Skandaloze: “Komandantët” duan të përvetësojnë meritat për çlirimin e Kosovës

Politika

Skandaloze: “Komandantët” duan të përvetësojnë meritat për çlirimin e Kosovës

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 14 qershor 2019 Në ora: 12:28
Manidestimi për 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës

Të mërkurën u mbajt ceremonia shtetërore në përkujtim të qershorit 1999, ku pas ndërhyrjes ushtarake të forcave të NATO-s, ndodhi çlirimi i Kosovës.

Në këtë ceremoni shtetërore, qenë të ftuar shumë personalitete politike nga rajoni dhe përtej atlantikut, me mysafirë special si ish-presidenti amerikan Bill Clinton si dhe sekretarja e shtetit, Madelene Albright.

E habitshmja në këtë situatë, ishte se në ceremoninë shtetërore për njëzet vjetorin e çlirimit, nuk ishin të pranishëm dy krerët opozitar, gjegjësisht Isa Mustafa dhe Albin Kurti.

Një ditë më pas, pas disa reagimeve, Kurti dhe Mustafa, deklaruan se arsyeja e mospjesëmarrjes së tyre në ceremoni, ishte mosmarrja e ftesave.

“Nuk kam marrë pjesë, sepse nuk më ka ardhur ftesë për këtë ceremoni dhe për asnjë aktivitet tjetër”, ka deklaruar Mustafa.

Isa Mustafa: Nuk mora ftesë

Ai, më tej, theksoi se në selinë qendrore të LDK-së, ka pasur ftesa për disa familje të dëshmorëve dhe veprimtarëve të LDK-së por jo edhe për të si kryetar i LDK-së dhe shef i opozitës .

“Nuk mund ta di se si ka vepruar Protokolli i Shtetit, a më ka pasur në listë apo jo, si kryetar të LDK-së, shef të opozitës, partisë më të madhe opozitare sot dhe partisë shtet formuese gjatë tridhjetë viteve sa ekziston ajo, apo si Kryeministër i qeverisë së kaluar. Në Selinë e LDK-së, më kanë informuar se kanë ardhur ftesa për disa familje të dëshmorëve dhe veprimtarëve të LDK-së. Tjetër jo”, ka thënë Mustafa.

Ai, shtoi se nuk ka datë më të rëndësishme për çdonjërin nga ne se ajo e çlirimit të Kosovës. Mustafa theksoi se çlirimi sikurse edhe pavarësia nuk janë pronë e askujt, janë e arritur, mburrje dhe pasuri e çdonjërit nga ne.

“Edhe pse nuk kisha ftesë të marr pjesë në këtë ceremoni, ndjehem krenar se ajo u mbajt në Sheshin Skënderbeu të qytetit tim, të cilin aq me përkushtim e ndërtuam sa unë dhe LDK drejtonim Prishtinën, dhe pran monumentit të Skënderbeut që, po ashtu, e ngritëm pas çlirimit me para të mbledhura nga bashkatdhetarët tanë, kur ishim si qeveri në ekzil e LDK-së. Dhe, se në këtë solemnitet ishin miqtë tanë,heronj të çlirimit të Kosovës” ka deklaruar ai.

Po njëjtë, ka deklaruar dhe Kurti, i cili është shprehur se për festën e çlirimit, nuk ka qenë në dijeni se ka pasur ftesë për të.

“Nuk e di që kam pasur ftesë në kutinë e deputetëve por kemi pas edhe shumë organizime si Lëvizje Vetëvendosje meqenëse është përputhur edhe me ditën e Lëvizjes. Grupi jonë parlamentar i ka ndarë deputetët nëpër aktivitete të ndryshme dhe ata kanë marrë pjesë”, tha Kurti.

Gazeta “Bota sot” ka kontaktuar zyrën e Presidentit, zyrat qendrore të LDK-së dhe deputet të Vetëvendosjes, por që nuk pranuan të flasin.

Një gjë tjetër që ra në sy dhe që nuk është gjë e vogël, ishte edhe neglizhenca totale e folësve për ta përmendur kontributin e presidentit historik dr. Ibrahim Rugovës.

Kjo ngre dyshime se tek zyrtarë tjerë publik e analistë, të cilët konsiderojnë se, festa e ceremonisë shtetërore, u tentua që të përvetësohej nga të ashtuquajturit komandantët e UÇK-së.

Gecaj: “komandantët” dëshirojnë të përvetësojnë gjithçka që ka ndodh dhe që do të ndodh në këtë vend

Image
Bajram Gecaj

Bajram Gecaj, zyrtar në Lidhjen Demokratike të Kosovës, për “Bota sot”, tha se e gjitha është e qartë. Sipas tij, pjesëtar të dalë nga UÇK, tentojnë të përvetësojnë meritat duke neglizhuar qëllimisht kontributin e Rugovës.

“Është e qartë si kristali se “komandantët” dëshirojnë të përvetësojnë gjithçka që ka ndodh dhe që do të ndodh në këtë vend. Kryetari Isa Mustafa nuk ka marr thirrje dhe kjo është vërtet për keqardhje. Dr. Ibrahim Rugova nuk është përmendur fare në një datë ku meritat lidhen më së shumti me personalitetin e tij. Unë nuk do të çuditem nëse një ditë këta “komandantë” do të na thonë se edhe Dr. Rugova ishte nga radhët e tyre, por “vetëm i infiltruar në LDK”, tha ai.

Gecaj, shtoi se ideator i çlirimit të Kosovës dhe shpalljes së Pavarësisë ishte Rugova dhe se mos përmendja e emrit apo kontributit të tij, është një skandal.

“Ideator dhe kreator i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës ka qenë Dr. Ibrahim Rugova. Prandaj, në një datë si ajo e djeshmja nuk duhet të kaloj pa u përmendur meritat e tij dhe të lëvizjes që ai udhëhoqi – LDK-së. Do të ishte e udhës të përmendeshin edhe shumë tjerë, duke përfshirë këtu edhe Adem Demaçin, por Presidenti Rugova nuk do të duhej me asnjë kusht të lihej anash”, tha Gecaj.

Krasniqi: Kjo tregon inatet e mëdha që kanë liderët tanë mes vete

Image
Faik Krasniqi

Ndërkaq, njohës i çështjeve politike, Faik Krasniqi, për “Bota sot”, tha se sipas zyrtarëve të qeverisë, Kurti dhe Mustafa, kanë qenë të ftuar në ceremoninë shtetërore të mbajtur dje, ku të pranishëm ishin edhe ish-presidenti Klinton dhe ish-sekretarja Albright. Kurse zyrtarët e dy partive opozitare e mohuan një gjë të tillë. Nëse është e vërtet që dy liderët e opozitës nuk kanë qenë të ftuar, atëherë këtë do ta quaja një skandal të madh qeveritar.

Sipas tij, kjo është tregues i inateve politike që pushtetarët dhe krerët opozitar kanë ndër vete. Përtej kësaj, Krasniqi, shtoi se festa e çlirimit do të duhej t’i bashkonte secilin pozitë e opozitë.

“Kjo tregon inatet e mëdha që kanë liderët tanë mes vete. Në këto ditë të shënuara inatet politike dhe personale duhet të lihen anash, sepse është mbi individin. Në Kosovë festohej 20 vjetori i çlirimit të Kosovës, dhe një ditë si kjo duhet t’i bashkonte të gjithë. Sidoqoftë, kjo klasë politike në këto dy dekada na kanë dëshmuar që interesi personal dhe partiak është mbi interesin shtetëror dhe qytetar. Gjendja e mjerueshme është treguesi më i mirë se me çfarë njerëz kemi të bëjmë”, tha Krasniqi.

Protokolli i shtetit ka përgjigje tjetër

Në anën tjetër, Drejtori i Protokollit të Shtetit në MPJ, Orhan Hajrizi, ka konfirmuar se Isa Mustafa dhe Albin Kurti kanë pasur ftesa zyrtare.

“Po, Protokolli i Shtetit është marrë me tërë organizimin dhe njëkohësisht edhe me ftesat. Me këtë rast e konfirmoj se ftesat janë përgatitur dhe janë dërguar edhe për z. Isa Mustafa në cilësinë e ish-kryeministrit, të cilën korrieri e ka dërguar në selinë e LDK-së dhe ftesa për z. Kurti është dërguar në Kuvend dhe përmes postës së brendshme të Kuvendit, ftesa i është përcjellë në kutinë postare të Lëvizjes Vetëvendosje më 7 qershor”, ka thënë Hajrizi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat