“Kosova para momentit vendimtar, partitë të jenë të vetëdijshme”

Politika

“Kosova para momentit vendimtar, partitë të jenë të vetëdijshme”

Nga: N.H Më: 5 shkurt 2019 Në ora: 20:27
Protesta e Lëvizjes Vetëvendosje, foto arkiv

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka folur rreth procesit të dialogut Kosovë-Serbi dhe marrëveshjes përfundimtare.

Konjufca ka thënë se në asnjë mënyrë nuk bënë të ketë korrigjim apo shkëmbim territoresh, dhe në rast se një gjë e tillë ndodh, atëherë partia e tij nuk do të rri duarkryq, duke mos lënë anash edhe protestat gjithëpopullore.

Lidhur me ketë, politologu, Musa Preteni, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, shprehet se protesta nga Lëvizja Vetëvendosje është përdorur në mënyrë të vazhdueshme si formë presioni ndaj politikave qeveritare dhe së fundi ekskluzivisht edhe ndaj presidentin Thaçi.

Image
Musa Preteni

“Lëvizja Vetëvendosje është parti opozitare dhe si e tillë vepron në përputhje me qëndrimet dhe vlerësimet e saj ndaj presidentit dhe projekteve të tij për marrëveshjen me Serbinë. E drejta e protestës është e garantuar me kushtetutë dhe si e tillë nga Lëvizja Vetëvendosje është përdorur në mënyrë të vazhdueshme si formë presioni ndaj politikave qeveritare dhe tash e kohët e fundit ekskluzivisht ndaj presidentit Thaçi”, ka thënë Preteni.

Ai konsideron se forma e Vetëvendosjes për ndaljen e presidentit Thaçi është legjitime.

“Mendoj që forma e Vetëvendosjes për ndaljen e Thaçit është legjitime dhe e duhura, sepse përmes një kundërshtim të gjerë popullor, gabimet e mundshme në marrëveshjen përfundimtare me Serbinë mund të evitohen”, ka thënë ai.

Në fund, politologu nënvizon se Kosova ndodhet para një momenti vendimtar për të ardhmen e vet andaj edhe Vetëvendosje edhe partitë tjera duhet të jenë të vetëdijshme për veprimet e tyre.

“Kujtojmë që Kosova ndodhet para një momenti vendimtar për të ardhmen e vet andaj edhe Vetëvendosje edhe partitë tjera duhet të jenë të vetëdijshme për veprimet dhe vendimet që ndërmarrin. Po ashtu opozitarizmi duhet t'i bashkëngjitet edhe kundërshtimi institucional, në ketë rast Kuvendi si organ që miraton marrëveshjet ndërkombëtare”, ka përfunduar Preteni për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat