Nostalgjikja e Millosheviçit dëbohet nga Qeveria e Kosovës

Politika

Nostalgjikja e Millosheviçit dëbohet nga Qeveria e Kosovës

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 26 mars 2019 Në ora: 08:10
Vesna Mikic

Kryeministri vendit Ramush Haradinaj ka liruar nga detyra zëvendësministren serbe në Ministrinë e Drejtësisë, Vesna Mikiç.

Kjo për shkak se Mikiç deklaroi se bombardimet e NATO-s ishin gjenocid ndaj shtetit dhe popullit serb.

Këto deklarata, Haradinaj i ka cilësuar të papranueshme dhe përkojnë me gjuhën e urrejtjes, që sanksionohen me Kushtetutë dhe ligj.

Njohësit e çështjeve politike në vend vlerësojnë se deklarata e zëvendësministres serbe Vesna Mikiç ishin edhe deklarata kundër Kosovës, pasi ajo i quajti bombardimet e NATO-s ''fashiste".

Sipas tyre, është e çuditshme fakti se si ka mundësi që një nostalgjike e Millosheviçit, të jetë zëvendësministre në Kosovë dhe të paguhet më paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Isufi: Duke mbrojtur interesat e shtetit do të na respektojnë të tjerët

Image
Ahmet Isufi

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, Ahmet Isufi, ka thënë për “Bota sot” se Kosova rrezikon t`i prishë marrëdhëniet nëse lejon që brenda territorit të Kosovës, njerëzit të dëmtojnë interesat e shtetit e veçmas kur janë në krye të institucioneve.

Sipas tij, ashtu siç ekzistojnë privilegjet për udhëheqësit institucionalë, ashtu ekzistojnë edhe përgjegjësitë të cilave duhet tu përmbahen.

“Duhet ta kuptojnë të gjithë se shteti duhet të funksionojë në bazë të Kushtetutës, ligjeve dhe rregullave të cilat janë krijuar në shoqërinë tonë. Duke mbrojtur interesat e shtetit dhe dinjitetin e këtij vendi aq më shumë do të na respektojnë të tjerët”, ka thënë deputeti Isufi.

Millkau: Me bekimin e PAN-it këta njerëz janë në qeveri

Image
Drita Millaku

Ndërsa, deputetja e VV-së Drita Millaku, ka thënë se jo vetëm Vesna Mikiq, por mendime si të kësaj kanë e gjithë lista serbe.

“Bashkësia Ndërkombëtare e njeh politiken e listës serbe, dhe shpresoj se me nuk do të përkrahet kjo listë. E keqja e kësaj është se pikërisht me bekimin e PAN-it këta njerëz janë në qeveri dhe përfaqësojnë institucionet e Kosovës”, ka thënë deputetja Millaku.

Makolli: Largimi nuk do të ndikojë në raportet tona me aleatet ndërkombëtar

Image
Vesel Makolli

Kurse, sekretari i Përgjithshëm i AKR-së, Vesel Makolli, ka thënë se para 20 viteve, bota perëndimore dhe i gjithë njerëzimi demokratik i botës e ndaloi një gjenocid me karakteristika shfarosëse që kishte synim të ndodhte në Kosovë, në qendër të civilizimit botëror pra në Evropë.

Sipas tij, intervenimin shpëtimtar për popullin e vuajtur shqiptar të Kosovës e kryen SHBA-ja, NATO-ja dhe aleatët duke u përkrahur nga tërë bota demokratike dhe liridashëse.

“Edhe kjo ka ardhur në të njëjtën metodë vetëm se në formë më të maskuar, dhe e përdor edhe nga bashkëpunëtori i Milloshoviçi, Aleksandar Vuçiq dhe fal këtyre manipulimeve të tij me popullatën serbe të Kosovës, ai edhe po qëndron në pushtet. E gjithë këtë histori e dinë ndërkombëtaret, andaj largimi i zëvendësministres serbe nga qeveria e Kosovës, nuk do të ndikojë në raportet tona me aleatet ndërkombëtar”, ka thënë Makolli.

Ai konsideron se veprimi i Haradinaj është i drejt, i menjëhershëm dhe shumë i qëlluar, andaj vetëm duhet të lavdërohet dhe të përshëndetet.

“Duhet të dëshirojmë që në të ardhmen të kemi reagime të tilla për situatat e ngjashme si kjo dhe njëherë e përgjithmonë ti stopojmë këto deklarime që bien ndesh edhe me kushtetutën e Kosovës. Po ashtu, duhet të veprojmë dhe punojmë duke e respektuar kushtetutën, normat ligjore, dhe shtetin e Kosovës nga të gjithë qytetare e saj pa dallim kombi, race dhe feje”, ka shtuar Sekretari i Përgjithshëm i AKR-së Vesel Makolli.

Krasniqi: Pse të vijë puna që presioni publik dhe mediatik ta shtyjë Qeverinë për shkarkime

Image
Faik Krasniqi

Kurse, politologu Faik Krasniqi, ka thënë se vendim shumë i drejtë i kryeministrit për shkarkimin e zëvendësministres së drejtësisë.

Sipas tij, njerëz të tillë nuk duhet madje as të vijnë në shprehje të marrin pozita të larta shtetërore.

“Nuk e kuptoj pse nuk i hulumtojnë kandidatet para se t'i emërojnë në poste të rëndësishme. Pse të vijë puna që presioni publik dhe mediatik ta shtyjë Qeverinë për shkarkime. Kemi rastin e ish ministrit Rikallo, që u shkarkua vetëm për shkak të kushtit të PSD-së për votimin e buxhetit. Kosova nuk i rrezikon aspak marrëdhëniet me miqtë ndërkombëtarë për shkak të shkarkimit të serbëve, qoftë atyre që kanë marrë pjesë në rrahjen ose krime ndaj shqiptareve, qoftë si rasti i Vesna Mikiq. Ata nuk do t'i quaja miq që do i prishnin marrëdhëniet me shqiptaret për serbë të tillë. Marrëdhëniet me Qeveritë do të duhej t'i prishnin për shkak të korrupsionit dhe ngecjeve të Kosovës në çdo aspekt”, ka thënë politologu Faik Krasniqi.

Duhanaj: Si ka mundësi që një nostalgjike e Millosheviçit, të jetë zëvendësministre në Kosovë?

Image
Leon Duhanaj

Ndërsa, analisti politik Leon Duhanaj, ka pohuar se deklarata të tilla siç ishte ajo e ish zëvendësministres Mikiç, përpos që janë të papranueshme politikisht dhe të pa moralshme njerëzisht, do të duhet të ishin edhe të dënueshme juridikisht.

“Si ka mundësi që një nostalgjike e Millosheviçit, të jetë zëvendësministre në Kosovë dhe të paguhet me paratë e taksapaguesve shqiptarë, viktima të gjenocidit serb mbi ta??!! Për këtë "zonjë" më e pakta çfarë duhet të bëhej ishte shkarkimi. Por, do duhej pasuar edhe aktakuza për përkrahje dhe mohim të gjenocidit ndaj shqiptarëve. Kosova duhet t'i luftoj pa kompromis të gjithë ata që e luftojnë shtetësinë e saj, pa marrë parasysh nga vijnë këta njerëz”, ka thënë Duhanaj.

Sipas tij, komuniteti ndërkombëtarë duhet ta mbështesë çdo iniciativë të qeverisë për ta mbrojtur kushtetutshmërinë e vendit.

“Tek e fundit, qeveria duhet ta shqyrtoj mundësinë që në vend të Listës serbe, të bashkëpunoj me serbët lokal, të cilët janë të interesuar të shikojnë drejt së ardhmes, e nuk dëshirojnë më të jetojnë me mentalitetin mesjetar të cilin ua ofron Serbia. Meqë Serbia nuk po rresht së bëri përpjekje për ta sabotuar e luftuar Kosovën, atëherë edhe qeveria e Kosovës, duhet t'ua kthej me të njëjtën medalje. Reciprocitet të plotë në të gjitha aspektet! Përkujdes të shkaktuar në raport me miqtë ndërkombëtarë”, ka thënë analist politik Leon Duhanaj.

Mehmeti: Besoj se e njëjta praktikë e shkarkimeve duhet të ndiqet me këdo që i cenon raportet me SHBA-në

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa, analisti politik Faton Mehmeti ka thënë se vendimi kryeministrit Haradinaj për të shkarkuar zonjën Mikiç është i drejtë, meqë ajo nuk kishte pse të mbante ende postin në qeveri, kur veç se ishte nuk është në linjë me programin e qeverisë.

Ai ka thënë se, për më keq deklarata e Mikiç ishte edhe kundër Kosovës, pasi ajo i quajti bombardimet e NATO-s ''fashiste".

“Besoj se e njëjta praktikë e shkarkimeve duhet të ndiqet me këdo që i cenon raportet me SHBA-në, dhe miqtë tanë fal të cilëve ne jemi sot këtu ku jemi. Fatkeqësisht kjo praktikë nuk është ndjekur edhe ndaj aleateve te qeverise, të cilët me veprimet e tyre korruptive kanë cenuar raportet me SHBA. Korrupsioni është ndjera ndër faktorët pse sot ende s’kemi viza, pse jemi të izoluar dhe faktikisht pse s’po trajtohemi si njerëz me të tjerët. Gjithsesi e them edhe prapë se është për tu përshëndetur vendimi i Haradinaj për shkarkim, por një praktikë e tillë të ndiqet edhe ndaj të tjerëve, pasi raporti me SHBA-në është esencial për mbijetesën tonë”, ka thënë analisti Faton Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat