Aziz Makiqi me akuza të rënda: Disa u frikësohen federatës e i veshin pampersin në Kosovë!

Hendboll

Aziz Makiqi me akuza të rënda: Disa u frikësohen federatës e i veshin pampersin në Kosovë!

Nga: Kemajl Goca Më: 7 korrik 2020 Në ora: 11:45
Aziz Makiqi

Aziz Makiqi ka folur pa dorëza, duke e goditur rëndë hendbollin dhe akuzuar Federatën e Hendbollit të Kosovës. Makiqi është hendbollisti më i mirë i të gjitha kohërave në Kosovë, për herë të parë në vitet e pasluftës, flet për një medium pikërisht për gazetën Kombëtare “Bota sot”.

Makiqi jeton dhe vepron në Umag të Kroacisë, ndërsa si hendbollist në fund të viteve 70-ta dhe të 80-ta, ka qenë alfa e omega, duke luajtur për klubet me renome në ligën e parë ish jugosllave, si Trepça e Mitrovicës, Borci i Ferizajt, pastaj në Bundesligën gjermane, në Proleter Naftagas të Zrenjanit në Vojvodinë (liga e parë ish jugosllave) dhe për të shtegtuar pastaj në ekipet tjera, po ashtu ka qenë edhe reprezentues i ish Jugosllavisë A.

Sot e asaj dite gjeneratat e vjetra i kujtojnë lojërat e tija, ku njëzëri thonë: Aziz Makiq nuk lind më në Kosovë, beku i majtë i hatashëm apo njeriu i golave! 
 
“Bota sot”: Si është gjendja në hendbollin e Kosovës?
Aziz Makiqi:
Është katastrofale për hendbollin, hendbollistë dhe hendbolliste. Kosova bën gara në grup me shtetet e pa zhvilluar në hendboll, ku kualiteti është 0 dhe shansat me përparuar është 0.  

A Pejgamerët (Bordi i FHK-së dhe “strategët e Kosovës lavdërohen për sukses) po shesin mjegull, a rezultatet kërkund. Qe 20 vjet asnjë lojtar e lojtare nuk ka nënshkruar asnjë kontratë minimale jashtë Kosovës. Po përparojnë vetën funksionarët në FHK.

“Bota sot”: Pse?
Aziz Makiqi:
Deri në vitin 1990 hendbolli ka qenë në nivel të lart, ku mbi 30 lojtarë shqiptar kanë luajt në ligën më të fortë në botë në Ex Yu.  Shumica prej tyre kanë pas oferta prej klubeve të ndryshme evropiane që ta vazhdojnë karrierën si profesionist.

Në vitet e 90-ta hendbolli kosovar ka qenë shumë vite para Maqedonisë, Sllovenisë dhe Malit të Zi. Pas luftës në territorin e ish YU u formuan 7 shtete. Shumica e federatave u mobilizuan dhe i mblodhën të gjithë hendbollistët të cilët munden me i ndihmu shtetit për zhvillimin sa më të mirë të hendbollit të cilat edhe krijuan suksese të mëdha pos Kosovës.

Në Kosovë ndodhi e kundërta, hendbollin e morën njerëzit e sëmurë në kokë, me sëmundje që nuk shërohet xhelozia dhe filluan me shkru histori të re të hendbollit kosovar duke e tradhtuar popullin shqiptar se kurrë nuk është luajtur hendbolli pos ata. Fajin e kemi edhe ne posaçërisht gjenerata e artë (30 lojtarë që kanë luajt në ligën e parë YU) dhe njerëzit dashamirët e hendbollit, disa për shkaqe financiare e disa u frikësohen e i veshin Pampersin.

“Bota sot”: Po flitet se iu është ndaluar me ju afruar hendbollit në Kosovë, a qëndron ky fakt?
Aziz Makiqi:
Jo vetëm mua, i fundit ishte Bujar Qerimi të cilit haptas i kanë thënë se nuk kanë nevojë për ndihmë. Sa me përket mua, së pari qe 5 vite kam probleme të mëdha shëndetësore edhe pse kam mundur me ju ndihmu shumë.

E pash që nuk është ambienti për mu (kur nuk e kam leju veten me punu në klub e mu shku në punë i veshur në pancir a në Federatë të Kosovës mu kishin dashtë dy pancira dhe një komplet për Covid-19).

Nuk guxon me ja kthye shpinën kërkujt as ne federatë as në klube. Federata - klubi duhet me qenë një organizëm, munden me pas ide të ndryshme por drejtimi i njëjtë, suksesi dhe përparimi. Kam qenë prezent kur një person më thotë për tjetrin që për 5 minuta ja humbi tragun. Mbi 40 vjet jam në sportin profesional kurrë këto fjalë nuk i kam dëgju në sport, kësi lloj fjalori nuk përdoret. Në hendbollin kosovar është gjithçka e mundur që një prej 100 që i kam të regjistruara.

Shikoni librin e 60 vjetorit të hendbollit kosovar, në ceremoninë që u mbajt para 6 a 7 viteve, të gjithëve ju nda kjo libër mbasi u krye festa mu afru një “bashkëlojtar” me këto fjalë: “Në këtë libër janë 150 foto të mijat”! Nuk ju kam përgjigj kurrgjë, jam mbet si hut. Jemi shku në darkë të gjithë mbas një kohe e kam pyet një njeri që kam besim, a është kjo e mundur? Më tha, se do ta kontrolloj librin jashtë sallës dhe të lajmëroj!

Shpejt u kthye me fjalë, po i ka aq foto! E pyeta, qysh është e mundur kur ai person nuk ka vend në 1000 hendbollistët e parë në Kosovë!

Me tha: “Në federatë me EURO mundesh çka të duash”. Hallall i koftë historiografisë të hendbollit kosovar! A marria më e madhe e federatës që e kanë zgjedh legjendën kompetent për at punë por edhe për 65 vjetorin dhe shumë punë të tjera që po ja mundëson federata.  

Ma merr mendja që kanë pak mend e mos me provu diçka tjetër sikur në udhëtim zyrtar në Itali sulmi fizik ndaj selektorit A. Llazari i cili ju ka pengu, ku mbas një jave A. Llazari nga federata shkarkohet prej funksionit të përzgjedhësit. Ka mbet pejgameri në federatë me pru dikë nga Anglia ku nuk ka hendboll (si në Australi, Luksemburg, Finlandë.

I përshkrova dy raste ku nuk munden me i fshi, a janë edhe 100 më të zeza për hendbollin kosovar.  Dikush që nuk ka lidhje me sport ka me thënë se jam xheloz ndaj këtyre, jo bën vaki xheloz kisha qenë kur hendbollistët të luajnë në finale olimpike ose në Kampionat Botëror, xheloz po pse nuk jam afër por edhe krenar për përparimin e hendbollit kosovar.

Nuk kam përmendur asnjë emër, ata që janë të goditur e janë duke jetu prej hendbollit nëpër klube, bëjani qysh të doni se klubi mundet me qenë edhe pronë private nëse pronari ka llogari me ju pagu a puna kërkund, ai është problemi i tij, a ju që jeni në buxhet shtetëror, federata është e jona e të gjithëve dhe keni të drejt me pyet dhe me kritiku, a ju që nuk jeni të aftë me krye punën që e keni obligim shkoni e lypni punë tjetër.

A besoni, ne nuk do të ndalemi derisa krejt bërllokun nuk do ta heqim prej federatës se kemi shumë tradhti, hajni e të gjitha të zezat që nuk kanë vend në sport a posaçërisht në hendboll, se nuk mundeni me rrah gjoks a nuk jeni askushi në hendboll, si të kaloni Kaçanikun ose Merdarën aketa që i financoni nga 20 në ditë për me mund me bë çka të doni, ka kalu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat