Sërish lulëzuat me plagë

Kultura

Sërish lulëzuat me plagë

Nga: Zymer Mehani Më: 16 gusht 2019 Në ora: 08:51
Zymer Mehani

Me mund, me lot e gjak
Furtunës i qëndruat
Harliseshit fushave të paanë
Me kurorat kuq e zi
Me petale e fleta…


Ju qëndruat të forta
Kthesave të shthurura
Me petale të këputura
E me gjethe të thyera
Të skuqura nga gjaku
Barbarisht të shkelura
Por kurrë të nënshtruara
As kurrë të pavlera

Nga gjumi ju zgjuan
Tingëllimat shqetësimtare
Dhe klithmat e llahtarshme
Në cegmë e furtunë

Në vend të këngëve të zogjve
E gurgullimës lumë
Ju goditën erëra,
rrebeshe e furtunë

Ju me krahë drejt qiellit
Të buzëqeshura, të qeta
Dashuritë e dashuruara
I kthyet në legjenda
I shndërruat në qëndresë,
Në fjalë dhe në besë

Plumbat e gjakatarit
Fletët tuaja i përshkuan
Dhe rafalet që ju ranë gjarpërisht
Pamëshirshëm ju shkelën
Me zjarr e çelik
Në këtë truall plot lavdi
Në këtë tokë arbërore
Ju rriteni, të larësuara
Në përmendore të krenarisë

Me kohë e kuptuat
Çmimin e lirisë
Në kohë të pakohë
Me duf të dashurisë
Ju prore pranveruat
Dhe n’dimra e zezonë
S’u trembët prej vdekjes
E aspak s’patët drojë
Si vdekja pranë vdekjes,
Si i vdekuri në buzë-varr
E ju prapë lulëzuat me plagë,
Me vuajtje, me trishtim
Shtatin e ngritët vrik
Duke shkundur të largëtin pikëllim

Lulëkuqe lulegjaku
Zemrat jua helmuan
Ca korba me krrokamë
Plot mllef dhe inat
Flatrat jua këputën,
Por ju prapë shumoheshit
Në Kopshtin e Trëndafilave të Kuq
Jo, dot nuk mundi t’ju zhdukë
Nga kjo tokë askush

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat