"Buka e UÇK-së”, dokumentari që flet për logjistikën e Grupit “Mërgimi”

Kultura

"Buka e UÇK-së”, dokumentari që flet për logjistikën e Grupit “Mërgimi”

Më: 5 maj 2017 Në ora: 16:05
Pamje nga premiera

Me rastin e 19 vjetorit të rënies së Heroit të Kombit, Ilir Konushevci “Mërgimi”, sot në Prishtinë u shfaq premiera e dokumentarit “Buka e UÇK-së” - Historia e Grupit të Logjistikës “Mërgimi”, i autorit Vangjel Kule.

Bashkëluftëtarët e Grupit “Mërgimi”, vlerësuan lart luftën e këtij grupi për liri, të cilët patën për mision furnizimin me armë dhe municion nga Shqipëria për ushtarët e ushtrisë çlirimtare në Kosovë.

Ish-komandanti i logjistikës “Mërgimi”, Gani Nuha me këtë rast tha se ky dokumentar është për të dëshmuar se kush ishte Ilir Konushevci dhe grupi “Mërgimi”, dhe po ashtu për ta dëshmuar sinqeritetin dhe atdhetarizmit  e këtyre luftëtarëve.

Nuha: me këtë dokumentar po e dëshmojmë kush ishte Ilir Konushevci dhe Grupi “Mërgimi”

“Ky dokumentar nuk u bë për ‘Grupin Mërgimi’, por duke i dëgjuar dhe duke i parë se UÇK-ja, se luftëtarë e lirisë gjithë andej po fyheshin me fjalët e këqija, për këtë theksuam se po e bëjmë një dokumentar dhe ta dëshmojmë kush ishte Ilir Konushevci, ta dëshmojmë se kush ishte ‘Grupi Mërgimi’,  ta dëshmojmë se çfarë sinqeriteti kishte grupi ynë dhe çfarë pune bëri. Çdo gjë që është në këtë dokumentar është e përfshirë në dokumentet tona me emër dhe mbi emër. Gjithë ai armatim që dhe municion që është sjell në Kosovë  është I shënuar. Të gjitha ato bukë që i kanë hëngër ushtarët e UÇK-së janë të shënuara për sa lekë janë blerë në Shqipëri. E falënderoj edhe nënën Shqipëri që na përkrahu, na strehoi, na dha bukë dhe na dha kripë e para për të çliruar Kosovën”, theksoi Nuha.

Një fjalë rasti për grupin që solli armatim për UÇK-në ka mbajtur edhe njëri nga bashkëluftëtarët e ngushtë të heroit Ilir Konushevci dhe ish komandanti i   Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj.

Ai tha  se këta djem që po kujtohen sot kanë bërë angazhime për ardhjen e lirisë së Kosovës. Sipas tij, rrugëtimi i shqiptarëve për liri është i gjatë, dhe djemtë e UÇK-së janë brezi i fundit për liri, edhe pse Haradinaj tha se liria e Kosovës ende nuk është e plotë.

Sipas tij  ata që e rrezikuan lirinë, ende po vazhdojnë me qenë rrezik për Kosovën.

Haradinaj: Liria që e gëzojmë sot nuk është e plotë, kanë mbetur edhe shumë punë për t’u bërë

“Mos të harrojmë se rrugëtimi i shqiptarëve për liri është i gjatë, ne jemi vetëm brezi i fundit që kryejmë obligimin për liri. Andaj, janë breza e breza që kanë rrugëtuar, janë flijuar për liri. Liria që e gëzojmë sot nuk është e plotë dhe kanë mbetur edhe shumë punë me u bërë ende. Po ashtu mos të harrojmë se  ata që na  rrezikuan lirinë gjithnjë vazhdojnë me qenë ende rrezik për ne”, theksoi Haradinaj.

Me një fjalë rasti për grupin “Mërgimi” u paraqit edhe Gafurr Elshani, i cili me këtë rast vlerësoi rëndësinë e logjistikës së këtij grupi.

“Mërgimi” si grup i koordinuar kishte për qëllim grumbullimin dhe furnizimin me armatim për pjesëtarët e UÇK-së, ku financimi i këtij armatimi ishte bërë kryesisht nga diaspora.

Ai tregoi se personazhet e këtij dokumentari i kishte njohur personalisht shumë kohë para se të fillonte lufta në Kosovë,  si bashkëveprimtar në tubime dhe demonstrata.

Elshani: Personazhet e këtij dokumentari ishin veprimtarë të devotshëm

“Nuk do të flas për vlerat artistike, teknike të këtij dokumentari, por do të flas për ngjarjen dhe personazhet që janë objekt trajtimi në të. Pjesën më të madhe të personazheve të këtij dokumentari unë i kam njohur personalisht shumë kohë para se të fillonte lufta në Kosovë si bashkëveprimtar në tubime dhe demonstrata të Lëvizjes Popullore të Kosovës të organizuara nga të gjitha vendet e Evropës, sepse të gjithë këta ishin anëtarë të kësaj organizate, të angazhuar njëkohësisht edhe në kuadër të grupeve artistike siç ka qenë Grupi ‘Këndojmë për Kosovën’, pastaj në ‘Fondin Vendlindja Thërret’, duke filluar nga Ganiu, Demiri, Buqja, Fanoli, Luqja dhe Nustretja”, theksoi Elshani. 

Ndërsa, vëllai i Ilir Konushevcit, Arton Konushevci tha se ndihet mirë si familje për këtë dokumentar në të cilin është edhe Iliri, por theksoi se ndihen keq si familjarë që nuk është zbardhur ende vrasja e Ilirit në Shqipëri.

Ai fajësoi institucionet e Kosovës për nuk e kanë zbardhur tash e 19 vjet rrethanat e vrasjes së vëllait të tyre.

Konushevci: Ne vazhdojmë të ndihemi keq që edhe 19 vjet pas vrasjes së Ilirit nuk janë zbardhur rrethanat e vrasjes

 “Ne si familje ndihemi mirë kur një dokumentar si ky përmendet Iliri, por ne vazhdojmë të ndihemi keq që edhe 19 vjet pas rastit të vrasjes së Ilirit, sepse nuk kemi as një informacion për atë se çfarë ka ndodhur me(rrethanat) saktësisht. Merreni me mend në akademinë e vitit të kaluar kur kam përmendur se nuk kemi asnjë informacion, pas përfundimit të akademisë përkujtimore një nga zyrtarët e institucioneve, ministër, me tha që nuk është përgjegjësi e institucioneve të Kosovës që të nisë diçka për të hetuar. Ia thash se nëse nuk është përgjegjësi e institucioneve e kujt mund të jetë? Ma tha se kjo i takon institucioneve të Shqipërisë. Kjo mu ka duk e pakuptueshme, edhe pse edhe një herë tjetër ma ka përsëritur. Por, sidoqoftë ne si familje vazhdojmë të fajësojmë direkt institucionet e Kosovës, sepse nuk kanë bërë deri më tash asgjë për këtë rast. Mendojmë që nuk mund të ketë rehati as p ër ne e as për ata derisa të zbardhet rasti i Ilirit”, theksoi vëllai i Ilirit, Artoni.

Kur pritej që përmes Ilirit në Kosovë të futeshin oficerë të lartë për në UÇK, kur në Kosovë zhvilloheshin ofensiva të ashpra dhe të cilat paralajmëronin një luftë frontale, atëherë kur pritej dhe kërkohej më së tepërmi sjellje e armatimit, derisa ishte duke kryer si çdo herë detyrën e tij me përkushtimin më të madh, u vra në mëngjesin e hershëm (rreth orës 2:00) të datës 9 maj 1998 atje ku më se paku pritej, në një pritë të organizuar së bashku me mjekun Hazir Mala, derisa udhëtonin për në Bajram Curr, me një kamion të ngarkuar me armatim. Ndryshe, Vangjel Kule është regjisor i filmit dokumentar "Buka e UÇK-së”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat