Voca: Angazhimi i dy shteteve të BE-së, Franko-Gjerman nënkupton përshpejtimin e zgjidhjes

Politika

Voca: Angazhimi i dy shteteve të BE-së, Franko-Gjerman nënkupton përshpejtimin e zgjidhjes

Nga: D.B Më: 4 qershor 2019 Në ora: 17:26
Mirsad Voca

Bashkimi Evropian duhet ta qartësojë dialogun Kosovë-Serbi, sepse ka më shumë se 8 vite që zhvillohen bisedimet, dhe deri më tash asgjë nuk është arritur.

Njohësi i Integrimeve Evropiane Mirsad Voca, ka thënë për “ Bota sot “ se këshilltarët e kancelarësh gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emmanuel Macron kanë ardhur me disa mesazhe të qarta në Prishtinë, për faktin se në të gjitha takimet me liderët institucionalë të Kosovës, ata kanë theksuar se Samiti i Berlinit dhe ai i Parisit nuk kanë për qëllim të marrin rolin e lehtësuesit të dialogut apo të zëvendësojnë rolin e BE-së.

“Çdo herë motoja e Merkel dhe Macron ka qenë: “Ne dëshirojmë të mbështesim BE-në për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse”, kanë thënë ata në takim me liderët politikë të Kosovës. Kurse tani bisedimet kanë rifilluar apo është ri formatuar natyra e bisedimeve me përfshirjen direkt të Francës dhe Gjermanisë si dy shtete anëtare të BE-së të cilat shtete e patën krijuar çiftin Franko-Gjerman rreth një ideje të bashkëpunimit ekonomik disa vite pas luftës së dytë botërore. Ideja thjeshtë do të mund të jetë që Serbia dhe Kosova të krijojnë një marrëveshje bazuar në çështje ekonomike me qëllim të një pajtimi politik definitiv. Besoj se bisedimet do të hyjnë në një fazë më serioze meqë angazhimi i krerëve Macron e Merkel, duket të jetë po ashtu serioz dhe sipas të gjitha gjasave këto dy personalitete respektivisht këto dy Shtete me peshë primordiale në BE, do dëshirojnë zgjidhje sa më të shpejt për këtë pjesë të Ballkanit ende me probleme politike klasike”, ka thënë Voca.

Ai konsideron se angazhimi i këtyre dy shteteve të BE-së nënkupton edhe përshpejtim të zgjidhjes, sepse BE tani duket të jetë shumë më e interesuar që të përmbyll problemet e Ballkanit, përmes një marrëveshje të obligueshme midis Kosovës dhe Serbisë.

“Delegacioni gjerman dhe ai francez kanë udhëtuar për t’i dëgjuar palët dhe për të kuptuar pozicionin e tyre. Në Paris palët negociuese do të shfaqin qëndrimet e tyre ndërsa Gjermania dhe Franca të paraprirë nga përfaqësues të BE-së do të jenë aty për t’i ndihmuar palëve për të përafruar qëndrimet e tyre në këto negociata. Megjithatë, mendoj se do të ketë vështirësi në këtë drejtim meqenëse brenda vet palëve negociuese ka tashmë dallime në qëndrime sa i përket asaj se si do të dukej një zgjidhje finale.Në Samitin e Parisit i cili udhëhiqet nga Macron dhe Merkel, do të mund të kemi edhe fillimin e një zgjidhje përfundimtare Kosovë Serbi, përmes së cilës zgjidhje liderët e rajonit më shumë do të interesohen të fitojnë poena politik sesa që të jenë koshientë për zgjidhjen më të mirë apo kompromisin që pritet të bëhet në vazhdën e këtyre bisedimeve.”, ka thënë njohësi i Integrimeve Evropiane Voca.

Sipas tij, nga rezultatet e këtyre bisedimeve në fakt, askush nuk mund të pretendoj të thirret si shpëtimtar apo fitimtar.

“Në këto negociata Kosova është prapë në pozitë të pafavorshme duke e ditur se Serbia nuk dëshiron t’ia dij për ekzistencën e saj, ndërsa në anën tjetër në Kosovë Serbët kanë të drejta nga më të lartat në Evropë. Besoj se në asnjë mënyrë nuk do të duhej që Kosova të tkurrej apo të ofroj edhe më shumë të drejta Serbëve të Kosovës sepse nuk mund të ketë më shumë të drejta përveçse nëse Serbëve të Kosovës u dhurohet ndonjë status ekzekutiv që nënkupton de facto ndarje të Kosovës gjë që natyrisht do të shpinte në aksione të dhunshme”, ka thënë Voca.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat