Kapësit e shtetit ende në pushtet, edhe një raport regresi për Kosovën

Politika

Kapësit e shtetit ende në pushtet, edhe një raport regresi për Kosovën

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 2 qershor 2019 Në ora: 09:17
Qeveria Haradinaj

Komisioni Evropian, të mërkurën i paraqiti Parlamentit Evropian raportin e progresit për shtetet në procesin e zgjerimit, ku përfshihen shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqia.

Ky raport përfshiu edhe Kosovën, mirëpo nuk përmendi heqjen e vizave. Për më tepër u kërkua heqja e taksës 100% dhe reduktimi i zëvendësministrave të Qeveris Haradinaj. Në anën tjetër, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë marrë rekomandimin pozitiv për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit.

Gjithashtu, në raport u përmenden disa përparime që u plotësuan në bazë të reformave në fushën e sundimit të ligjit. Por, raporti thekson që pak progres është bërë në konfiskimin përfundimtar të pasurive dhe dënimet përfundimtare.

Lidhur me këtë çështje Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj mbajti një konferencë  për media pas publikimit të raportit nga Komisioni Evropian ai tha që raporti ka rekomandime  të përziera ka kritika por edhe vlerësime pozitive në progresin e arritur.

“Ky raport ka të gjetura të përziera, në masë të caktuar ka vlerësim pozitiv në progresin e arritur, në ato tjerat ka kritik për taksën një kritik e dhënë në përgjithësi. Megjithatë është një raport  që në vlerësim e fiton edhe të gjeturat e të arriturave por edhe ngecjet dhe sfidat që ka Kosova”, tha për media Haradinaj.

Raporti i progresit dha rekomandimet për numrin e madh të zëvendësministrave

Lidhur më ketë temë deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu për gazetën “Bota sot” tha që çështja e zëvendësministrave bazën e ka nga qeveria e Isa Mustafa dhe se do të punohet për reduktimin e tyre.

Image
Teuta Haxhiu

“Ajo synon zbatimin e ligjit në këtë mandat në mënyrë që në vend të ketë ministri më pak e kështu edhe zëvendësministra më pak. Së pari Qeveria me numrin e madh të zëvendësministrave është burim i Qeveris Mustafa, domethënë pa marrë parasysh numrin e dy partnerëve që kanë pasur numër shumë të madh të deputetëve, numri i madh i zëvendësministrave është kritiku por burimin e ka të Qeveria e kaluar. Pra edhe njëherë burimi i zëvendësministrave ka filluar  me Qeverinë e Isa Mustafës kjo ka ndodhë në vazhdimësi e këtyre dy qeverive. Kjo qeveri po punon mbi ligjin i cili do të parasheh edhe normën shumë më të vogël të ministrive por njëkohësisht edhe numrin shumë më të vogël të zëvendësministrave pra edhe do të kërkojmë zbatim  në këtë mandat pra ky është ndryshimi i këtyre dy qeverive pra asnjëherë nuk kemi thënë që numri i madh i zëvendësministrave është mirë por e kemi kritiku atëherë dhe themi që normal ka qenë një vazhdimësi e qeverisë së kaluar”, tha deputetja Haxhiu për “Bota sot”.

 Kollçaku: Kjo Qeveri është shndërruar në agjenci të punësimit të militantëve

Në një prononcim për “Bota sot” deputetja e lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha Kollçaku tha se Kosovës i mungon një strategji gjithëpërfshirëse  për reformat e sektorit të drejtësisë dhe një mekanizëm i duhur për koordinimin ndërinstitucional.

“Konstatimet e raportit se Gjyqësori mbetet ende nën ndikim dhe ndërhyrje politike dhe administrata e drejtësisë mbetet e ngadalshme dhe joefikase. Kosovës i mungon një strategji gjithëpërfshirëse për reformat e sektorit të drejtësisë dhe një mekanizëm i duhur për koordinimin ndërinstitucional”, tha Kollçaku për Bota sot.

Image
Fatmire Mulhaxha

E pyetur për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar ajo u përgjigj që ka pak progres në këtë aspekt dhe se Kosova është edhe në një fazë të hershme.

“Gjyqësori mbetet i cenueshëm nga ndikimet politike dhe institucionet e sundimit të ligjit vuajnë nga mungesa e fondeve dhe burimeve njerëzore. Sa i përket luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar njëjtë sikurse në vitet e kaluara Kosova mbetet në një fazë të hershme. Është bërë shumë pak progres në konfiskimin përfundimtar të pasurive dhe janë bërë shumë pak hetime financiare dhe dënime përfundimtare”, tha Kollçaku.

Ndërsa për numrin e madh të zëvendësministrave të Qeverisë Haradinaj, ajo tha që Qeveria është shndërruar në agjenci të punësimit të militantëve partiak në poste të rëndësishme shtetërore dhe se ka keqpërdorim të parave  publike dhe rrezikim stabiliteti.

“Të gjitha këto konstatime flasin për situatën aktuale dhe mungesën e shtetit të së drejtës.Nuk ka sundim të ligjit, e në anën tjetër kjo Qeveri është shndërruar në agjenci të punësimit të militantëve partiak në poste më të rëndësishme shtetërore.Keqpërdorim i parasë publike dhe rrezikim i stabilitetit makrofinanciar”,përfundoi Kollçaku.

Voca: Kemi një Shtet të paralizuar

Njohësi i integrimeve evropiane Mirsad Voca për “Bota sot” tha që drejtësia është boshti kryesor i një shteti dhe nëse ajo çalon atëherë çdo gjë çalon dhe sipas tij mbetët një shtet i paralizuar. Ai ndër të tjera e quajti naivitet të thellë nëse dikush mendon të afrohemi në BE pa një drejtësi apolitike.

“Kur në një Shtet nuk ka drejtësi të pavarur nuk mund të ketë përparim të mirëfilltë në asnjë lëmi sepse Drejtësia përbën boshtin kurrizor të trupit shtetëror. Prandaj me çalimin e Drejtësisë çalon edhe çdo gjë tjetër dhe për pasojë kemi një Shtet të paralizuar.Pa drejtësi neutrale nuk ka funksionalizim të Shtetit demokratik. Dhe e quaj naivitet të thellë nëse dikush mendon se do të afrohemi në BE pa një Drejtësi apolitike”, tha Voca.

Image
Mirsad Voca

Kusht kryesor për vazhdimin në BE sipas Vocit është shkëputja e drejtësisë nga politika, por që ky ndikim i drejtësisë me politikën daton shumë herët. Ndikim ky që po vazhdon ende për shkak se kapësit e shtetit janë ende në pushtet por vetëm me një ndryshim konfiguracioni të partive në koalicion.

“Ndikimi i politikës në Drejtësi daton shumë më herët apo me kapjen e Shtetit, dhe ky ndikim po vazhdon edhe sot meqë kapësit e Shtetit janë ende në pushtet por vetëm me një ndryshim konfiguracioni të partive në koalicion. Kjo flet qartë për natyrën dhe profilin e partive politike në vend e që e përfaqësojnë tani vendin”, tha Voca.

Voca foli edhe për rekomandimin e bërë për numrin e madh të zëvendësministrave  të qeverisë Haradinaj. Ai shtoi se numri i madh i zëvendësministrave  është argument i palëkundshëm dhe pasojë të sistemit politik.

“Mendoj se është aq dramatike sa qesharake numri i ministrive tashmë, e të mos flasim për numrin e pafund të zyrtarëve të lartë që më shumë i quajnë si zëvendës ministra sesa e bëjnë ndonjë punë si të tillë. Dhe ky fenomen është argument i palëkundshëm dhe pasojë të sistemit politik i cili punon qartazi për partitë ndërsa Shteti mbetet dytësor”, përfundoi për Bota sot Voca.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat