Cili ishte operacioni i çlirimit të Prizrenit me shifrën “çelik” udhëhequr nga Komandant Drini?

Politika

Cili ishte operacioni i çlirimit të Prizrenit me shifrën “çelik” udhëhequr nga Komandant Drini?

Nga: Zef Kabashi Më: 25 shkurt 2019 Në ora: 09:42
Faqja 9 e gazetës “Bota sot” e publikuar më 14 qershor të vitit 2000, vazhdimi i shkrimit kushtuar Komandant Drinit, vetëm 1 muaj pas vrasjes

Një pjesë e forcave të UÇK-së ka qenë vazhdimisht në qytet dhe numri i forcave tona është i mjaftueshëm për t’i shkatërruar forcat serbe. Lexojeni pjesën e fundit të fejtonit kushtuar Komandant Drinit, 1 muaj pas vrasjes së tij.

Pasoi ultimatumi i dhënë fshatit Dojnicë i banuar vetëm me popullatë serbe, ku ishin të vendosura njësitë policore e paramilitare serbe që deri në orën 16.00 të dorëzonin të gjitha armët, përndryshe pas këtij afat forcat e UÇK-së do të fillonin pastrimin e terrenit dhunshëm, por pas këtij ultimatumi forcat serbe me panik lëshuan fshatin dhe pozicionet e tyre duke ikur në drejtim të Prizrenit.

Pas spastrimit të terrenit në Dojnicë forcat e UÇK-së në natën e 12-13 qershorit hynë në fshatin Lubizhidë, i cili ishte i banuar me afro 137 shtëpi  serbe që ishin të armatosur dhe të mobilizuar, port ë cilët u thyen pas ultimatumit të dhënë që të dorëzonin armët me afat deri në orën 14:00. Në ndërkohë rreth orës 11:00 sulmohet konvoji ushtarak serb në Suharekë nga forcat e Brigadës 123 të udhëhequra nga komandanti Gëzim Havolli, ku gjatë këtij sulmi forcat serbe  pësuan humbje të mëdha, forca këto të cilat u urdhëruan nga komandanti i tyre me shifrën Çelik-1 që të tërhiqen menjëherë duke kërkuar edhe mbrojtjen e KFOR-it Italian, të cilët ishin në rrugë e sipër për Pejë dhe e cila ndihmë e kërkuar nga forcat serbe nuk u realizua. Njëkohësisht, nga po i  njëjti epror serb urdhëroheshin forcat paramilitare serbe të pozicionuara në fshatrat Greikoc, Lutogllavë dhe Korishë që patjetër të qëndronin në pozicionet e tyre, në mënyrë që të siguronin tërheqjen e forcave të mbetura serbe nga konvoji i sulmuar në Suharekë. Përkundër pozitës së tyre shumë të rëndë në të cilën ndodheshin dhe humbjeve të mëdha që kishin nga sulmet e furishme të cilat kishin filluar rreth orës 12:30 e zgjatën deri rreth orës 14:15 të bëra nga forcat e UÇK-së të Batalionit të Kabashit, të cilët po ashtu ishin të stacionuar në fshatin Korishë dhe Greikoc.

Në mëngjesin e datës 14 qershor forcat e UÇK-së bllokuan çdo rrugë dhe nyje të pjesës verore të qytetit

Pra, rreth orës 14:00 forcat serbe edhe përkundër urdhrit të dhënë nga eprori i tyre, i cili urdhëronte përmes radiolidhjes që duhet të mbroheshin patjetër, por edhe përforcimet me rreth 60 forca policore serbe dhe disa mjeteve të blinduara pas disa grindjeve dhe kacafytjeve të ashpra, të cilat u bënë në oborrin e kishës dhe të cilat vëreheshin mirë nga pozicionet tona luftarake ata filluan evakuimin e tyre nga Lubizhda duke u tërhequr në kolonë në drejtin të Prizrenit, në tërheqjen e tyre ndikoi edhe thyerja morale e tyre, e cila u shkatërrua kur vërejtën një numër kaq të madh të ushtarëve të UÇK-së të pozicionuar në një rreth të gjerë duke menduar se ne jemi me mijëra, por në të vërtet ne nuk ishim më shumë se 195-200 ushtarë.

Pas tërheqjes së kolonës e cila përbëhej nga rreth 64 automjete ushtarako-policore dhe civile serbe filloi spastrimi i terrenit nga çarmatosja e elementit të mbetur serb dhe vënia nën kontroll të plotë të territorit duke përfshirë edhe lagjen e Jaglenicës.

Rreth mesnatës së 13 qershorit filloi marshimi përfundimtar në Prizren duke u future nga ana veriore e qytetit përreth kazermës në rrugën “2Korriku” e pastaj në rrugën e “Dervarit” ku gjatë kësaj nate u në edhe djegia e dy shtëpive të fundit shqiptare në Prizren, e cila vërteton edhe njëherë skenarin ogurzi i cili ishte përgatitur  për Prizrenin nga forcat barbare serbe, gjë e cila ishte kuptuar shumë qartë nga komandant Drini. Ai duke përdorur metodat taktiko-psikologjike arriti që në mënyrë efikase t i paralizojë synimet e planifikuara më parë për masakrimin e popullatës, shkatërrimin e qyteti si dhe krijimin e enklavave serbe, të cilat ishin paraparë në këto pjesë të qytetit, në zonën industriale, në lagjen Ortakoll, dhe rreth shtëpisë së armatës dhe në lagjen e nënkalasë.

Në mëngjesin e datës 14 qershor forcat e UCK-së bllokuan çdo rrugë dhe nyje të pjesës veriore te qytetit ku shpërndarja e forcave ishte në këtë mënyrë:  Të gjitha rrugët e lagjes “2 Korriku” ishin të kontrolluara nga njësitë e udhëhequra nga komandant Fatmir Lushaku, rruga e “Durmish Asllanit” dhe rrugët lidhëse deri tek ish-shtëpia e armatës të udhëhequr nga komandant Remzi Mehemeti dhe Selim Morina, ndërsa pjesa kryesore ishte e përqendruar në rrugën “Dërvari” deri në sheshin e Bazhdarhanes të udhëhequra drejtpërdrejtë nga komandant Drini  i ndihmuar nga Selim Krasniqi dhe Lulëzim Kabashi.

Në orët e hershme të mëngjesit të datës 14 qershor u vendosën kontakte e para me komandën e KFOR-it gjerman të përfaqësuar nga koloneli Bexht, me të cilin komandant Drini zhvilloi bisedimet në objektin e fijeve sintetike “Progres” ku ishin të pranishme ende edhe forcat e mekanizuara të Brigadës 549 serbe të udhëhequra nga nënkolonel Bozhidar Deliq. Negociatat me palën serbe u zhvilluan me ndërmjetësimin e kolonelit Bexht në dhoma të ndara pasi që pala serbe nuk kishte guximin e ballafaqimit të drejtpërdrejtë.

Cila ishte rrjedha e bisedimeve të komandant Drinit me kolonelin serb ndërmjetsuar nga koloneli gjerman Bexht?

DRINI: Forcat serbe kanë afat që deri në orën 17.00 të datës 15 qershor 1999 të tërhiqen plotësisht nga Prizreni në drejtim të Brezovicës, në të kundërtën pas skadimit të këtij afati nuk do t’ju lejohet tërheqja dhe do të sulmohen nga të gjitha anët.

DELIQ: Tërheqja e forcave të bëhet ne afat prej 5 ditësh duke u thirrur në marrëveshjen e Kumanovës.

DRINI: Në marrëveshjen e Kumanovës nuk është përfaqësuar UÇK-ja, prandaj kjo marrëveshje për neve nuk është obligative.

Pas kësaj përgjigje koloneli gjerman pyet: Kur janë future në qytet forcat e UÇK-se dhe sa janë ato?

DRINI: Një pjesë e forcave të UÇK-se kanë qenë vazhdimisht në qytet dhe numri i forcave tona është i mjaftueshëm për t’i shkatërruar forcat serbe.

Kjo përgjigje ishte e mjaftueshme për kolonelin gjerman për t’i sqaruar oficerit serb situatën në të cilën ndodheshin, gjë e cila rezultoi ditën e nesërme kur forcat ushtarake dhe paraushtarake serbe  u tërhoqën para skadimit të ultimatumit të dhënë nga ana e komandant Drinit.

Vlen të theksohet se gjatë operacionit për çlirimin e Prizrenit rolin vendimtar e kishte efekti psikologjik i udhëhequr me mjeshtëri dhe profesionalizëm të lartë nga ana e komandant Drinit, meqë armiku me shpërndarjen e forcave të UÇK-së në grupe të vogla në të gjitha pjesët e qytetit i shkaktoi huti dhe panik duke u bindur se numri i ushtarëve tanë është shumë më i madh sesa që ish në të vërtetë.

Meritë të veçantë në çlirimin e Prizrenit kishte hyrja e forcave të KFOR-it, të cilat me demonstrimin e forcave ushtarake dhe me rolin konstruktiv të tyre krijuan një ambient dhe presion të pa durueshëm për forcat serbe.

Gjithashtu rol të rëndësishëm në çlirimin e qytetit kishte popullata civile, e cila mirëpriti me dinjitet ardhjen e trupave pararojë të KFOR-it dhe njëherësh me guxim dhe vendosmëri në forma të ndryshme u ndihmoi forcave të UÇK-se në realizimin e qëllimit përfundimtar. I gjithë ky operacion u realizua me përpikëri të plotë, ashtu siç ishte planifikuar dhe përkundër vështirësive dhe pengesave të shumta.

Sot kur Prizreni feston njëvjetorin e parë te çlirimit në mesin e tij mungon njeriu më i meritueshëm i kësaj feste – legjenda e Prizrenit, por qyteti u pasurua me grafitet ku thotë:  “Djem, mos u ngutni, primitivizmit dhe agresivitetit do t’i vijë fundi: - DRINI./Fund

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat