Perspektiva e dialogut Kosovë- Serbi, pa Mogherinin si ndërmjetësuese

Politika

Perspektiva e dialogut Kosovë- Serbi, pa Mogherinin si ndërmjetësuese

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 8 prill 2019 Në ora: 17:30
Hashim Thaçi, Aleksandër Vuçiq dhe Federica Mogherini

Shefja e diplomacisë evropiane Federica Mogherini, pati pasuar  këtë post nga  baronesha Catherine Ashton, pas zgjedhjeve të bashkimit Evropian në fund të vitit 2014.

Që nga viti 2015 ka filluar takimet me kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë.

Në atë kohë Kosova udhëhiqej nga Isa Mustafa, kurse Serbia si kryeministër kishte Aleksandër Vuçiq.

Por, që nga ajo kohë udhëheqësja e dialogut, Mogherini vazhdimisht është kritikuar nga pala e Kosovës për qëndrime të njëanshme.

Ndërsa, tani që po i vije fundi mandatit të saj si shefe e BE-së, në opinion ka dalë lajmi se diplomatja gjermane Helga Schmid është kandidate serioze për ta zëvendësuar Mogherinin.

Kjo është mirëpritur nga opinioni vendor, pasi që Gjermania është një nga vendet mike, prej së cilës Kosova ka marrë mbështetje vazhdimisht që nga lufta me Serbinë.

Daku: Mogherini nuk ka përfaqësuar vlerat që Bashkimi Evropian proklamon

Image
Selim Daku

Drejtori i Qendrës Kosovare për Diplomaci, Selim Daku, është shprehur për “Bota sot” se udhëheqësja e dialogut të Kosovës me Serbinë, Federica Mogherini është kritikuar për shkak të politikës së njëanshme.

“Kritikat që qytetarët dhe subjektet e ndryshme i kanë drejtuar përfaqësues së lartë për politikë të jashtme të BE-së nuk janë drejtuar asaj si individ, por për shkak të politikës së njëanshme të saj karshi pozicionit zyrtar që organizata që përfaqëson ka marrë në dialogun Kosovë – Serbi”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Ndërsa, i pyetur nga “Bota sot” nëse dialogu udhëhiqet nga diplomatja gjermane Helga Schmidt, e cila po thuhet se është kandidate serioze për ta zëvendësuar Mogherinin, Daku është përgjigjur duke thënë se kushdo që do të vije pas Mogherinit do të duhej të kishte një qasje serioze, një dinamikë tjetër dhe një version serioz e përmbajtjesor të dialogut.

“Sa i përket pyetjes tuaj, konsideroj se kushdo që do të vije pas Mogherinit do të duhej të kishte një qasje serioze, një dinamikë tjetër dhe një version serioz e përmbajtjesor të dialogut. Kjo nënkupton se dialogu do të duhej të zhvillohej në mes të palëve me ndërmjetësim dhe jo me anime. Bashkimi Evropian nuk do të jetë më si ka qenë, nuk do të ketë hapësira për politikanë si Mogherini që me punën e saj nuk ka përfaqësuar vlerat që Bashkimi Evropian proklamon”, ka shtuar Daku për “Bota sot”.

Shmidt, për Kosovën ka njohuri mbi 25 vjeçare

Sipas, Dakut, nëse Schmidt do të udhëheqtë dialogun do të ishte një përparësi pasi që e njeh Kosovën, e njeh historinë e Ballkanit.

“Hipotetikisht po të vinte në këtë pozicion Helga Schmidt për Kosovën do të ishte një përparësi pasi që mendoj se zonja Shcmidt e njeh Kosovën, e njeh historinë e Ballkanit. Ajo ka qenë këshilltare politike e dy ministrave të jashtëm të Gjermanisë Klaus Kinkel dhe Joschka Fisher, të cilët gjatë kohës sa kanë shërbyer kanë patur rol aktiv në zgjidhjen e problematikës së Kosovës. Kjo nënkupton se zonja Shmidt për Kosovën ka njohuri mbi 25 vjeçare dhe është e familjarizuar me zhvillimet në këtë pjesë të Evropës”, ka shpjeguar ai për “Bota sot”.

Daku ka theksuar se duhet të kihet parasysh fakti që politika e jashtme e BE-së nuk varet vetëm nga qëndrimet personale  të përfaqësuesit të lartë për politikë të jashtme.

“Duhet të kemi parasysh se politika e jashtme e BE-së nuk varet vetëm nga qëndrimet personale të përfaqësuesit të lartë për politikë të jashtme, por është shumë me rëndësi edhe qasja e shteteve anëtare në veçanti shteteve si Gjermania dhe Franca, të cilat kanë një peshë më të lartë politike brenda organizatës”, ka potencuar Daku për “Bota sot”.

Krasniqi: Mogherini pioniere e komunizmit

Image
Faik Krasniqi

Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike, Faik Krasniqi, në një prononcim për “Bota sot”, ka akuzuar Mogherinin se ka mbajtur anën Serbisë gjatë procesit te dialogut të zhvilluar deri më tani, po ashtu këto veprime i quan skandaloze.

“Gjatë bisedimeve të zhvilluara në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë, Federica Mogherini ka mbajtur anën e Serbisë. Veprimet e saj kanë qenë skandaloze. Për asnjë marrëveshje të nënshkruar dhe të mos zbatuar nga ana e Serbisë, nuk ka bërë asnjë presion ndaj saj, që marrëveshjet t'i zbatojë në praktikë”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Po ashtu, Krasniqi ka përmendur edhe presionin e zhvilluar ndaj Kosovës, si në rastin e demarkacionit me Malin e zi.

“Kurse për Kosovën në vazhdimësi ushtronte presion. Mjafton tërikujtojmë presionin që ushtronte për votimin e Demarkacionit me Malin e Zi. Madje patëthënë që votimi i Demarkacionit do te sjell direkt liberalizimin e vizave, si kushti i fundit i mbetur. Por, qytetaret e Kosovës vazhdojnë akoma të ngelin të izoluar. Se është në anën e Serbisë kjo pioniere e komunizmit, e dëshmon presioni për taksën e vendosur ndaj Serbisë. Një zëdhënëse e Serbisë nuk është produktive për vazhdimin e dialogut, dhe s'mund t'i zihet besë për njëmarrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë”, ka theksuar ai për “Bota sot”.

Krasniqi: Kosova do të zhbllokohet nga qershori

Sa i përket, lajmit se diplomatja gjermane Schmid mund të jetë shefja e diplomacisë së BE-së, e cila do ta merrte udhëheqjen edhe te dialogut të Kosovës me Serbinë, Krasniqi është shprehur se nën udhëheqjen e Gjermanisë epilogu final i marrëveshjes me Serbin mund të jetë shumë mirë për Kosovën.

“Është lajm i mirë për Kosovën që një gjermane do të jetë në krye të dialogut Kosove-Serbi. Gjermanet gjithmonë kanë qenë parimor, dhe nën udhëheqjen e një gjermane epilogu final do të jetë shumë i mirë për Kosovën. Është gjë e mirë që pas përfundimit të zgjedhjeve në BE, zëdhënësit e Serbisë si Mogherini, Hahn dhe Juncker s'do jenë me pjesë e udhëheqjes së BE-së, njerëz që kanë bllokuar Kosovën në çdo aspekt. Që nga qershori i këtij viti Kosova do të zhbllokohet edhe sa i përket liberalizimit të vizave, por edhe dialogu do vazhdojë me udhëheqës të tjerë brenda BE-së!”, është shprehur Krasniqi për “Bota sot”

Burjani: Në BE nuk ka politikë individuale

Image
Blerim Burjani

Kurse, njohësi i çështjeve politike dhe juridike, Blerim Burjani, rreth kësaj teme është shprehur më i rezervuar, pasi që siç është shprehur ai, duhet të priten rezultatet e zgjedhjeve në BE.

“Kjo është çështje e së ardhmes, duhet pritur përfundimet e zgjedhjeve në BE, të shohim se kush do të fitojë dhe si do të ndodhi ndryshimi, ende është herët kjo çështje, të gjithë e dinë se institucionet e BE janë konsensuale”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Ai ka shpjeguar se politika e jashtme e BE-së udhëhiqet me konsensus dhe se politika e saj varet prej marrëveshjeve ndërmjet shteteve anëtare.

“ Pra, politika e jashtme udhëhiqet me konsensus, duhet të ketë marrëveshje paraprake me shtetet anëtarë, qëndrimi ndividual nuk do të thotë se është qëndrim i BE-së, pra kjo çështje do të varet nga marrëveshjet që bëhen në BE, në politiken e jashtme. Më së lehti është si thuhet këtu tek ne kush e merr postin atje në BE nga shtetet anëtare bënë politike tëjashtme të veten kjo është gabimpolitika e jashtme bëhet si të gjitha temat me konsensus nëse nuk ka ndryshim të qëndrimit. Gjermania është promotor i BE-së, por kreatore të politikes në BE janë shtetet e BE si tërësi, pra nuk ka politikë individuale të udhëhiqet, siç mendojnë partitë politike në Kosovë”, ka përfunduar Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat