Haradinaj “gozhdohet” nga e vërteta e ambasadorit zviceran për veteranët e rrejshëm - Bota Sot
Haradinaj “gozhdohet” nga e vërteta e ambasadorit zviceran për veteranët e rrejshëm

Politika

Haradinaj “gozhdohet” nga e vërteta e ambasadorit zviceran për veteranët e rrejshëm

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 19 prill 2019 Në ora: 08:04
Haradinaj Jean Humber Lebet dhe listat e veteraneve te rrejshem

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, prapë është ballafaquar me ambasadorin zviceran në Kosovë, Jean Humber Lebet, pasi ky i fundit i përmendi përsëri veteranët e rrejshëm në një takim të organizuar nga qeveria, shkruan sot gazeta “Bota sot”.

Ky takim ishte me donatorë të ndryshëm, të cilët mblidhen çdo vit për të shikuar projektet vendore. Të pranishëm në këtë takim ka pasur edhe ambasadorë të tjerë të vendeve të BE-së në Kosovë.

“Ne si Zvicër e dimë dhe falënderojmë veteranët për sakrificë në bazë të cilëve Kosova është e lirë, por pse edhe ata që nuk janë veteranë të marrim para?”, ka thënë Lebet në takim.

Pas kësaj deklarate, Haradinaj ka lëshuar takimin, me arsyetimin se duhet të jetë prezentë në seancën e Kuvendit, ndonëse shpeshherë jemi dëshmitarë që kryeministri Haradinaj ka bojkotuar seancat e Kuvendit për arsye nga më të thjeshtat.

Rugova: Kryeministrit Haradinaj po i dhemb e vërteta

Image
Naser Rugova

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Naser Rugova, për “Bota sot” ka thënë se kryeministrit Haradinaj po i dhemb e vërteta që e tha ambasadori zviceran për veteranët e rrejshëm.

Ai e vlerëson si papjekuri politike largimin nga mbledhja të kryeministrit Haradinaj.

“Ambasadori zviceran e ka thënë një të vërtetë që opinioni i gjerë e di se janë bërë manipulime dhe falsifikime me emra të veteraneve, tani edhe prokuroria po merret me këtë çështje, kjo nuk i pëlqen kryeministrit sepse e vërteta dhembë. Të lëshohet mbledhja me donatorët e këtij niveli përfaqësues është më tepër se papjekuri politike”, ka vlerësuar deputeti Rugova.

Veteranët e rrejshëm janë vota me pagesë

Image
Faton Abdullahu

Njohësi i çështjeve politike, dikur ish këshilltar i ish kryeministrit Mustafa, Faton Abdullahu, ka thënë për “Bota sot” se kjo mungesë e vullnetit për t’u ballafaquar me këtë çështje tregon më së miri dhe jo vetëm tërthorazi, arsyen pse janë aq shumë veteranë të rrejshëm.

Ai mendon se këta veteranë të rrejshëm janë vota me pagesë dhe se paraja publike po manipulohet nga qeveria.

“Mungesa e vullnetit për tu ballafaquar me këtë çështje tregon më së miri dhe jo vetëm tërthorazi, arsyen pse janë aq shumë veteran të rrejshëm. Thjeshtë veteranët e rrejshëm janë vota me pagesë. Nuk është punë gabimi, bile as mashtrimi. Po të ishte kështu nuk do të mund të kishim numër kaq të madh të veteranëve të rrejshëm dhe ky problem nuk do të ishte aq gjatë i pazgjidhshëm. Nëse grupe të caktuara njerëzish kanë vendosur me vetëdije të plotë të ndajnë mjete për njerëzit që nuk kanë qenë aktiv në luftë, kjo tregon se me paranë publike këto grupe të interesit, klane partiake dhe matrapaz, kanë ble vota, kanë paguar vartësinë politike dhe atë jo për një palë zgjedhje, por për të gjitha zgjedhjet e ardhshme”, ka thënë ai.

Abdullahu: Deklaratat e ambasadorëve nuk kanë po i përfill koalicioni aktual

Tutje, Abdullahu mendon se deklaratat e ambasadorin zviceran dhe të tjerëve, janë të kota pasi ky realitet nuk do të ndryshojë derisa ta kemi në qeverisje këtë koalicion aktual.

“Kjo është arsye pse nuk ka pas vullnet që ky realitet ofendues të zgjidhet shpejt dhe mirë dhe të del nga agjenda qeverisëse e këtij koalicioni. Kot flet ambasadori zviceran, mund të flasin edhe shumë të tjerë, ky realitet ofendues nuk ndryshon deri sa kemi këtë mendësi te ky koalicion dhe te kjo qeverisje”, thotë tutje për “Bota sot”, Faton Abdullahu.

Deklaratat mund të merren serioze nga politikanët tanë nëse u rrezikohet karriga

Image
Faik Krasniqi

Ndërsa analisti politik, Faik Krasniqi, thotë se politikanët e Kosovës nuk i marrin seriozisht këto deklarata, derisa ato të jenë kërcënuese për pozitën politike të tyre.

“Politikanët tanë nuk e vrasin mendjen se çfarë u thonë të tjerët. Këta frikësohen vetëm kur ata e kanë seriozisht. Nëse u rrezikohet karriera dhe pasuria e tyre që e kanë krijuar me paratë e popullit. Sikur të kishin frikë nuk do të guxonin të vidhnin shtetin dhe paratë e qytetarëve për dy dekada rresht. Por as t'i bënin mbi 60 mijë veteranë, kryesisht të rrejshëm”, potencon Krasniqi për “Bota sot”.

Kujtojmë se ministri i Haradinajt, Pal Lekaj, publikisht tha se do ta dëbonte ambasadorin zviceran po të kishte mundësi, pas deklaratave të tij për veteranët e rrejshëm herën e parë.

Ndryshe, muaj më parë, Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë ndaj ish-krerëve të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranëve, Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj e Xhavit Jashari, për “Keqpërdorim të pozitës ose autoritetit zyrtar, që ndërlidhen me fryrjen e listave të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...