“Veprimet e Thaçit duhet të shikohen me llupë”

Politika

“Veprimet e Thaçit duhet të shikohen me llupë”

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 9 maj 2019 Në ora: 21:38
Hashim Thaçi

Përfundimisht ideja e Thaçit dhe “argatëve” të tij për ndryshimin apo korrigjimit të kufirit me Serbinë, nuk do të realizohet. Ky po konsiderohet dështim i Thaçit si president, i cili dha një ide të tillë për ndarje të Kosovës, për të fituar amnistinë nga Serbia, për dosjet që i kanë kundër tij.

Përfaqësues opozitarë dhe analistë politikë thonë se, Hashim Thaçi mund ta ketë fituar amnistinë e Serbisë për dosjet kundër tij, por ka humbur përkrahjen e popullit shqiptar.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së, Drita Millaku, ka thënë për “Bota sot” se Hashim Thaçi ka devijuar kaherë me veprimet e tij dhe ai është nisur në një rrugë e cila është anti-kombëtare.

Image
Drita Millaku

Sipas saj, veprimet e fundit me përpjekje për të ndarë Kosovën e deshifruan tërësisht dhe tashmë jo vetëm tek faktori ndërkombëtar mik, por edhe tek populli i Kosovës është i urryer dhe i padëshirueshëm.

“Hashim Thaçi tashme e ka fituar amnistinë e Serbisë për dosjet kundër tij, por e ka humbur përkrahjen e popullit shqiptar. Ky njeri vazhdimisht do të tentojë që të realizojë idetë e veta, madje këtë do të tentojë edhe në Samitin e Parisit. Me këtë person duhet të kemi kujdestari të vazhdueshme dhe veprimet e tij duhet të shikohen me llupë. Megjithatë si duket në Samitin e Berlinit ia kanë ngrehur veshët Hashimit”, ka thënë Millaku.

Salihaj: Thaçi është bërë argat i Serbisë, për ta shpëtuar lëkurën e tij nga Gjykata Speciale

Image
Adem Salihaj

Kurse, ish-deputeti i LDK-së Adem Salihaj ka thënë se “Thaçi është bërë argat i Serbisë, vetëm sa për ta shpëtuar lëkurën e tij nga Gjykata Speciale”.

Sipas tij, plani Ruso-Serb për copëtimin e Kosovës dhe krijimin e Serbisë së Madhe, u fundos në Samitin e Berlinit.

“Me gjithë faktin se Thaçi shkoi shumë nervoz në këtë Samit dhe se u mundua ta injoronte se gjoja këtu nuk mund të vendosej asgjë pa Amerikën, ai u kthye shumë i dëshpëruar për shkak të dështimit të planit Ruso-Serb, bartës pothuajse kryesor i të cilit ishte vetë Thaçi. Ne të gjithë e dimë se Amerika është partneri ynë kryesor dhe faktor kyç për Kosovën. Megjithatë qëllimi i Thaçit nuk ishte që ta mbronte partneritetin me Amerikën, por ishte që ta injoronte këtë Samit, që po groposte shpresat e tij për copëtimin e Kosovës. Gjatë mbajtjes së këtij Samiti, dy presidentë Thaçi dhe Vuçiqi ishin shumë nervozë dhe u kthyen të dëshpëruar. Kjo për shkak se ëndrra e tyre për copëtimin e Kosovës dhe krijimin e Serbisë së Madhe po merr fund”, ka thënë ish-deputeti i LDK-së Adem Salihaj.

Blakaj: Samiti i Berlinit kishte një rëndësi të veçantë

Image
Sami Blakaj

Ndërsa njohësi i Integrimeve Evropiane, Sami Blakaj, ka thënë se Samiti i Berlinit kishte një rëndësi të veçantë për faktin se dy aktorët kryesorë të politikës së Bashkimit Evropian, kancelarja Merkel dhe presidenti Macron kishin në fokus çështjen e Kosovës dhe dialogun e saj me Serbinë.

Sipas tij, rëndësia e këtij samiti karakterizohet me qëndrimin konsistent dhe të palëkundur të kancelares Merkel, se procesi i dialogut me Serbinë duhet të avancojë tutje dhe se assesi nuk guxon të kthehet në një proces pazaresh me territore.

“Për më tepër Gjermania vazhdon të mbrojë idenë se lëvizja me territore do të ishte një lojë e dëmshme jo vetëm për Kosovën dhe Ballkanin, por do ta rrezikonte edhe paqen në Evropë. Mendoj se ky qëndrim i qartë i Berlinit zyrtar është një goditje e radhës për presidentin Thaçi dhe për të gjithë të tjerët që në një formë apo tjetrën përkrahin idenë për shkëmbim territoresh. Madje një ide e tillë konsideroj se tashmë ka humbur aktualitetin dhe së këndejmi është ri konfirmuar se kufijtë e Ballkanit Perëndimor janë të paprekshëm”, është shprehur njohësi i Integrimeve Evropiane, Sami Blakaj.

Haziri: Thaçi ka mbetur i vetmuar dhe i izoluar nga partnerët evropian për idenë e tij anti-Kosovë

Image
Nexhat Haziri

Opinionisti Nexhat Haziri, ka thënë se paraqitja frustruese e Hashim Thaçit para mediave pas mbylljes së punimeve të Samitit të Berlinit, tregoi qartë se ideja e tij për korrigjim kufijsh në mes Kosovës dhe Serbisë, që do të thotë ndarja e Kosovës në vija etnike, përfundimisht në Samitin e Berlinit iu dha goditja përfundimtare.

“Tashmë për këtë e ka të qartë edhe presidenti Thaçi, por edhe homolugu i tij, presidenti serb Vuçiq, dhe tani kur Thaçi ka mbetur i vetmuar dhe i izoluar nga partnerët tanë evropian për idenë e tij anti-Kosovë, ai në një farë mënyrë po kërkon shpëtimin e vet duke u fshehur pas Amerikës, e që besoj se edhe aleati i ynë strategjik, SHBA-ja, do mbështes diskursin gjerman për mos ndryshimin e kufijve në Ballkan, në veçanti kufijve të Kosovës si rezultat i marrëveshjes eventuale Kosovë-Serbi. E gjithë kjo ngutje e presidentit Thaçi për të arritur çfarëdo marrëveshje me Serbinë, ka qenë si rezultat i presionit që ai e ka parë nga Gjykata Speciale nga e cila edhe pritet të merret si i dyshuar për krime”, ka thënë opinionisti Haziri.

Krasniqi: As ndarja e Kosovës nuk mund ta shpëtojë Thaçin

Image
Faik Krasniqi

Kurse politologu Faik Krasniqi, ka pohuar, se tashmë dihet qëndrimi i Gjermanisë rreth kufijve, pasi Samiti i Berlinit veç ri konfirmoi qëndrimin e Gjermanisë dhe shtetet tjera duken si (Sancho-Panco) kjo për faktin se nuk do të lejojnë lëvizjen e kufijve.

“Me këtë u varros ideja e Thaçit, Vuçiqit, Ramës dhe Baton Haxhiut, për ‘aksham pazare’ me territor të Kosovës. Por, asgjë e re se çfarë do të ndodh me dialogun Kosove-Serbi. Paqartësi ka edhe rreth liberalizimit të vizave, andaj nuk do ta quaja shtet një Kosovë të tillë, sepse më këto paqartësi dhe tranzicion që nuk po mbaron kurrë do të thotë se akoma duhet t'i durojmë këta cuba. Serbia ka dosje për mijëra shqiptar dhe nëse Gjykata Speciale vepron me dosje të Serbisë, atëherë jo vetëm Hashim Thaçi, por të gjithë janë të rrezikuar”, ka thënë politologu Krasniqi.

Ai nuk beson që Gjykata Speciale do të veprojë me dosje të përpiluara në Serbi, por ka shtuar se nëse veç kjo Gjykatë vendos që të ngrit aktakuzë ndaj presidentit Thaçi, atëherë as ndarja e Kosovës nuk mund ta shpëtojë.

“Ajo që është për tu brengosur është paqartësia e BE-së rreth Kosovës, sepse këto paqartësi shkojnë në llogari të qytetarëve, dhe jo bandave politike, të cilat mjerisht po na udhëheqin që dy dekada. Paqartësi rreth liberalizimit të vizave, dialogu Kosovë-Serbi në qorrsokak. Nuk mund të flasim për një shtet, por për një banana Republikë”, ka thënë politologu Faik Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat