“Në raportin e prokurorit special Williamson janë përmendur vrasjet e kundërshtarëve politik , andaj edhe shpresojmë duke u bazuar në këtë raport. Ky vend është dëmtuar jashtëzakonisht nga këto vrasje dhe përpos familjarëve edhe e gjithë shoqëria do të përfitonte nga drejtësia, pasi mendoj se nuk ka zarar nga drejtësia”, ka thënë Shpëtim Hajdaraj, djali i ish deputetit Smajl Hajdaraj.
Derisa në Hagë po intervistohen personat e parë nga Gjykata Speciale, familjet e të vrarëve për motive politike, shpresojnë se më në fund kjo gjykatë do t`i nxjerrë para drejtësisë vrasësit e më të dashurve të tyre, pasi një gjë të tillë nuk e bënë institucionet e drejtësisë vendore.
Të gjitha këto atentate ndaj veprimtarëve të shquar të Lidhjes Demokraike të Kosovës, dy dekada pas kryerjes së tyre kanë mbetur të pazbardhura nga drejtësia.
Për familjarët e të vrarëve dhe të plagosurve për motive politike, Kosova nuk është çliruar ende.
Ata thonë se mungesa e më të dashurve të tyre, të vrarë në mënyrën më të ulët dhe më çnjerëzore, nga dora e zezë e krimit, është e trishtë, pasi kryesit e veprave enden të lirë, përderisa të dashurit e tyre, mbajnë misterin e heshtur të vdekjes nën dheun e zi.
Hajdaraj: Në raportin e prokurorit special Williamson janë përmendur vrasjet e kundërshtarëve politik
Shpëtim S. Hajdaraj, i biri i ish deputetit të LDK-së dhe Komandantit të UÇK-së, Smajl Hajdaraj, i vrarë më 17 janar të vitit 2002, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se është mesë e natyrshme të shpresohet se Gjykata Speciale do t`i zbardhë këto vrasje.
“Ne familjarët e të vrarëve për motive politike është më se e natyrshme që kemi shpresa te Gjykata Speciale, duke u bazuar në moszgjidhjen e këtyre rasteve tani e 17 vite. Në raportin e prokurorit special Williamson janë përmendur vrasjet e kundërshtarëve politik , andaj edhe shpresojmë duke u bazuar në këtë raport. Ky vend është dëmtuar jashtëzakonisht nga këto vrasje dhe përpos familjarëve edhe e gjithë shoqëria do të përfitonte nga drejtësia, pasi mendoj se nuk ka zarar nga drejtësia”, ka thënë Hajdaraj.
Manaj: Pres që vrasja me motive politike e babait tim dhe vrasjet tjera të trajtohen në Gjykatën Speciale
Edhe Shkëmb Manaj, i biri i veprimtarit të vrarë Shaban Manaj, ka thënë për “Bota sot” se kjo Gjykatë ka kredibilitet që ti trajtojë dhe t`i zbardhë këto vrasje, në mënyrë profesionale dhe të paanshme.
“Gjykata është themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe mendoj institucionet dhe qytetarët janë të obliguara që të bashkëpunojnë në mënyrë që të zbardhen të gjitha rastet e vrasjeve. Në rastin konkret pres që vrasja me motive politike e babait tim Shaban Manaj në korrik të vitit 2000, në prag të zgjedhjeve lokale dhe vrasjet tjera të trajtohen në Gjykatën Speciale sepse një pjesë e tyre janë brenda juridiksionit kohor dhe lëndor. Aktualisht sistemi i drejtësisë që operon brenda Kosovës nuk ka tregu gatishmëri të përballet dhe t'i zgjidh këto raste të rënda”, ka thënë Shkëmb Manaj.
Salihaj: Kam frikë se edhe Gjykata Speciale do t'i zhgënjejë shumë njerëzit
Ndërkaq, ish deputeti i LDK-së Adem Salihaj, i cili i shpëtoi atentatit ndaj tij në qershor të vitit 2000, ka thënë se familjarët e veprimtarëve të vrarë të LDK-së me të drejtë kanë pritur e presin shumë nga Gjykata Speciale për zbardhjen e këtyre vrasjeve.
Ai ka thënë se, deri më tani nuk është bërë asgjë për ti hetuar vrasjet dhe atentat e pas luftës.
“Duke marrë parasysh se deri më tash nuk është bërë asgjë në këtë drejtim ne si familjar jemi shumë të zhgënjyer me Gjykatën e Hagës për krime lufte, e cila u shndërrua në farsë dhe nuk beri asgjë. Kam frikë se edhe Gjykata Speciale do t'i zhgënjejë shumë njerëzit dhe nga gjithë kjo zhurmë e pompozitet, në fund të mos dalë asgjë. Ne tashmë jemi mësuar me dallaveret dhe hipokrizitë e ndërkombëtarëve, andaj shpresoj që edhe këtë herë të mos ndodhë e njëjta gjë. Shpresoj që, së paku, disa nga familjet e veprimtarëve të vrarë, ta marrin një satisfaksion të vogël moral”, ka thënë ish deputeti i LDK-së Adem Salihaj.
Rudi: Shpresa tani të gjithëve u ka mbetur tek Gjykata Speciale
Aktivisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fetah Rudi, i cili po ashtu i shpëtoi atentatit të kryer në vitin 2000, ku si pasojë e 13 plumbave të shkrepur ndaj tij, ai edhe sot e asaj dite ka mbetur i pa lëvizshëm në karrocë, ka thënë se familjarët e të vrarave e të plagosurve presin nga Gjykata Speciale që të zbulohen të gjitha vrasjet dhe plagosjet që janë bërë me motive politike e që nuk janë të pakta.
Ai ka thënë se atentate të tilla dihet se kanë ndodhur gjatë luftës dhe pas luftës, të cilat pa dyshim se janë bërë nga komandantët SHIK-ut, të cilët tani po thirren në intervista në Hagë.
“Besoj dhe kam shpresë që Gjykata Speciale do të merret me të gjitha rastet në mënyrë që të zbulohen kryerësit e krimit, pasi të gjithë jemi të zhgënjyer nga organet e drejtësisë vendore e ndërkombëtare, të cilat dështuan apo nuk guxuan të merren me rastet e tilla. E di një gjë që familjarët e të gjithëve kanë pritur shumë më shumë nga drejtësia por shpresa tani të gjithëve u ka mbetur vetëm tek Gjykata Speciale, ku dhe besojmë qe do te zbulohen”, ka thënë veprimtari i LDK-së Fetah Rudi.
Zogaj: Kjo është arsyeja e formimit të Gjykatës speciale
Nga ana tjetër analisti politik Skender Zogaj, ka thënë se për familjarët e të vrarëve dhe të plagosurve për motive politike, edhe pse Kosova është çliruar, nuk e ka ardhur liria, sepse mungesa e më të dashurve të tyre, që janë vrarë e janë fshehur nga errësira e nëntokës së krimit, i mbanë nën dhembje të trishtuar.
Sipas tij, duke e marrë parasysh se Drejtësia në Kosovës ka dështuar plotësisht, ka bërë edhe që të formohet një Gjykatë Speciale.
“ Kjo është arsyeja e formimit të Gjykatës speciale, e cila është një shpresë e re, se më në fund do të zbardhen vrasjet politike dhe, se vrasësit do të marrin dënimin e merituar! Nëse edhe Gjykata Speciale nuk arrin që ta çojë drejtësinë në vend, atëherë, mjerë familjarët por edhe gjithë popullata e ndershme shqiptare e Kosovës, që ka arsye të ndjehet përfundimisht e pashpresë për jete të lumtur në këtë vend! Gjykatës speciale është një shpresë e madhe”, ka thënë analisti politik Zogaj.
Abazi: Nuk ka qetësi e as respekt për Institucionet derisa këto vrasje nuk ndriçohen
Analisti politik Haki Abazi, ka deklaruar se dhomat e Specializuara të Gjykatës kanë mandat kohor të përcaktuar me ligjin për dhomat, andaj çdo vrasje që është bërë në atë periudhë do të duhej të përfshihej në punën e këtyre dhomave.
“Është fatkeqësi që këto krime misterioze dhe monstruoze nuk janë qartësuar nga UNMIK-u, EULEX-i e madje as nga Prokuroria dhe Gjyqësia në Kosovë. Më herët dhe tani ekziston një përzierje me mandatin e këtyre dhomave meqë ato ashtu siç janë formuar ndjekin vetëm pjesëtaret e një grupi etnik. Por, gjithsesi në këtë format është negociuar dhe pranuar nga krerët e PDK-së edhe vet Hashim Thaçi në atë kohë. Dhe të kishte qenë mirë që këto vrasje të jenë tani të ndriçuara por siç thotë populli gjaku ujë nuk bëhet e as krimi nuk vjetërsohet”, ka thënë Abazi.
Sipas tij, edhe tani nuk është vonë dhe duhet që drejtësia të sillet në vend.
“Jo vetëm familjet e tyre që është e natyrshme që jetojnë me padrejtësinë e ndonjëherë edhe me përshtypjen se kriminelët janë afër tyre, por duke e ditur rolin e këtyre njerëzve dhe sakrificën e kontributin e madh për lirinë, pavarësinë, luftën për shtetin e pavarur e sovran të Kosovës. Prandaj kjo është çështje për gjithë kombin shqiptar në Kosovë dhe në Shqipëri meqë disa vrasje janë kryer edhe në territorin e Shqipërisë siç është rasti i gazetarit Ali Uka, Remzi Hoxha dhe Ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës Ahmet Krasniqi. Prandaj nuk ka qetësi, e as respekt për Institucionet derisa këto vrasje nuk ndriçohen dhe kryerësit dhe urdhërdhënësit e këtyre vrasjeve të mos dënohen për veprat e bëra”, është shprehur analisti politik Haki Abazi.