Deputetja e LDK-së ripërsërit: Kosova urgjent ka nevojë për zgjedhje të jashtëzakonshme

Politika

Deputetja e LDK-së ripërsërit: Kosova urgjent ka nevojë për zgjedhje të jashtëzakonshme

Nga: A.M. Më: 3 janar 2019 Në ora: 21:00
Valentina Bunjaku - Rexhepi

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku - Rexhepi është deklaruar për “Bota sot” se gjendja pulitke në vend është e pa shpresë për qytetarët e Kosovës.

Gjendja politike në Kosovë është e pashpresë, me plot zhgënjim të përgjithshëm të qytetarëve të Kosovës, të vetmit pa liberalizim vizash për në vendet e Bashkimit Evropian (BE) dhe me papunësi e varfëri të pandryshuar.

Ajo është shprehur për “Bota sot” se Kosova ka nevojë për zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Kosova ka nevojë urgjente për zgjedhje të jashtëzakonshme, apo qoftë edhe të parakohshme, sepse klasa politike që e udhëheq aktualisht, nuk është as me legjitimitet qytetar pas shumë zhvillimeve e vendimeve problematike; as nuk është me kuadro të duhura profesionale dhe akademike, gjë që aktualisht e posedon opozita, përkatësisht Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)”, ka thënë deputetja e LDK-së.

Bunjaku Rexhepi ka theksuar se ka shumë pasiguri tani për tani për atë se çfarë do të bëhet në pjesën e parë të vitit 2019.

“Kosova ka hyrë në disa zhvillime politike të vetëkontestimit të pavarësisë nga vetja e saj, për herë të parë në historinë e vet. Ka shumë pasiguri tani për tani, se çfarë do të bëhet në pjesën e parë të vitit 2019. Mungesa e transparencës nga lidershipi aktual në Presidencë, Qeveri e Kuvend, e kanë rritur pasigurinë dhe frikën e qytetarëve se kah po shkon Kosova dhe si po e humbim aq shumë përkrahjen e aleatëve tanë të përjetshëm, për të cilën diplomaci, bëri aq shumë ish-Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova”, ka përfunduar Bunjaku Rexhepi për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat