Kurti mirëpriti ambasadorin e ri të Austrisë në Kosovë, George Schnetzer

Lajme

Kurti mirëpriti ambasadorin e ri të Austrisë në Kosovë, George Schnetzer

Më: 18 shtator 2023 Në ora: 21:10
Foto ilustrim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin e ri të Austrisë në Kosovë, George Schnetzer, të cilin e uroi për punën e re.

Përmes një njoftimi për media, thuhet se Kurti në këtë takim vuri theksin te marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy shteteve dhe popujve dhe te mbështetja e vazhdueshme e Austrisë për Kosovën, duke i ofrruar ambasadorit bashkëpunim të afërt në thellim të mëtejmë të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Austrisë.

Ndër tjera kreu i Qeverisë falënderoi Austrinë për mbështetjen në rrafshin e sigurisë me mbi 600 trupa në kuadër të KFOR-it në Kosovë dhe për 14 programet e Agjencisë Austriake për Zhvillim, ndër to ajo në fushën e arsimit dhe aftësimit profesional, ku qeveria këtë vit e ka çuar në 12 numrin total të profileve të arsimit dual bazuar në modelin “Ausbildung” nga katër sa ishin në vitin e kaluar.

“Ambasadori Schnetzer shprehu mirënjohjen e tij për mikpritjen që e ka pranuar në Kosovë. Biseduan për trendin pozitiv të shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy shteteve. Eksportet e Kosovës në drejtim të Austrisë sivjet janë rritur për 71.7% , kurse ato të shërbimeve për 120% në krahasim me vitin e kaluar. Ndërkaq, investimet direkte nga Austria në Kosovë në dy vitet e fundit kanë shënuar një rritje për 11.6%”, thuhet në komunikatë.

Ndër tjera ambasadori i ri i Austrisë në Kosovë, veçoi interesimin e tij që të angazhohet në fushën e bashkëpunimit kulturor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat