Një vit nga mashtrimi i madh i Haradinajt me demarkacionin

Politika

Një vit nga mashtrimi i madh i Haradinajt me demarkacionin

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 22 mars 2019 Në ora: 16:21
Ramush Haradinaj

Një vit pas miratimit të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, deputetet e Vetëvendosjes kanë kritikuar qeverinë për mos korrigjimin e saj.

Në anën tjetër, ministri i jashtëm i Malit të Zi, gjatë vizitës në Kosovë e ka konsideruar si të kryer çështjen e demarkacionit.

Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se kundërshtimi për ta miratuar demarkacionin me Malin e Zi, ka qenë dhe mbetet gafa më e madhe dhe më e panevojshme politike e Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Sipas tyre, shumë nga deputetet kundërshtues të kësaj marrëveshje kanë pasur informacion për delimitimin që në fazat e hershme të bisedimeve pa u arritur marrëveshja e cila u nënshkrua duke e shtruar tepihun e kuq.

Reagimi i Shpejtim Bulliqit

Kryetari i Komisionit për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, dhe ish deputeti i LDK-së Shpejtim Bulliqi, ka thënë se ”Demarkacionit” me Malin e Zi, ka grumbulluar energji që të akuzojë shumë personalitete që ishin kundër kësaj marrëveshje për vijën kufitare me Malin e Zi..

“Fillimisht dua t'ia përsëris edhe njëherë se Isa Mustafa dhe unë personalisht kam qenë dhe ende jam kundër ratifikimit të asaj marrëveshje të dëmshme për integritetin territorial të vendit. Ndërsa, me këtë nuk dua ta fajësoj, e as akuzoj asnjë deputet që ju së bashku me partnerin tuaj i detyruat ta votojnë të njëjtën marrëveshje. Më këto veprime me vetëdije cenuan një pjesë integrale të territorit të shtetit duke i vendosur deputetet dhe Kosovën para aktit të kryer vetëm e vetëm që ta ruani interesin tuaj për dallim nga ne, që i vumë anësh të gjitha interesat personale, në të mirë të shtetit dhe integritetit të tij. Ndërsa, sa i përket pyetjes se ku mbetën territoret në fjalë unë kam këtë përgjigje: ”Çakorri dhe Kulla e Zhlebit janë aty ku kanë qenë gjithë, por më një pronar të ri, shtetin Malazez”, ka thënë Bulliqi.

Sipas tij, tani kur të gjitha këto dëme iu bën Kosovës nga reliktet e sistemit të vjetër, madje edhe më veprimtari të dyshimta personale, disa mundohen ta pastronjnë emrin nga dëmi i madh që i bënë vendit dhe ta hedhin gurin diku tjetër.

“Të mos harrojmë se populli i di të gjitha, dhe askush nuk mund ti mbulojë gjurmët. Në pozitën që jam, i angazhuar se bashku me bashkëpunëtorë po punojmë pa reshtur për nevoja të Qeverisë së vendit që me argumente faktografike të tregojmë dhe mbrojmë vijën kufitare të Kosovës me vendet fqinje, aktualisht edhe atë me Serbinë. Ju siguroj se për hatër të askujt nuk bëj veprime/lëshime në dëm të integritetit të vendit, as dje, as sot dhe as nesër, besa as nuk ju nënshtrohem asnjë presioni pa marr parasysh se vjen ai, sidomos të atyre që gjithmonë zgjidhjen e kontesteve e bëjnë në dëm të Kosovës”, ka thënë Bulliqi.

Millaku: Nuk u fal veç tokë, u bënë edhe shumë dëme të tjera

Image
Drita Millaku

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së Drita Millaku, ka thënë se, kjo qeveri është bërë për trajtim psikologjik.

“Të tillët nuk falën veç tokë, po ata ia falën edhe Bektel-it 53 milionë, arsyetimi: mos u merrni me këtë punë, po shikoni shkëmbimin e territorit dhe nuk u dënua Bektel-i për vonesa, arsyeja, mos u merrni me këtë punë, por shikoni shkëmbimin e territorit. Kompensohen qeveritarët për humbje jetë e për shërim nga 10,15 e 30 mije euro, përgjigjja mos u merrni me këtë punë, por shikoni shkëmbimin e territorit. Çdo dy ditë vriten punëtorët në vendin e punës, arsyetimi, mos u merrni me këtë punë, por shikoni shkëmbimin e territorit. Nga 2-3 vetë vdesin në ditë në komunikacion, mos u merrni me këtë punë, por shikoni shkëmbimin e territoreve. Vret e përdhunon polici, mos u merrni me këtë punë, por shikoni shkëmbimin e territoreve. Falimenton Trepçën e PTK-në, mos u merrni me këtë punë, por shikoni shkëmbimin e territoreve. Punësojnë vëllezërit, motrat, bashkëshortet, djemtë, vajzat, xhaxhallarët, kushërinjtë, tezet, dajat, nipat, mos u merrni me këtë punë, por shikoni shkëmbimin e territoreve. Kjo qeveri është bërë për trajtim psikologjik,
pasi një fjalë popullore thotë: "ujku do mjegull", ka thënë deputetja Drita Millaku.

Haziri: Mashtrimin më të madh e kanë bërë ata që gati e djegën Kosovën

Image
Ismet Haziri

Kurse, njohësi i çështjeve politike, Ismet Haziri, ka thënë se kundërshtimi për ta miratuar demarkacionin me Malin e Zi ka qenë dhe mbetet gafa më e madhe dhe më e panevojshme politike e Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Sipas tij, shumë nga deputetet kundërshtues të kësaj marrëveshje kanë pasur informacion për delimitimin që në fazat e hershme të bisedimeve pa u arritur marrëveshja e cila u nënshkrua duke e shtruar tepihun e kuq.

“Në rastin më të mirë gjeografët kanë mundur të merren me këtë problem në fazën e proceseve teknike, jo kur marrëveshja ka marr forma ndërkombëtare juridike. Pra qëllimi i partive ka qenë që këtë rast ta shndërrojnë në kauzë për konsum elektoral dhe popullsite. Në rastin më të keq ishte manipulim me emocione njerëzish për motive politik. Sot ky problem banal, përveç se na ka bërë që të dukemi si shtet i papërgjegjshëm në arenën ndërkombëtare (akoma pa u pranuar mirë), na e ka bllokuar edhe lëvizjen e lirë. Nuk ka pasur garanci të plotë se liberalizimi i vizave do të ndodh me miratimin e demarkacionit, por ka pasur garanci se ai nuk ka gjasa të ndodh pa këtë miratim. Me fjalë të tjera, atëherë kemi qenë ma afër liberalizimit se sa që jemi sot”, është shprehur Haziri.

Prandaj, sipas tij kemi mbetur pa liberalizim dhe pa territor, që ndryshe për ta përkthyer në gjuhën popullore, jemi mashtruar si ndaj vetës tonë dhe nga faktorët vendimmarrës për liberalizim.

“Por mashtrimin më të madh e kanë bërë ata që gati e djegën Kosovën duke vepruar kundër kësaj marrëveshje dhe prapë se prapë e pranuan me vetëm pak emali joshës politikë e diplomatikë”, ka thënë njohësi i çështjeve politike Haziri”, ka theksuar ai.

Reagimet e vonshme

Image
Rexhep Shahu

Kurse, analisti politik Rexhep Shahu, ka thënë se reagimet e tanishme janë të vona.

“Por këto nuk janë vendime që fshihen me shkumës në dërrasën e zezë, kështu zgjimi i tanishëm i deputetëve të VV-së është si zgjimi në jermi prej gjumit. Nuk ka vota me kusht askund në parlamente pasi votimi në parlament është çështje shume serioze. Pendesat e vona duhet të na bëhen mësime për të ardhmen e të sotmen pasi të shkuarën që e kemi shkruar me votat tona e kemi të vështirë ta rishkruajmë aq më tepër me këtë deputete shumica e të cilëve janë aksidentalisht në Kuvend, ka thënë analisti politik Rexhep Shahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat