Dështimi i Serbisë për ta kriminalizuar Policinë e Kosovës në sy të OKB-së

Politika

Dështimi i Serbisë për ta kriminalizuar Policinë e Kosovës në sy të OKB-së

Kushtrim Maliqi Nga Kushtrim Maliqi Më 7 qershor 2019 Në ora: 08:33
OKB

Javën që lamë pas, një ndërhyrje e policisë së Republikës së Kosovës, kundër krimit të organizuar në disa lokacione në veri të vendit, ka ngjallur jo pak reagime e tensione tek pala serbe, ani pse aksioni ka qenë jo i organizuar mbi bazë të një nacionalitetit, por mbi krimin si dukuri, pasi që pjesë e të arrestuarve kanë qenë edhe shqiptarët, përveç serbëve, të cilët kanë bashkëpunuar sidomos në kontrabandë.

Sipas njoftimit të policisë së Kosovës, në radhët e të cilëve kishte edhe të plagosur nga të shtënat me armë, duke tentuar të bëjnë rezistencë, ky aksion nuk ka qenë i rastësishëm, por si rezultat i një hetimi disa mujorë, i udhëhequr nga ana e Prokurorisë së Kosovës, ku ka pasur dyshime të bazuara për përfshirjen e disa zyrtarëve policorë si dhe qytetarë të tjerë në vepra kriminale, si kontrabandë me mallra, e keqpërdorim i detyrës zyrtarë, përmes ryshfetit apo korrupsionit.

Në lidhje me këto zhvillime në vend, duke tentuar me vendosmëri të mbahet nën kontroll të plotë situatën në tërë territorin e vendit nga ana e Policisë Speciale të Republikës së Kosovës, reagime të fuqishme kanë ardhur nga ana e Beogradit, të cilëve nuk iu ka pëlqyer aspak profesionalizimi i policisë së Republikës së Kosovës.

Me mbështetje nga Rusia, në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Sigurimit që do të mbahet më 10 qershor, do të diskutohet pikërisht për këtë çështje, për ndërhyrjen e njësive speciale të policisë së Republikës së Kosovës, ku ndër të tjerë kishin arrestuar edhe dy punëtorë të misionit të UNMIK-ut. Sipas asaj që ka thënë UNMIK-u, të thënat e policisë së Kosovës nuk përputhen me të dhënat e këtij misioni, çka e kundërshton nevojën e përdorimit aq të lartë të forcës, sidomos ndaj arrestimit e aq më pak mbajtjes së dy pjesëtarëve të këtij misioni në Republikën e Kosovës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një deklaratë të tijën pas takimit me shefin e UNMIK-ut, Zahir Tanin, ka thënë se mbledhja e Këshillit të Sigurimit në të cilën do të bisedohet për ndërhyrjen e policisë së Kosovës në veri, ka thënë se është një rast i mirë që të trajtohet situata në Kosovë, si dhe për mundësitë e kontribimit të të gjitha organizatave ndërkombëtare për ruajtjen e stabilitetit në Kosovë. Vuçiq i ka thënë një rëndësi të madhe secilit rast kur në Këshillin e Sigurimit flitet për Kosovën, duke thënë se shqyrtimi i pandërprerë i çështjes së Kosovës, është i një rëndësie të veçantë dhe do ta shfrytëzohet çdo herë.

Vlenë të theksohet se, në vitin 2009, por jo vetëm, shteti serb ka ushtruar një terror të pa parë ndaj tërë popullatës në Kosovën Lindore, në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, e sidomos në Preshevë. Rasti më i pa besueshëm është ai i dhjetorit të vitit 2009, kur qytetarë të Preshevës, disa prej të cilëve ish-ushtarë të lirisë, terrorizohen bashkë me familjarët e tyre, duke u rrahur brutalisht, duke u mbajtur në paraburgim pa iu shqiptuar ndonjë masë dënimi, pasi që iu kanë munguar faktet dhe vazhdimisht janë munduar të fabrikojnë diçka, e që nuk ia kanë dalë dhe në fund janë shpallur të pafajshëm, ani pse janë dërrmuar nga dhuna e pa ndërprerë.

E me këtë rast, as Shqipëria e as Kosova, nuk e kanë ngritur zërin as nëpër kancelari të ulëta evropiane e botërore, e lërë më në Këshillin e Sigurimit, ani pse do të kishin të gjithë drejtën e botës ta ngrisnin zërin kundër shtetit serb, kundër dhunës së pa arsyetueshme, sidomos ndaj personave të cilët në kohën për të cilën po akuzoheshin se kanë kryer krime si pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i kanë pasur jo më shumë se 15 vjet.

Nitaj: Në KS do të vërtetohet se ndërhyrja e policisë ishte kundër krimit dhe kriminelëve

Image
Muharrem Nitaj

Lidhur me këtë çështje, për “Bota sot” ka folur deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, i cili ka thënë se debati për aksionin e policisë në veri të vendit në Këshillin e Sigurimit nuk është kërkesë e bashkësisë ndërkombëtare, por e Serbisë dhe Rusisë, kjo gjë është pritur.

“Debati në KS të OKB-së për aksionin e policisë në veri, nuk është kërkesë ndërkombëtare, por kërkesë e Rusisë dhe e Serbisë. Kjo ka qenë e pritur. Por, jam i bindur se edhe atje do të dalë e vërteta se ky operacion ka qenë i orientuar kundër krimit dhe jo kundër serbëve. Ata që do ta vënë në dyshim një përcaktim të tillë, nuk do të bëjnë gjë tjetër përpos që vet do të legjitimohen si përkrahës të krimit e kontrabandës”, është shprehur deputeti Nitaj, derisa ka komentuar kërkesën e Serbisë për tu diskutuar në Këshillin e Sigurimit lidhje me ndërhyrjen e policisë së Republikës së Kosovës në veri të vendit, kundër grupeve kriminale.

Kadriu: Që nga Lufta e Parë Botërore, Serbia sillet si viktimë

Image
Kushtrim Kadriu

Njohësi i rrethanave politike në vend, Kushtrim Kadriu, për “Bota sot” ka thënë se Serbia që nga lufta e parë botërore ka luajtur rrolin e viktimës duke vajtuar ndaj secilit popull me të cilin ka pasur konteste territoriale, duke tentuar ta fitojë një lloj simpatie apo keqardhje nga ana e shteteve tjera.

“Shqipëria është dashtë ta thërret një seancë në Këshillin e Sigurimit qysh në vitin 2009. ka pasur edhe raste tjera por sidomos në vitin 2009, pas asaj ndërhyrje brutale të shtetit serb ndaj shqiptarëve në Kosovën Lindore, gjegjësisht ndaj shqiptarëve në Preshevë. Që nga lufta e parë botërore SeRbia ka luajtur rolin e viktimës ndaj secilit populli tjetËr që ka pas konteste territoriale. Serbia nga një shtet pushtues, ktheu vetën me strategjitë e saj të pa imagjinueshme në rolin e viktimës në sytë e botës. Duke u paraqitur si viktimë e me që rast arrin të fitojë një lloj simpatie e ndihme në disa vente të botës së pa inkuadruar, e tek shtetet të cilat kanë probleme si ajo të ngjashme territoriale gjen përkrahje”, është shprehur Kadriu.

Sipas tij, Serbia këto iniciativa i ka shfrytëzuar mirë e me që rast arriti të themelonte Gjykata ndërkombëtare për drejtësi e për ta gjykuar luftën e drejtë të UÇK-së, pra arriti luftën e Kosovës ta bëjë luftë të barabartë me luftën e sajë pushtuese e kriminale.

“Politika Shqiptare në Ballkan është në koma të thellë pasi që ne ende kurrë nuk patëm një seancë të tillë në OKB e gjetiu. Sesionet e tilla nuk mundë t`i thërret Kosova, por Shqipëria një gjë të tillë mund ta bënte mirë, por ja që nuk e bëri. Serbia bëri ndërhyrje brutale në Luginën e Preshevës e Kosovës duke arrestuar, maltretuar, e dënuar me qindra vite burg ish pjesëtarët e UÇPMB-së, e pastaj duke i liruar si të pa fajshëm. Kishte edhe raste kur në popullatën civile testoheshin aeroplanët luftarak të Rusisë por prapë Shqipëria heshti, faji është tek ne që nuk ditëm të punojmë për ta mbrojtur atë që e arritëm, por disa ish pjesëtarë të luftës u fokusuan pas luftës në zënien e pushtet në qejfet e jetës, në tendere e i lanë hapësirë Serbisë të bëjë çfarë të dojë”, është shprehur Kushtrim Kadriu, i cili njëherit është edhe kryetarë i Lëvizjes Vatra.

Rexhepi: Asnjë fjalë nuk u tha për terrorizimin e shqiptarëve të Preshevës në vitin 2009

Image

 

Orhan Rexhepi

Orhan Rexhepi, ish-kryetar i Kuvendit Komunal në Preshevë, përmes një komunikimi për “Bota sot”, ka shprehur zhgënjimin e madh me Republikën e Kosovës, të cilët edhe kur kanë pasur arsye të fuqishme që të reagojnë, edhe kur e kanë ditur sigurt se forcën e argumenteve në anën e tyre, nuk kanë marrë mundin të reagojnë tek bashkësia ndërkombëtare për qytetarët e Kosovës Lindore, gjegjësisht ata të Preshevës, të cilët në dhjetorë të vitit 2008 u terrorizuan bashkë me familjet e tyre, deri në ditën kur u liruan si të pafajshëm në nëntor të vitit 2013.

“Që nga 26 dhjetori të vitit 2008, si dita e arrestimit të nëntë Shqiptarëve të Preshevës, e deri në ditën e lirimit të tyre si plotësisht të pafajshëm, gjë e cila ndodhi në datën 13 nëntor 2013, asnjëri nga institucionet e Republikës së Kosovës, as Qeveria, as Kuvendi e as Presidenca nuk e patën thënë as edhe një shkronjë për mediumet e Kosovës, e lëre më të kishin bërë ndonjë reagim në drejtim të institucioneve ndërkombëtare, në këtë rast të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, edhe pse ata ishin burgosur nën akuzën për krime lufte kundër popullatës Serbe të rrethinës së Gjilanit, pra qëllimi kishte qenë që me një shigjetë të goditen dy caqe, të kriminalizohet populli Shqiptar i Luginës së Preshevës dhe të kriminalizohet UÇK-ja, nga shkaku se ata u akuzuan si pjesëtarë të saj”, është shprehur ai.

Sipas tij, “faktet” e pushtetit të Beogradit ishin se ata gjatë një periudhe kohore, pas hyrjes së KFOR-it në vitin 1999, kishin masakruar 159 Serbë, pra u akuzuan për krime lufte pas përfundimit të Luftës, ndërsa institucionet e Kosovës nuk e kishin bërë asnjë reagim.

Rexhepi ka thënë se intervenimi institucional i MPB së Kosovës, ditë më parë në veri të saj, ishte plotësisht i faktuar dhe se Serbia po tenton që në mënyrë krejt të rrejshme, edhe atë me ndihmën e Rusisë dhe Kinës, ta kriminalizojë policinë e Kosovës në sy të OKB-së, përsëri në mënyrën më të vrazhdë të mundshme.

“Prandaj edhe Kryeministrja Serbe Ana Bërnabiq na quajti neve Shqiptarëve njerëz të malit.

Prapavija e gjithë kësaj loje është që të pengohet bashkëngjitja e Luginës së Preshevës me Republikën e Kosovës, në këtë rast fatkeqësisht edhe me ndihmën disa nga politikanëve Shqiptarë të Kosovës e Shqipërisë”, është shprehur Rexhepi për “Bota sot”.

Haziri: Serbinë në KS e përkrah Rusia, por aksionin e policisë e kanë përkrahur SHBA dhe BE

Image
Nexhat Haziri

Analisti Nexhat Haziri, gazetës tonë i ka thënë se edhe pse Serbia përmes Rusisë ia ka dal që këtë çështje ta dërgojë në Këshill të Sigurimit, nuk është se pret ndonjë ngarkesë mbi Kosovën, pasi që si SHBA-të, ashtu edhe BE-ja e kanë përkrahur aksionin e policisë në veri të vendit.

“Serbia edhe mund ta dërgojë në KS të OKB-së aksionin e policisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit që kishte synim luftën kundër krimit të organizuar dhe këtë do ta bëjë përmes mbështetjes që e ka nga Rusia. Sidomos këtë do të mundohet ta arsyetoj edhe me prangosjen e agjentit rus që është kamufluar si zyrtarë i UNMIK-ut dhe shpalljen e tij si person i padëshiruar nga qeveria e Kosovës. Unë nuk pres ndonjë impakt sa i përket pozitës së Kosovës në rrafshin ndërkombëtarë edhe nëse Serbia arrin që këtë çështje ta bëj temë diskutimi në KS të OKB-së, për arsye se aleatët e Kosovës që janë pjesë e KS të OKB-se, por edhe BE-ka, kanë përkrahur dhe arsyetuar plotësisht aksionin e policisë së shtetit në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, si një dëshmi për ta luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Përveç nëse ky aksion nuk ka qenë i koordinuar në mes presidentëve Thaçi-Vuçiq që përmes tensionimit të situatës në veri ta bëjnë fakt të kryer planin e tyre për të arritur një marrëveshje përfundimtare Kosovë-serbi mbi parimin e ndryshimit të kufijve”, ka përfunduar Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat