Abdullahu: Kuvendi ka dështuar të jetë funksional, vendi të shkojë në zgjedhje

Politika

Abdullahu: Kuvendi ka dështuar të jetë funksional, vendi të shkojë në zgjedhje

Nga: G.B Më: 15 qershor 2019 Në ora: 15:40
Faton Abdullahu

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) përmes platformës Vota ime, ka nxjerrë përfundimet se mungesa e kuorumit vazhdon ta pamundësojë marrjen e vendimeve në seancat e Kuvendit, e ngjashëm po ndodhë edhe në komisione, për po të njëjtën arsye.

Sipas kësaj platformë, numri i mbledhjeve të dështuara të komisioneve për mungesë kuorumi është rritur dukshëm gjatë muajit maj. Për vetëm një muaj, 11 mbledhje të planifikuara kanë dështuar të mbahen si rezultat i mungesës së deputetëve, që janë anëtarë të komisioneve përkatëse duke pamundësuar kështu kuorumin e nevojshëm për të mbajtur mbledhje.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Faton Abdullahu, thotë se ka kohë që në Kuvend bëhen llafe e nuk kuvendohet e për të mbuluar dështimet, kryetari i Kuvendit sjell vendimet ad-hock.

“Koalicioni PAN nuk e ka shumicën dhe shumë procese në pamundësi që t’i shtyjë përpara për çka duhet vota e shumicës ato vendnumrojnë. Kjo ndodh edhe në Kuvend. Ka kohë që në Kuvend bëhen llafe e nuk kuvendohet. Në pamundësi që të funksionojnë si duhet komisionet, të mbahen seancat, të diskutohet gjerë e gjatë e të merren vendimet. Kryeparlamentari për t’i eklipsuar dështimet, vjen me propozime ‘ad hock’ nxit debate koti, apo ja kris llafeve që të mos kuvendohet si duhet, as të mos vije deri te vendimmarrja”, ka vlerësuar Abdullahu.

Ai thotë se koalicioni PAN është i përçarë dhe nuk mund të merr vendime unike, e kjo ka bërë që Kuvendi të mos ketë strategji, sidomos dhe kur dihet ndikimi i presidentit tek shumë deputetë.

“Për më shumë koalicioni PAN është i përçarë dhe nuk mund të merr vendime unike dhe me strategji të përpunuar gjithanshëm. Kjo ka bërë që Kuvendi të mos ketë as strategji, as të bëhet unik sa i përket dialogut. Kur kësaj i shtohet ndikimi i madh i Presidentit të vendit tek jo pak deputet, sidomos të PDK-së, qasja e tij jo e njëjtë sidomos sa i përket dialogut me Kryetarin e kësaj partie dhe qasje e tij krejt e ndryshme me Kryeministrin aktual, mund të kuptohet pse ky Kuvend ngec”, ka theksuar ai.

Abdullahu thotë se Kuvendi e ka dëshmuar se nuk mund të jetë funksional dhe për këtë vendi duhet të shkojë në zgjedhje.

“Për rrjedhojë po ngec dhe po dëmtohet thelbi i demokracisë si dhe po dëmtohet dialogu si proces vital për vendin tonë. Kuvendi e ka dëshmuar në mënyrë të përsëritur dhe bindëse se nuk mund të jetë funksional. Nuk ka shpresa se do të ndodh e kundërta. Prandaj zgjidhje janë zgjedhjet”, ka deklaruar Faton Abdullahu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat