutin Malesheviq, Srbolub Dekiq, Rac Shander, Nebojsha Grkoviq, Ratomir Tomoviq, Zoran Jovanoviq e Spasoje Miliçeviq.
Suksesi historik ishte arritur në 15-vjetorin e themelimit të klubit ferizajas, që vazhdon të jetë simbol i qytetit.
Borci para vitit 1974 kishte provuar të arrinte në Ligën e Parë federative. Dy herë ishte ndalur në ndeshjet vendimtare, me Beçejn dhe më pas me Metaloplastikën e Shabacit. Në tentimin e tretë arriti atë që ishte ëndërr për tifozët e shumtë të skuadrës ferizajase.
Pas promovimit të parë, Borci në elitë nuk mbijetoi mbi një edicion. Është interesant që të gjitha ndeshjet si vendas i ka luajtur jashtë Kosovës, kryesisht në Shkup, për shkak të mungesës së palestrës. Nuk vonoi dhe Borci prap u kthye në elitë. Luajti më pas si vendas kryesisht në Prishtinë, deri në ndërtimin e palestrës në Ferizaj.
Gjithsej në elitë skuadra ferizajase ka garuar shtatë vjet, në katër periudha të ndryshme. Pas Firzës në elitë e ka drejtuar më pas Beqir Buçinca.
Në vitin 1987\88 u rendit në vend të gjashtë në ligën që atëherë vlerësohej më e forta në botë.
Në historinë e pasur të klubit ferizajas, vend të rëndësishëm zë edhe arritja në finale të Kupës së Jugosllavisë në vitin 1979, kur pësoi nga Borci i Banjallukës (28:26).
Në elitën jugosllave ka arritur vetëm edhe Trepça e Mitrovicës.
Ferizaj ka qenë dhe vazhdon të mbetet qendër me shumë peshë për hendbollin kosovar. Dhe kjo datë historike, ky përvjetor, duhet të shënohet.
Federata e Hendbollit të Kosovës falenderon dhe çmon punën e të gjithë atyre që kanë dhënë shumë për hendbollin ferizajas dhe të Kosovës. Disa nuk janë në mesin tonë, por vepra e tyre do të jetojë gjatë. Ajo është e shkruar me shkronja të arta.