Kosova me shumë mungesa gjunjëzon Luksemburgun

Hendboll

Kosova me shumë mungesa gjunjëzon Luksemburgun

Nga: Kemajl Goca Më: 4 qershor 2021 Në ora: 21:13
Kosova

Kosova me mungesa të mëdha, përveç hendbollisteve Leonora Demajt, Albana Arifit, Kristina Ukajt, Shkurta Mehmetit, Sara e Rina Rexhepit, munguan edhe Mirela Gjikokaj, Fitore Aliu etj. megjithatë shënuan fitore me rezultat 33:27(16:9) ndaj Luksemburgut, në ndeshjen që u luajt në Qendrën e Rinisë dhe të Sportit në Prishtinë, në kuadër të xhiros së dytë të parakualifikueseve për Kampionatin Evropian. 

Në periudhën e parë Kosova dominoi, u shkëput në epërsi me 10:3, duke shkuar në pushim me 7 gola (16:9). 

Në pjesën e dytë Kosova futet në krizë të lojës dhe në presion të madh, kur ngushtohet rezultati në dy gola (21:19) në minutën e 40-të.

Me kalimin e minutave Kosova merr veten dhe e rriti epërsinë në 31:27 në minutën e 59-të, duke u liruar nga presioni i madh. Kjo është fitorja e dytë rresht e Kosovës pas asaj me 30:21 ndaj Qipros.  

"Me vetëm 10 lojtare në dispozicion, prej tyre tri portiere, paraqitemi ndaj Luksemburgut. Por vajzat janë të motivuara për të luftuar deri në fund. Kemi telashe me lëndime dhe koronavirus", shkruan në faqen e FHK-së.

Pashke Marku u shpall lojtare e ndeshjes e cila shënoi 10 gola, e ndihmuar nga Albina Rugova me 8, Suzana Ujkiq 8, Marigona Hajdari 5 gola etj.  Marku – Rugova - Ujkiq, treshja e shkëlqyeshme e Kosovës. 

Te Luksemburgu u paraqit Dea Dautaj që në këtë duel shënoi dy gola. Por më e mira nga bashkëlojtaret e saj ishte Tina Welter me 7 gola.

Kosova tani renditet në vend të dytë në grupin 1 me 4 pikë sa ka edhe liderja Portugalia, ndërsa Qipro dhe Luksemburgu janë pa pikë.  

Nesër në orën 19.30 Kosova dhe Portugalia do të përballen në luftë për vend të parë dhe mbetet të shihet se cila do të kualifikohet. Për selektorin Agron Shabani është sprovë e madhe kur merren parasysh që mungojnë lojtaret kryesore, por shpreson në mrekulli.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat