Kapja e shtetit nga “mafia Pronto” në “mafian Gllogjani”

Politika

Kapja e shtetit nga “mafia Pronto” në “mafian Gllogjani”

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 20 mars 2019 Në ora: 11:17
Foto ilustrim nga "Bota sot"

Kritika e ashpër e Ambasadorit të Britanisë së Madhe Ruairi O’Conell për punësimet partiake në Kosovë, bëri që të mbahet konferencë e thirrur për të diskutuar për problemin në fjalë ku të ftuar ishin edhe kryeministri Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli.

Ambasadori i Britanisë së Madhe Ruairi O’Conell, mes tjerash ka thënë se Kuvendi dhe Qeveria si dy institucionet e udhëheqëse janë përgjegjëse për punësimin e njerëzve pa kritere nëpër pozita të ndryshme shtetërore.

“Vitin e kaluar pata thënë se projekti për monitorimin e emërimit në pozita të lartë po shkon më mirë se që është menduar. Për fat të keq sivjet nuk mund të konfirmoj të njëjtën gjë. Në fakt kemi kthim prapa. Për fat të keq edhe sivjet kemi emërime të kandidatëve të pa kualifikuar, në kundërshtim të drejtpërdrejtë të meritokracise.

Rasti i emërimit të Drejtorit të Agjencisë Kosovare për verifikim dhe Krahasim të Pronave është shembull konkret. Përzgjedhja e tij u bë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. Ata e dinin shume mirë që procesi fer dhe transparent e kishte përzgjedhur kandidaturën e tyre si jo të kualifikuar. Këtu përfitoj nga rasti se cili është mesazhi që përçoni me emërime të tilla”, ka thënë në fjalën e tij ambasadori O’Conell.

Zogiani: Problemi më i madh është se këto punësime dominohen nga njerëz në pushtet

Image
Avni Zogiani

Lidhur me këtë, Avni Zogiani, zyrtar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka rikujtuar se në korrik të vitit 2018 – Kuvendi miratoi rezolutën për Telekomin.

Sipas tij, kjo rezolutë kishte një varg masash për ringritjen e kësaj kompanie, e cila deri në vitin 2008 ishte një ndër kompanitë më fitimprurëse në vend dhe mbase edhe në rajon .

“Asnjë masë nuk është ndërmarrë nga qeveria për shpëtimin e Telekomit, ndërkohë që vetë kryeministri vetëm u ndal në konstatimin se kjo kompani është në prag të falimentimit. Në vend se të ndërmerren masa për ri ngritjen e kompanive publike, kjo qeveri po i përdor ato për punësime politike dhe të anëtarëve të familjes. Në nëntor të vitit të kaluar, pasi qeveria punësoi rreth 200 anëtarë të partive në pushtet, Bordi i Telekomit mori vendimin që të ndalojë punësimet. Ky vendim nuk u mor parasysh nga partitë në pushtet, por siç e dini, vazhdoi punësimi i anëtarëve të familjes së deputetëve, ministrave, dhe deri tek anëtarët e familjes së kryeministrit”, ka thënë Zogiani.

Zogiani ka potencuar se, punësimet e tilla shkaktojnë dëme të shumëfishta, madje edhe vazhdojnë t’i ngarkojnë kompanitë me shpenzime që nuk janë investime që përmirësojnë gjendjen atje.

“Duke qenë se janë punësime politike, ato u pamundësojnë kompanive publike që të angazhojnë ekspertë, sepse punësimet politike nuk janë në pajtim me kërkesën për punësime me meritokraci. Cenojnë barazinë për qytetarin e Kosovës – një profesionistit i jepet sinjali se ekspertiza e tij nuk mjafton, por duhet t’i shërbejë një partie nëse dëshiron të bëjë karrierë. Sidomos në sektorin e telekomunikacionit, punësimi politik-nepotik pengon seriozisht zhvillimin sepse në fushën e teknologjisë, për të qenë konkurrent, kërkohet kompetencë dhe kreativitet. Kam dëgjuar që shumë nga krijuesit e opinionit publik, që jo rrallë kanë interesa të përbashkëta me pushtet, po provojnë të arsyetojnë me disa argumente këto punësime. Nuk mund të jep përgjegjësi prindi për fëmiun, thonë ata, pasi problemi jo domosdoshmërisht qëndron në faktin se këta janë familjarë të njerëzve të pushtetit, por sepse atyre nuk ua ka parë kush CV-në, pra nuk kanë kompetencë”, ka thënë Zogiani, duke shtuar se kushdo që do ta kishte pushtetin, do të bënte të njëjtën gjë, thonë ata, madje bëjnë hulumtim të opinionit për këtë.

Ai konsideron se, kjo është qasja që më së shumti i ka shkaktuar problem zhvillimit të sektorit publik.

“Pikërisht fakti se secili mund të punësojë familjarin e vet, ka shkatërruar sundimin e ligjit, kriterin dhe praktikën e mirë në qeverisjen e korporatave publike. Vetëm pse dikush është familjar i dikujt në pushtet, nuk do të thotë se nuk mund të punësohet. Problemi nuk qëndron domosdoshmërish tek fakti se të punësuarit në sektorin publik përgjithësisht dhe në kompani e agjencione publike posaçërisht janë familjarë të dikujt në pushtet. Problemi më i madh në këtë mes është se këto punësime dominohen nga njerëz në pushtet, gjë që ka shkaktuar një ç ‘rregullim të funksionimit të sektorit publik, ka shkelur praktikat e qeverisjes së mirë të korporatave, duke cenuar rënd mundësinë për zhvillim të saj. Ky fenomen nuk është i ri, por ka filluar sidomos pas vitit 2008, dhe kur shihet performanca e kompanive publike, e sidomos Telekomit, vihet re se janë pikërisht këto lloj të punësimeve që kanë dëmtuar rënd përformancën e tyre si biznese dhe i ka sjellë ato në prag të falimentimit”, ka thënë Zogiani.

Blakaj: Gjyqësia e lidhur ngushtë me politikën, heshtë mbi këto shkelje

Image
Sami Blakaj

Kurse, njohësi i çështjeve për integrime evropiane, Sami Blakaj, ka thënë se deklarata e ambasadorit O’Conell ishte e qartë dhe si e tillë përçon mesazhin se punësimet politike po e shkatërrojnë Kosovën.

Sipas tij, kjo deklaratë e ambasadorit O’Conell në fakt tregon realitetin e hidhur në Kosovë, ku sot për një vend pune më shumë të kryen punë anëtarësia politike sesa grada akademike.

“Kjo situatë e krijuar e ka sjellë Kosovën në një vend të pa perspektivë dhe të pashpresë për të rinjtë e Kosovës, të cilët ndonëse të profilizuar në fusha të ndryshme akademike, ata nuk arrijnë ta gjejnë vetën në Kosovë, por që detyrohen ta braktisin vendin e tyre për t'ia mësyrë dyerve të Evropës. Për këtë gjendje të mjerueshme dhe për këtë "strategji" punësimi, mendoj se duhet mbajtur përgjegjës dy llojet e pushteteve në Kosovë; pushtetin politik që shkelë mbi parimin e barazisë dhe meritokracisë si dhe pushtetin e hetuesisë dhe gjyqësisë që është i lidhur ngushtë me politikën dhe kësisoj hesht mbi këto shkelje”, ka thënë Blakaj.

Nga mafia pronto në mafian Gllogjani

Image
Nexhat Haziri

Në anën tjetër, opionisti Nexhat Haziri, ka thënë për “ Bota sot” , se këto janë kritika me vend nga ana e Ambasadorit të Britanisë së Madhe Ruairi O’Conell, por pa efekt.

Sipas tij, deri sa nuk ka një vetëdijesim dhe mobilizim qytetar për ta kundërshtuar koalicionin PAN në keqqeverisje dhe në uzurpimin total të institucioneve të shtetit me anë të punësimit të militantëve partiak.

“Pra pas asaj që për vite të tëra kishim kapjen e shtetit nga mafia "PRONTO'', tani kemi në masë të njëjtë nga mafia "Gllogjani", dhe tani jemi thuajse para një akti të kryer ku vendi po shndërrohet në një pronë private e njerëzve të fuqishëm të lidhur edhe me botën e krimit e që fatkeqësisht janë në pozitat më të lartë udhëheqëse të shtetit. Pra nëse nuk kemi një reagim të fortë qytetar, mafia politike që po udhëheq aktualisht me vendin, do të vazhdoj kapjen e shtetit përmes këtyre punësimeve dhe si rezultat i kësaj veprimtarie kriminale, do të kemi emigrime, ngecje në zhvillimin ekonomik e social, fundosjen e shtetit ligjor dhe demokracisë në vend, dhe imazhi i Kosovës në rrafshin ndërkombëtar do të bije në nivelin e një territori që sundohet nga banda mafioze dhe për shkak të këtij imazhi negativ edhe mund të na mbyllen dyert për anëtarësim dhe integrim në strukturat euro-atlantike”, ka thënë Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat