Liberalizimi i vizave, Mazrreku: Problemi qëndron tek Bashkimi Evropian

Politika

Liberalizimi i vizave, Mazrreku: Problemi qëndron tek Bashkimi Evropian

Nga: G.B Më: 28 mars 2019 Në ora: 15:05
Avni Mazrreku

Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të jenë të izoluar, për shkak se Kosova ende nuk e ka marrë liberalizimin e vizave.

E për këtë çështje, kryeministri Ramush Haradinaj thotë se është vështirë tu besohet evropianëve, për shkak të deklaratave për liberalizim të vizave e që nuk ka ndodhur ende.

Lidhur me këtë, profesori Avni Mazrreku thotë se problemi qëndron tek BE, pasi vendimi merret nga Këshilli i Ministrave dhe pesë vende ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet dhe për këtë BE ka vendosur kritere të dyfishta për Kosovën.

“Problemi qëndron tek Bashkimi Evropian kryesisht pasi vendimi merret nga BE, përkatësisht nga Këshilli i Ministrave të BE-së, konfiguracioni i ministrave të brendshëm. Dihet mënyra se si merret vendimi për liberalizimin e vizave kur dihet fakti se pesë vende të BE-së nuk e kanë njohur Kosovën, aktivizimi i asaj që quhet minorancë bllokuese për Kosovën është shumë i mundshëm dhe normalisht vendimi mund të rezultojë negativ. Duke qenë të vetëdijshëm, BE për këtë fakt, ka vendosur dhe kritere të dyfishta për Kosovën sa i përket liberalizimit të vizave, vetëm sa i përket liberalizimit”, ka thënë ai.

Sipas Mazrrekut, problemi kryesor është tek mungesa e kapaciteteve vendimmarrëse të BE-së, duke qenë se BE nuk e njeh Kosovën si etnitet të pavarur.

“Prandaj, problemi qendror që kanë tek rasti apo mungesa e kapaciteteve vendimmarrëse të BE-së, sa i përket rastit të Kosovës, Kosova ende nuk është njohur si entitet i pavarur, si shtet i pavarur nga ana e Bashkimit Evropian dhe problemi është më shumë politik se sa teknokratik, siç do të duhej të ishte procesi i liberalizmit të vizave”, ka vlerësuar profesori.

Ndërsa, sa i përket institucioneve të Kosovës, ai vlerëson se ato nuk e kanë kuptuar se si funksionon mënyra e BE-së, andaj të gjitha kanë qenë të gabuara deri tash, pasi janë bazuar në premtimet e teknokratëve të BE-së, ndërsa që nuk kemi parë një politikë efektive lobuese që të sigurohen votat pro një vendimi pozitiv.

“Sa i përket institucioneve të Kosovës, Ministrisë së Integrimeve, Ministrisë së Jashtme dhe mekanizmave të tjerë institucional që kanë të bëjnë me politikën e jashtme të Kosovës, ato nuk e kanë kuptuar siç duket drejtë se si funksionon mënyra e BE-së. Prandaj të gjitha politikat dhe veprimet gjykuese të këtyre digastereve në Kosovë, kanë qenë të gabuara deri më tash, duke u bazuar në premtimet eventuale të teknokratëve të BE-së, kur dihet se teknokratët e BE-së, siç janë Mogherini, Hahn e të tjerë, ata nuk janë njerëz që marrin vendim për liberalizim të vizave, vendim marrin shtetet e BE-së dhe ne deri më tani nga Ministria e Jashtme nuk kemi parë një politikë efektive lobuese se si ato sigurohen që shtetet do të votojnë pro një vendimi pozitiv për Kosovën dhe kjo është çështja sa i përket liberalizimit të vizave për vendimin e tij”, ka vlerësuar Mazrreku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat