Më pak politikë, sharje dhe fyerje, më shumë art dhe buzëqeshje

Kultura

Më pak politikë, sharje dhe fyerje, më shumë art dhe buzëqeshje

Nga: Ilir Muharremi Më: 15 prill 2021 Në ora: 10:38
Ilir Muharremi

Sot është 15 prilli Dita Botërore e Artit. Artistët mundohen që në këtë ditë të gjejnë pajtueshmëri ndërmjet idesë dhe materies, ta kontretizojnë, ta bëjnë të prekshme, të ndjeshme idenë e materializuar, ose e kundërta, materien ta vlersojnë se si ka rrjedhur nga ideja. Artistët në krejt botën e festojnë këtë ditë duke shprehur krijime të reja, forma të reja, gjetje të reja, themelime të lëvizjeve të reja në art, gjithnjë me atë se vepra artistike qetësisht tregon ndryshimin e idesë në materie, pra syri i brendshëm artistik është i aftë ta paraqesë shkëqlimin e së bukurës në hapësirë të jashtme, pra arti dhe bukuria kanë burimin në një dëlirë dhe ekstazë të veçantë.

Pasi që artistët ballafaqohen tërë jetën me këtë luftë (bukuria dhe materia), atëherë qenësisht na del se estetika është shumë subjektive sepse fillin e ka në thellësinë e shpirtit. Guri gdhendet nga zanatçiu nuk e përjashtoj edhe artistin sepse arti dhe zanati bashkëveprojnë, atëherë kur bëhet formë e rreshtohet në hapësirë nën shkëlqimin e diellit dhe hijet e hënës, krijohet një refleks i brendësisë pra artistikes sepse këtu është baza.

E bukura është shumë e thjeshtë na përket vetëm neve, na bën të ndjehemi mirë, ta përjetojmë, të përhumbemi, pra dehje e Dionisit, kurse e shëmtuara dhe e keqja është shumë neveritëse dhe e kundërta e personalitetit tonë. Andaj, me të drejtë në botë festohet Dita Botërore e Artit, datë kjo që lidhet me ditëlindjen gjeniut të artit Leonardo Da Vinçi. Arsyeja është se Da Vinçi është artisti më i njohur në histori të artit dhe veçohet me arritje humane simbol të paqes, të hulumtimit, zbulumit, shkencës, të tolerancës dhe të bashkimit. “Nëpërmjet eksplorimit të artit, shumë probleme në botë do të zgjidheshin”, thotë Mary Ann F.Kohl.

Fatëkqesisht në mediat tona më prioritet janë debatet politike, fyerjet, sharjet se sa Dita Botërore e Artit. Më të famshëm bëhen disa individë për deklaratat e tyre fyese, përbuzëse, gallata se sa ndonjë vepër e artistit. Populli jeton me kënaqësinë e shtypjes dhe ofendimit se sa arritjet e ndonjë artisti. Më shumë klikime marrin këto që i përmenda se sa promovimi i ndonjë ekspozite, shfaqje, filmi vallëzimi... Madje, politika bëhet më tërheqëse kur plasë debati me sharje, kacafytje, rrahje, ofendime famlijare dhe mediat plasojnë imazhe më të detajuara (fyerjet në koridor jashta kamerave), e tëra kjo për arritje të bizenesit të tyre pra komercializmit përmes klikimeve.

Pse kjo ditë gjithnjë kalon në heshtje në Kosovë? A është arti në rënie, a kanë njerzit pak njohuri për artin? Institucionet tona a e dinë që ekziston dikund arti te ne, ndonëse i strukur në atelie? Mund të mendohet se arti ka shënuar rënie si pasojë e komercializmit, por e tërë bota po komercializohet, pra vlera dhe shpirti po blihet me para sepse në Kosovë më shumë besohet në krizën ekonomike se ne vlerën artistike. Arti duhet ta nxjer veten nga kriza ekonomike, ta pasqyroj çdo krizë ose ta vetëdijësoj popullin që jeton në krizë, pra kjo i bie që arti qëndron ombrellë sipër çdo antivlere dhe vlere.

Urime 15 prilli Dita Botërore e Artit! Sot në këtë kohë pandemie ndonëse nuk mund të vizitoni ndonjë Galeri, Teatër, sallë koncertrale, kinema, për ta shënuar këtë ditë të madhe të krijimit dhe shprehjes artistike.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat