Suzana Ujkiqi: E tërë Kosova po flet për Istogun! 

Hendboll

Suzana Ujkiqi: E tërë Kosova po flet për Istogun! 

Nga: Kemajl Goca Më: 30 qershor 2020 Në ora: 15:56
Suzana Ujkiqi dhe Albina Rugova me numër 15-të

Hendbollistja shqiptare nga Mali i Zi, Suzana Ujkiqi, tha se po kalon shumë mirë në shtetin e Kosovës. Ajo është krenare që luan për ekipin më të organizuar në vendin tonë, Istogun. Ujkiqi është mbrojtësja më e mirë për vitin 2019 e shpallur nga Federata e Hendbollit të Kosovës. Pivotja është edhe anëtare e kombëtares së Kosovës. 

‘Bota sot”: Qe tre vite e gjysmë jeni në Kosovë përkatësisht në klubin e Istogut?
Suzana Ujkiqi
: Është kënaqësi të jesh pjesë e një klubit siç është Istogu, me të gjitha kushtet dhe iu jam shumë falënderuese për kujdesin që kanë ndaj të gjitha lojtareve. I kemi të gjitha kushtet dhe kjo është një bukuri, uroj që këto kushte t’i kanë edhe klubet tjera femërore në Kosovë.

Image

“Bota sot”: Në dhjetorin e 2017 erdhët në Kosovë, si e gjete?
Suzana Ujkiqi:
Dorën në zemër, kisha dëshirë që moti të vija e të luaja në Kosovë, kjo ëndërr mu bë realitet. E gjeta si është më së miri Kosovën, veçmas KH Istogun, që më pritën si është më së miri atëkohë dhe shpejt u familjarizova dhe sot jam krenare me këtë kolektiv të vyeshëm. Vërtet jemi një ekip me vajza të mrekullueshme. 

Image

“Bota sot”: Tre vite e gjysmë jeni pjesë e kësaj ekipe, një titull kampioni dhe dy Kupa të Kosovës, mesatarja vit e trofe, mrekulli apo? 
Suzana Ujkiqi:
Kjo më bën zemrën mal për dy arsye. E para, Istogu siç e dini, të gjitha ndeshjet si vendas i ka luajtur si mysafirë në mungesë të palestrës.  Gjatë gjithë kampionatit mysafire, me përjashtim të play-off-it që  kemi luajtur në sallën ‘Dreshaj’ të Orroberdës. Një titull e dy Kupa të Kosovës, gjithmonë si mysafire, kjo është mrekulli. E dyta, për një klub si Istogu, që nuk ka më shumë se 16 vjet që u themelua, të fitosh një titull e dy kupa, është bukuri sepse kemi klube me mbi 40 vjet traditë nuk kanë asnjë trofe në Kosovë!

Image

“Bota sot”: Istogu mbetet pa asnjë trofe në edicionin 2019-2020?
Suzana Ujkiqi:
E vërtetë. Një duhet ta kuptoni e ta keni të qartë që të gjithë, se sikur mos të kishte befasi edhe sporti nuk do ta ketë këtë bukuri apo lezet. Po të fitonte gjithmonë favoriti, askush nuk do ta shikonte sportin.

Image

A ka diçka të keqe që Ferizaj u bë kampion e Vushtrria fituese e Kupës? Jo! Istogu vitin e kaluar fitoi titullin dhe Kupën e Kosovës, e vitin e ardhshëm prapë mund t’i fitojmë dy trofetë. Nuk është fundi i botës kur nuk fiton trofe, por e mira prej të mirës është se në Istog po investohet e po punohet për të ardhmen, sa e shoh po shndërrohet në qendër të hendbollit. Sportistët e vërtetë e dinë se befasitë janë të paevitueshme dhe ndodhin! Vetëm i çmenduri mendon se vetëm favoriti fiton, e nëse fiton vetëm favoriti, nuk kemi fare nevojë të luajmë, atëherë po dihet kampioni, apo jo! E kuptoni!

Image

“Bota sot”: Gjithsesi, pse e thoni këtë?
Suzana Ujkiqi:
E thjeshtë. Istogu e ka bërë tërë Kosovën që të flas për të! Të gjitha ekipet e kishin hallin si ta mundin Istogun. Të gjitha ekipet e ruanin energjinë kundër nesh. Të gjitha ekipet motivoheshin kundër nesh dhe nuk ka asgjë të keqe. Ne garojmë për të mundur njëri – tjetrin vetëm me meritë dhe është normale, pjesë sportive, në jetë private jemi prapë shoqe! I uroj nga zemra sepse unë jam sportiste dhe humbjet e fitoret i pranojë si pjesë e sportit, nuk mbajë inate, se jam edukuar e rritur në frymën sportive. Sporti i bashkon njerëzit, assesi që të kemi urrejtje.

Pse të kemi inate me klubet tjera, ky është gabim! Mos harroni se trajneri ynë Faruk Shala ka bërë një punë të madhe por edhe të mundimshme dhe është shembull. Cili klub do ta përballonte që të gjitha ndeshjet t’i luan jashtë qytetit e që besa edhe të stërvitesh, asnjëherë të mos luash para publikut. Sigurisht, se disa edhe do të kapitullonin! 

“Bota sot”: A merrni këshilla nga motra Dijana,  hendbollistja më e mirë shqiptare, që luan për ekipin rumun Gloria Buzau?
Suzana Ujkiqi:
Jo vetëm në Gloria Buzau por ajo luan edhe për kombëtaren e Malit të Zi. Normalisht se flasim e  këshillohemi! Jemi të familjes sportive dhe diskutojmë shumë për hendbollin.

“Bota sot”:  Keni nënshtetësinë e Kosovës dhe luani edhe për kombëtaren tonë?
Suzana Ujkiqi:
Krenare pafund që jam me nënshtetësi të Kosovës, e lumtur që veshi fanellën e Kombëtares së Kosovës. Jam e gatshme të shkrihem për fanellën e kombëtares së Kosovës sepse ta vesh fanellën e saj është përgjegjësi dhe nder!

“Bota sot”: Po si e sheh hendbollin e Kosovës?
Suzana Ujkiqi:
Kosova është një pasuri e pafundme me talente. Kur i ke talentet e ke botën, Kosova i ka talentet vetëm duhet investim e punën e  punë! Janë vajza të mrekullueshme! 

Image

“Bota sot”: Për fund?
Suzana Ujkiqi:
Kosova me hendboll e ka historinë më të lavdishme, sa kam dëgjuar në vitet e 70-ta e të 80-ta. Hendbolli ka traditë, vetëm duhet investim. Jam krenare që jam pjesë e Istogut, klubi më i organizuar dhe që respektohet djersa e secilës lojtare.

Uroj që të zhduket virusi dhe të kthehemi në normalitetin siç ishim në fund të shkurtit e fillim të marsit të këtij viti. I falënderoj klubin e Istogut për kushtet, trajnerin Faruk Shala, i falënderoj tifozët e Istogut dhe iu premtoj, se Istogu do t’i kthejë titujt dhe do të jetë edhe më i fortë! Sepse tani kemi shtëpinë, palestrën e sportit në Istog dhe besoj se nuk do të ketë vend palestra për t’i zënë të gjithë tifozët që i ka, e do t’i bëjmë të lumtur e me rezultatet e trofe! E përsëris edhe një herë, boll që Istogu e ka bërë tërë Kosovën që të flas për të, për organizim e kushte dhe për ekip të fortë që ka dhe ekipet na i kishin frikën!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat