Fatma Methasani: Ishte mision më vete të mbaja lidhje diskrete me kolegun

Mediale Vip

Fatma Methasani: Ishte mision më vete të mbaja lidhje diskrete me kolegun

Më: 31 tetor 2018 Në ora: 16:45
Fatma Methasani dhe Alfio Rrotani

Fatma Methasani është prezantuesja e emisionit “Fun day”, e cila përmbysi stereotipin se në televizion duhet të punojnë vetëm vajzat me format e Kim Kardashian dhe që të rrinë pa problem në majë takave.

Energjike, e thjeshtë dhe elokuente ajo ka arritur të intervistojë në divanin e saj shumë nga personazhet e momentit në botën e showbiz-it, duke u bërë e njohur edhe vetë në pak kohë.

Edhe pse s’i pëlqen të jetë qendra e vëmendjes, së fundi Fatma është komentuar në media për lidhjen e dashurisë me ish-kolegun në televizionin ku punon, shefin e kuzhinës, Alfio Rrotani.

Edhe pse për të dashuria nuk kalon nga stomaku, por nga mesazhet dehëse që merr nga partneri, për “Panorama Plus”, prezantuesja rrëfen se sa interesante është të mos biesh në sy, ndërsa je në një lidhje me kolegun.

Ke treguar se ke filluar që 16 vjeçe të punosh në paskuintat e “X factor” pranë regjisores Vera Grabocka. Ç’kujton nga periudha kur punoje pas kamerave, ç’taktikash mësove për të pasur sukses në ekran?

Unë besoj që njeriu mëson nga çdo gjë që bën apo i ndodh. Mësojmë nga eksperiencat e ëmbla dhe më pak të ëmbla. Kam qenë me fat, edhe pse e vogël në moshë, po mësoja nga profesioniste dhe po bëja diçka që më shijonte.

Në emisionin “Oktapod” të Turi Hyskës, ke treguar se kur shkove të bëje audicion në “In Tv”, ishe e ndërgjegjshme se s’ishe ajo vajza e bukur majë takave. Si ndodhi që të thanë “po” për prezantuese të një programi si “Fun Day”?

Televizioni erdhi si risi. Bordi drejtues nuk po kërkonte imazhe të bukur e krejt të zakonshëm apo që i shihnim kudo. Ishte në kërkim të imazheve ndryshe që nuk ishin në ekran. Çdo gjë lindi nga një rastësi, pastaj ne gjetëm njëri-tjetrin në stil, në vizion mediatik e në botëkuptime. Më pas, rrugës u shtuan shumë ingredientë, që na sollën në një raport të suksesshëm, për të cilin jam tepër e lumtur edhe sot! Kam qenë dhe jam e rrethuar nga njerëz që dashurojnë veten, atë çfarë bëjnë dhe njerëzit me të cilët punojmë.

Ke pasur shumë të ftuar VIP , me të cilët ruan kujtime të bukura nga ai divani i famshëm në studio. Mund të përmendësh disa prej tyre që i ke miq dhe të kanë impresionuar?

Më pëlqen ta shoh botën me ngjyra shumë. Edhe nëse kam pasur ndonjë moment mbase pak të sikletshëm me ndonjë personazh, të jeni të bindur që e kam harruar ose nuk i kam dhënë tepër rëndësi. Sigurisht që kam një Top 5 me të preferuarit. Por edhe të ftuarit që në dukje ishin seriozë, kanë përfunduar në të njëjtën ekuipazh me ekipin e “Fun day”, duke qeshur, duke u ndierë komod në fund dhe duke shijuar bisedën.

Në kohën kur vajzat kanë si model Kim Kardashian dhe format e saj, ty çfarë të bën të besosh te vetja apo të fitosh zemrat e ndjekësve, thjesht me tipin?

Unë besoj te fuqia që secili nga ne ka brenda vetes për ta bërë veten të lumtur, dhe për të qenë njeri i mirë. Jam fanse e vërtetësisë. Nëse je i vërtetë, herët ose vonë do të pranohesh e më bukur akoma do pëlqehesh. Nuk e kam menduar pse njerëzit më duan, se nuk është ky goli i jetës sime. Më lumturon fakti që ata që më ndjekin marrin energji të mirë dhe frymëzohen për të bërë gjëra të bukura.

Do të provosh të jesh prezantuese e një skene të madhe gjithë drita dhe në krah të kujt moderatori të njohur?

Unë jam pak tip i vështirë për bisedime projektesh apo intervistash, sepse shkoj me vonesë nëpër takime. (qesh) Por edhe sepse nuk më pëlqen qendra e vëmendjes kur nuk kam diçka për të thënë. Prandaj kam thënë “jo” deri tani sepse e kam përqendruar energjinë te jeta personale. Kam prezantuar “Junior festival”, kam prezantuar edhe “Colour Day Festival”, që është i rëndësishëm në nivel ndërkombëtar. Për partner nuk kam kërkesë të formës së prerë, mjafton të mos jetë shumë i gjatë.

Ndërkohë, studimet i ke ndjekur për Drejtësi. Të ardhmen e sheh në televizion, apo në çështje të rëndësishme gjyqësore?

Unë mund të kisha zgjedhur cilindo fakultet, duke iu referuar rezultateve që kam pasur. Zgjodha Drejtësinë sepse e doja dhe e mendova si një formë për të përçuar zgjidhje dhe ndjesi të mirë te njerëzit. Ndërkohë në media po bëhen 8 vite, ku po dashurohem çdo ditë e më shumë. Në përditshmëri, më duket sikur po i bëj të dyja, edhe median, edhe drejtësinë.

Së fundi je komentuar për lidhjen me moderatorin e një emisioni në “Tv Klan”, Alfio Rrotanin. Si të bëri për vete një shef kuzhine i njohur si ai?

Jo me receta se unë nuk jam shumë llupëse. (Qesh) Ka tentuar me ushqime, me lule, me ëmbëlsira, me mesazhe dehëse, me dashuri, por në fund mendoj ia ka dalë me këmbënguljen e tij. Një Zot e di, si nuk u dorëzua! (Qesh)

Edhe pse e mohuat lidhjen disa herë, në fakt keni dy vite bashkë. Arsyeja e mbajtjes të fshehtë dhe pse vendosët të dilni hapur tani?

Nuk mendoj që njerëzit përdorin strategji në çështje personale. Nuk ka qenë e qëllimshme as ta mbaja të fshehtë dhe as ta bëja publike. Thjesht ndodhën.

Keni punuar të dy në të njëjtin televizion, para se ai të largohej. Ishte e vështirë të ruaje një lidhje diskrete me kolegun?

Ishte çdo ditë mision më vete. Unë pak “workahoolic” si natyrë dhe në punë nuk e humbas fokusin. Më tepër se e vështirë, ka qenë interesante.

Në rastin tuaj qëndron shprehja “Dashuria kalon nga stomaku” dhe si do e përshkruaje marrëdhënien tuaj në çift?

Uaaa këto pyetjet i kam siklet! (Qesh) Një “Tommy dhe Jerry”, por me “happy ending”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat