Kosovën e rëndoi shumë pasurimi i shpejt i disa politikanëve
Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Daut Dauti, theksoi arsyet që e shtynë që të anëtarësohet në Lëvizjen Vetëvendosje.
Për Daut Dautin, Lëvizja Vetëvendosje, është një nga partitë më serioze në vend. Sipas Daut Dautit, Kosovën e pasluftës e rëndoi shumë pasurimi i shpejtë i shumë personave që, pothuajse s’kishin asgjë, e sot posedojnë miliona. Sipas tij, Kosova asnjëherë s’i mori seriozisht bisedimet me Serbinë.
Aderimet në Lëvizjen Vetëvendosje nuk kanë të ndalur. Ato, tashmë, pothuajse janë bërë të ditëpërditshme. Ditë më parë, anëtarësim në Vetëvendosje, ka bërë dhe Daut Dauti, një veprimtar shumë i shquar për çështjen kombëtare në tërësi dhe jo vetëm.
Me shkrimet në shtypin britanik dhe paraqitjet në mediat (televizionet dhe radiot) britanike është i njohur për debatet që për temë kanë Kosovën dhe Ballkanin. Me paraqitjet e tija publike dhe botimet e ndryshme konsiderohet edhe si njohës i politikës së jashtme britanike ndaj Ballkanit, e kryesisht ndaj hapësirës shqiptare.
Ishte vet Albin Kurti, i cili njoftoi për aderimin e Dautit.
Ndërkaq, në një intervistë ekskluzive për ‘’Bota sot’’, Dauti, theksoi arsyet që e çuan tek Lëvizja Vetëvendosje. Ai, e cilësoi Vetëvendosjen si një partitë më serioze në vend. Një arsye tjetër që Dauti, zgjodhi të shkojë në Vetëvendosje është se në një masë të madhe Vetëvendosje i përgjigjet asaj që ai dëshiron të zbatojë apo përfaqësojë.
Dauti, apeloi që, intelektualët dhe personat publik me reputacion të shëndoshë, nuk duhen që të rrinë indiferent. Ai, bëri thirrje që të gjithë, në një mënyrë tjetër, të jenë pjesë e vendimmarrjes.
(Intervistën e plotë mund ta lexoni nesër në gazetën "Bota sot")