Istogu me ankth e pret shortin për garat evropiane

Hendboll

Istogu me ankth e pret shortin për garat evropiane

Nga: Kemajl Goca Më: 21 nëntor 2018 Në ora: 18:56
Faruk Shala dhe Suzana Ujkaj

Istogu është skuadra e vetme nga Kosova që ka arritur në nivelin më të lartë të garave evropiane për edicionin e sivjetshëm në hendboll (femrat). KHF Istogu me ankth e presin shortin, por që shpresojnë të kanë fat, që të luajnë me një kundërshtare pothuajse të nivelit të tyre, për të synuar edhe kalimin në çerekfinale e Challenge Cup. Megjithatë, për Istogun është arritje e madhe, kur kihet parasysh se janë pa palestër sportive dhe të gjitha ndeshjet i luajnë jashtë qytetit të tyre. Istogu ka eliminuar skuadrën italiane Cassano Magnago, duke e mundur në të dyja takimet, të parën me 26:24 dhe të dytën me 23:21. Faruk Shala, trajner i Istogut, tha se ka qenë sukses i pritur.

“Ndonëse për mu ka qenë i pritur ky sukses, jemi përgatitur gjatë për këtë ndeshje, ky sukses është historik për ne dhe qytetin e Istogut në përgjithësi, për shumë arsye. Njëra nga to është fakti që Istogu si një qytet pa palestër dhe vetëm për herë të dytë merr pjesë në Kupa të Evropës dhe tani më ndodhet në mesin e 16 skuadrave më të mira evropiane të Challange Cup, kjo është e arritur e jashtëzakonshme, sukses me te cilin mburret i tërë qyteti”, shprehet për gazetën kombëtare “Bota sot”, Shala. Fituesi i Kupës së Kosovës ka tërë vëmendje të shorti në Challenge Cup. “Kjo është tani shumë çështje fati, varësisht nga shorti i cili nesër do të jetë në Vjenë, por sidoqoftë me pak fat ne mundemi të kalojmë edhe këtë rundë dhe të jemi në çerekfinale”, nënvizoi Shala.

Trajneri i Istogut vajton edhe disa lojtare që i ka të lënduara: “Fatkeqësisht kemi disa lëndime që na kanë ndodhur në ndeshjen e dytë dhe duhet të përforcohemi me lojtare, si në pozitën e bekave dhe të alos së djathtë dhe gjatë këtyre ditëve pritet edhe lëvizja e parë. Jemi në bisedime me një hendbolliste vendore që luan në Evropë dhe këto ditë presim që të arrijmë marrëveshje dhe të jemi sa më të gatshëm për rrethin e radhës së EHF Challange Cup”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat