Dukuria e rrezikshme e fajdeve - Bota Sot
Dukuria e rrezikshme e fajdeve

Politika

Dukuria e rrezikshme e fajdeve

Më: 25 maj 2019 Në ora: 14:45
Foto ilustruese

Dukuria e huazimit të parave në mënyrë ilegale apo si njihen me termin “fajde”, mbetet mjaft shqetësuese në Kosovë. Kjo dukuri theksohet se po sjell pasoja të mëdha për shoqërinë në përgjithësi.

Gjatë kësaj jave, Policia e Kosovës ka realizuar një operacion të gjerë policor, i cili ka përfshirë rajonin e Prishtinës, Pejës dhe Gjakovës. Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve policore janë arrestuar pesë persona, përderisa dy mbeten në kërkim policor.

Vlera e përgjithshme e përfituar nga të dyshuarit në mënyrë të paligjshme vlerësohet të jetë më shumë se 2.5 milionë euro, ndërsa dëmi i përgjithshëm i shkaktuar dyshohet se është mbi 6 milionë.

Ndërkohë, në disa video-incizime, të publikuara këtë javë në mediat lokale në Kosovë–vërtetësinë e të cilave Radio Evropa e Lirë nuk e ka konfirmuar – shihen disa persona të dyshuar për vepra kriminale duke marrë para dhe duke u thirrur edhe në emrin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Ngjarja thuhet se ka ndodhur në vitet 2012 – 2013.

Pas përfoljes së emrit të tij, ka reaguar edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili ka njoftuar se ka deponuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, për shkak të, siç thotë “keqpërdorimit të emrit tim nga një grup kriminal”.

“Do t’i shkojë deri në fund qartësimit të këtij rasti dhe sjelljes para përgjegjësisë penale të atyre që e kanë bërë krimin dhe atyre që e kanë fshehur krimin për gjashtë vjet”, ka thënë Veseli.

Në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë, Policia e Kosovës konfirmon se Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit gjatë periudhës janar – maj ka arrestuar tetë persona për kryerjen e veprës penale fajde.

Derisa, sipas Policisë së Kosovës gjatë vitit të kaluar nën dyshimin për kryerjen e kësaj vepre penale ishin arrestuar 14 persona.

“Mbi bazën e dyshimeve të arsyeshme (burimet e informacioneve të hapura/mbyllura), Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, është duke operuar me të gjitha kapacitetet e saja që ka në dispozicion, në kuadër të Planit Operativ ‘Fajde-ja’, për luftimin e veprës penale”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Për të luftuar këto dukuri, ekspertë të çështjeve ekonomike dhe të sigurisë thonë se organet kompetente duhet të jenë më efikase.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se grupet e tilla kriminale kanë ekzistuar në Kosovë me vite, e të cilat, si pasojë e mos-hetimit efikas të sistemit të drejtësisë, atyre ju është dhënë mundësia që të forcohen.

Edhe tani pas aksionit të fundit të Policisë së Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë, Gashi, thotë se këta mekanizma po hetojnë grupe të vogla dhe jo grupe të caktuara dhe të mëdha, që janë pothuajse në të gjitha rajonet e vendit.

“Fatkeqësisht Policia dhe Prokuroria e Kosovës po e sheh këtë fenomen tek 20 vjet pasi që ka ndodhur. Qytetarët e dinë që ekzistojnë fajdexhinjtë, ndërsa vetëm Policia dhe Prokuroria tek pas 20 vjetësh i ka ra ndërmend se ekziston ky fenomen jashtëzakonisht i rrezikshëm për shoqërinë”, thotë Gashi.

Sipas tij, pasojat e kësaj dukurie janë jashtëzakonisht negative për arsye se shkatërrohen familje të tëra nga grupe të caktuara kriminale.

“Kemi dy dëme e para shkatërrohen familjet, qytetarët dhe biznese, ndërsa në anën tjetër forcohen grupet kriminale dhe të gjitha këto kanë ndodhur para syve të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë. Është mirë që Prokuroria më në fund po i ndjek këto grupe kriminale”, thotë Gashi.

Pamundësia për disa presona që të marrin kredi në banka komerciale, shton Gashi, në një formë ka mundur të shtyjë qytetarët që të marrin para me fajde nga këto grupe, por siç thotë ai, në raste të shumta, këto grupe kriminale i shfrytëzojnë personat dhe i fusin nëpër borxhe dhe pastaj i shantazhojnë.

“Është e pamundur të marrësh kredi nëpër banka komerciale pa pasura hipotekë apo gjëra tjera dhe bankat komerciale nuk japin para të gatshme në shuma të mëdha, siç japin fajdexhinjtë, pa pasur një arsyeshmëri apo projekt për shpenzimin e atyre mjeteve p.sh për blerje të patundshmërive, ndërtesave”, thotë Gashi.

Në anën tjetër, Avni Islami, ekspert i çështjeve të sigurisë, thotë për Radion Evropa e Lirë, se dukuria e fajdeve në Kosovë cenon sigurinë e vendit dhe rrezikon qytetarët. Ai shton se fajdet në Kosovë jo rrallë herë janë bërë shkas i nxitjes së konflikteve mes individëve të ndryshëm.

“Fenomeni i fajdeve në Kosovë ka qenë i shprehur edhe para luftës së fundit në Kosovë, por që ka vazhduar edhe pas përfundimit të luftës edhe pas funksionalzimit të sistemit të bankave në Kosovë. Si e tillë, kjo dukuri ka rrezikuar sigurinë e vendit, pasi që për shkak të fajdeve shumë herë kanë ndodhur vrasje”.

“Dukuria e fajdeve ka paraqitur dhe parqet rrezik permanent për sigurinë e qytetarëve dhe kësisoj organet e sigurisë kanë ndërmarrë veprime kundër fajdexhinjve, por jo të gjithë personat e përfshirë në këto vepra penale kanë përfunduar në pranga. Një pjesë e tyre unë dyshoj kanë qenë dhe mbesin të lidhur me njerëz me ndikim në vend dhe kësisoj këto raste nuk janë zbuluar edhe pse organet e kompetente e kanë ditur një gjë të tillë”, thotë Islami.

Islami shton se institucionet e sigurisë në vend nuk kanë qenë shumë efikas në luftimin e kësaj dukurie, por që aksionet e fundit të Policisë për arrestimin e personave të organizuar në vepra penale fajde janë të domosdoshëm.

Veprimet e tilla kriminale, siç është fajdeja, ndëshkohen sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas këtij Kodi, kushdo që për vete apo për personin tjetër pranon ose kontrakton një shumë dukshëm joproporcionale të pasurisë, në këmbim të shërbimit për personin tjetër, dënohet me gjobë dhe me burgim prej 5 deri në 12 vjet, varësisht nga vlera e humbjeve të mjeteve financiare ose realizimit të pasurisë./Rel/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...