Saraçini: Asnjëherë nuk kam thënë ‘Unë’, gjithmonë ka qenë dhe do të jetë ‘Ne’ 

Hendboll

Saraçini: Asnjëherë nuk kam thënë ‘Unë’, gjithmonë ka qenë dhe do të jetë ‘Ne’ 

Nga: Kemajl Goca Më: 6 janar 2021 Në ora: 19:37
Eugen Saraçini

Hendbolli së bashku me futbollin dhe boksin, janë sporte me traditë të madhe në Republikën e Kosovës.

Viti 2020, gjithsesi se ka qenë viti më i vështirë për të gjitha sportet, duke u ballafaquar me armikun e padukshëm, Covid 19, si e gjithë bota.  

Virusi korona shkaktoi kudo rrëmuja, stres dhe telashe të mëdha, megjithatë hendbolli ia doli për mrekulli, duke i organizuar garat në formë të play-off-it në muajin qershor dhe nxori edhe kampionët dhe fituesit e Kupës së Kosovës për edicionin 2019-2020, si në konkurrencën e meshkujve po ashtu edhe në atë të femrave.

Image

Jo vetëm kaq, hendbolli mori pjesë me pesë klube në rrafshin ndërkombëtar, dy meshkujt: Besa Famgas dhe Prishtina dhe tri të femrat: Ferizaj, Istogu dhe Vushtrria.

Eugen Saraçini, president i Federatës së Hendbollit të Kosovës, në intervistën për gazetën kombëtare “Bota sot”, flet për peripecitë që u ballafaquan në vitin 2020, për Kombëtaren dhe ku do të jetë fokusi i FHK-së për vitin 2021. Po ashtu, ai tregon se a do të rikandidojë për president të FHK-së dhe a e sheh mundësinë e jetësimit të idesë së ligës rajonale në trekëndëshin Kosovë-Maqedoni-Mali i Zi, që po përflitet tash e një kohë në komunitetin e hendbollit.

“Bota sot”: Z. Saraçini, si çdo sport tjetër edhe hendbolli u ballafaqua me peripeci të ndryshme në vitin 2020, shkak pandemia. A mendoni se ka qenë prej viteve më të mira sa i përket ecurisë së ekipeve në rrafshin ndërkombëtar? 

Eugen Saraçini:  Natyrisht se viti 2020 ka qenë i vështirë dhe me sfida. 
Pandemia, qysh nga ditët e para të paraqitjes në vendin tonë, na ka mobilizuar në masën më të lartë të mundshme. Duke filluar nga ftesat për kujdes e deri te marrja e masave të nevojshme, të gjitha me qëllim të evitimit të pasojave. 

Image

Ne, edhe pse në vitin më të vështirë ndonjëherë, megjithatë përfunduam kampionatin me sukses të plotë e po ashtu garat për Kupën e Kosovës. Kjo mundësoi që Kosova të ketë mundësinë të garoj me ekipet në konkurrencën e femrave dhe meshkujve, në kuadër të garave evropiane.

Rezultatet e ekipeve tona, ndonëse në kushte e rrethana të jashtëzakonshme, janë për t’u vlerësuar.
Ekipi i Istogu arriti në raundin e tretë të Kupës Evropiane, sukses ky i cili me pak fat do të ishte edhe më i madh.

Në ndeshjen me bjelloruset, ekipin istogas e ndau vetëm një gol për të shkuar në xhiron e katërt.
Edhe Ferizaj e Vushtrria treguan mobilizim dhe u paraqitën në Evropë. 

Edhe ekipi i Prishtinës (meshkujt) arriti në xhiron e tretë të Kupës Evropiane, por u ballafaqua me AEK-un tejet të fuqishëm. Dhe në fund, ekipi i Besa Famgas gjithashtu arriti në xhiron e tretë, duke pasur prezantim tejet të pëlqyeshme. Besës i mungoi fare pak për të kaluar në raundin tjetër. 

Këto paraqitje dhe rezultate, natyrisht që na inkurajojnë. Janë rezultat i punës në klube. Ato tregojnë se ekipet kosovare tashmë janë garuese të rëndësishme dhe nuk janë autsajdere. Por duhet punë e mëtutjeshme. Bazuar në këto që thash, po, duhet të jemi krenar por jo edhe të vetëkënaqur.

Image

Vetë pjesëmarrja me plot pesë ekipe në gara evropiane është e arritur e madhe. Tregon se klubet e hendbollit janë të mobilizuara dhe të denja për ta prezantuar vendin në skenën evropiane. 

Pandemia natyrisht i ka sfiduar klubet, si gjithë të tjerët, por mobilizimi ishte i menjëhershëm.

Sa i takon ekipeve kombëtare, që në janar 2020 bëmë hapin e madh para me Kombëtaren A të hendbollistëve. 
Në Itali në kualifikimet për Botëror, kishim turne të suksesshëm. Barazuam me Italinë dhe fituam ndaj Gjeorgjisë. Për herë të parë jemi renditur në vendin e dytë në grup, që është avancim i rëndësishëm. Në vjeshtë luajtëm një ndeshje tjetër cilësore me Malin e Zi. 

Paraqitja ishte e denjë, përkundër humbjes. Edhe me Suedinë shfaqën momente të mira, por rivalja ishte e nivelit më të lartë evropian.

Image

Për grupmoshat e reja dhe kombëtaren e hendbollisteve nuk janë mbajtur gara për shkak të pandemisë. Por nuk kemi ndalë angazhimin edhe për to. Kemi punuar për të afruar lojtarë të rinj dhe jemi të bindur se e ardhmja do të jetë e ndritur.       

“Bota sot”:  Cilat ishin sfidat që vërtetë iu shkaktuan kokëçarje në vitin 2020?  
Eugen Saraçini:
Kokëçarja më e madhe natyrisht që ishte paraqitja e pandemisë, paniku fillestar qe shterrues. Por siç thash më lartë, u mobilizuam shpejtë, krijuam Task-forcën operative mjekësore e cila përcillte çdo moment të ri.

Nuk e anuluam kampionatin, përkundrazi punuam me MKRS-në dhe KOK-un dhe vazhduam garat me masat e nevojshme. Ministren Dumoshi dhe ekipin e saj e kishim aleat të rëndësishëm.
2020-a nuk ishte viti më i mirë, por nuk dështuam në përmbushjen e planifikimeve. Pothuajse të gjitha planet u realizuan.

Si FHK ishim mjaft aktiv dhe efektiv në përmbushjen e obligimeve si ndaj EHF-së e IHF-së ashtu edhe  ndaj klubeve tona , personave zyrtar etj. Arritëm të jemi shume proaktiv me MKRS-në në përkrahjen financiare të klubeve. 

Arritëm të jemi shembull i mirë i organizimit të garave në kohën e pandemisë. Për këtë kemi marrë edhe mirënjohje nga EHF-ja dhe IHF-ja. 

Mënyrën tonë të punës ia përcollëm edhe të tjerëve, për të këmbyer përvojat më të mira. Masat anti-kovid sollën rezultate, ndërkaq pasojat negative ishin të papërfillshme.

“Bota sot”: Hendbolli, prej sporteve më me traditë në vendin tonë si gjithmonë kërkon më shumë, a shpresoni se në vitin 2021 gjërat do të rrjedhin edhe më mirë, sidomos me Kombëtaret?   
Eugen Saraçini:
Pikërisht, hendbolli ka traditë te ne. Angazhimet janë të mëdha. Rezultatet janë të matshme.

Kemi arritur ngritjen e cilësisë, për çka flasin rezultatet e klubeve të cilat i përmenda. Por, jemi të vetëdishëm se na nevojitet shumë më tepër punë. Kombëtaret tona (seniore) siç dihet në masë të madhe janë të përbëra nga lojtarë që luajnë jashtë Kosovës. Kjo nënkupton se çdo herë paraqiten probleme të grupimeve me kohë dhe kjo është shpesh hendikep. 

Nevojiten sa më shumë grumbullime, ndeshje miqësore  (kontrolluese). Fokusi ynë në këtë vit do të jetë puna me ekipet e reja si U18, U21 në të dy konkurrencat. Natyrisht se kemi punë edhe me ekipet seniore. Kjo nënkupton se kemi nevojë për angazhim profesional të ekipeve udhëheqëse (selektorë, trajnerë etj.).     

“Bota sot”: Flitet e përflitet tërthorazi në opinion, për idenë e formimit të ligës rajonale mes Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, sa mund të konkretizohet në realitet kjo ide, nëse merren hapat e parë dhe a do të ishte edhe dobiprurëse në këtë trekëndësh?   
Eugen Saraçini:
Kam dëgjuar për këto. Asgjë e prekshme dhe konkrete nuk ekziston. Asnjë nga këto tri federata nuk ka inicuar ndonjë diskutim për Ligë Rajonale. Sidoqoftë, kur të filloj diskutimi duhet analizuar mirë edhe mënyrën organizative dhe atë profesionale. Por pse jo edhe aspektin politik. Por, siç thash, duhet analizuar mirë, kjo e gjitha nuk mund të jetë ide vetëm e një ose dy klubeve, por duhet të jetë diskutim gjithpërfshirës. 

“Bota sot”: A do ta synoni edhe një mandat si president i FHK-së, e cila është federata e parë nga sportet kolektive në Kosovë, që u anëtarësua në mekanizma ndërkombëtar, në EHF? 
Eugen Saraçini:
Puna jonë ka qenë, besoj, e mirë dhe e sinqertë. Kemi listuar në të kaluarën sukseset por edhe planet e mira të cilat presim të realizohen. Kemi përfituar edhe nga kritikat. Në kuadër të kësaj, Bordi i FHK-së është ai i cili realizon dhe ekzekuton planet. S’mund të them shkurt e shqip se a do të kandidoj apo jo.

Duhet analizuar veprimet dhe duhet të merren parasysh nevojat dhe sfidat. Kur të qartësohen të gjitha, duhet shikuar se a jam kandidati më i mirë për të vazhduar. Sidoqoftë, puna në FHK, prej se kam qenë në krye të saj, ka qenë punë ekipore e Bordit së bashku me të tjerët. Asnjëherë nuk kam thënë ‘UNË’, gjithmonë ka qenë dhe do të jetë ‘NE’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat