E padëshiruar, vizita e Vuçiqit në Kosovë - Bota Sot
E padëshiruar, vizita e Vuçiqit në Kosovë

Politika

E padëshiruar, vizita e Vuçiqit në Kosovë

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 4 shtator 2019 Në ora: 10:45
Policia e Kosovës

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq pritet të vijë në shtator që t’i vizitojë serbët e Kosovës.

Gjatë vizitës së tij, ai do të vizitojë Banjsken, Mitrovicën e Veriut dhe Qendrën e Kosovës, komunën e banuar me serbë, Graçanicën.

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq do t’i vizitojë serbët e Kosovës, pasi që Lista Serbë është në panik se do t’i humb zgjedhjet në Kosovë që do të mbahen më 6 tetor.

Kjo listë ka kundër kandidatë të fortë në zgjedhje, të cilët nuk pajtohen me politikat e Vuçiqit.

MPJ: Ne do të veprojmë, Vuçiq i padëshiruar në Kosovë

Por, kjo vizitë e tij nuk është e dëshiruar për institucionet e Kosovës. Rejhan Vuniqi, zv. ministre në dorëheqje në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, ka thënë për “Bota sot” se zyrtarët serb janë të padëshiruar në Kosovë për shkak të qëndrimeve të tyre karshi vendin tonë.

Image
Rejhan Vuniqi

“Deklarata e Presidentit serb, Aleksandër Vuçiq është vetëm vazhdim i kampanjës së Beogradit për frikësimin e serbëve në Kosovë dhe pamundësimin e një gare të drejtë në mesin e partive politike të komunitetit serb. Qëndrimi ynë është i qartë që siguria dhe liria e qytetareve tanë është jetike dhe përderisa zyrtarët në Beograd merren me deklarata dhe veprime kundër qytetarëve të Kosovës, ata janë të padëshiruar në vizite në Kosovë dhe në bazë të kësaj do të jetë veprimi ynë”, është shprehur Vuniqi.

Serbia po tenton ta pengojë Kosovën para zgjedhjeve

Ndërsa, eksperti i çështjeve të sigurisë, Hajrullah Tërnava, për “Bota sot” tha se angazhimi i Serbisë para zgjedhjeve në Kosovë, është për t’i penguar proceset e vendit tonë, e që kjo të ndikojë te ndërkombëtarët.

Image
Hajrullah Tërnava

“Serbia si shtet fqinjë, e që nuk pajtohet me pavarësinë e Kosovës, angazhimi i saj në këto kohëra, është vetëm për t’i penguar proceset e zgjedhjeve në Kosovë, dhe më këtë ta dëshmoj në vepër para faktorit ndërkombëtar, paaftësinë e shtetit të Kosovës, që të funksionoj si shtet, kurse nënkuptohet se si pretekst të kësaj vizite e ka kinse interesimin për serbët e Kosovës, e në të vërtetë të gjithë ata serb që e kundërshtojnë Listën Serbe i konsiderojnë si armiq të Serbisë, dhe kjo vizitë e tij e ka të vetmin qëllim që ta ruaj unitetin e Listës Serbe, edhe që bëhet fjalë për serbët e Kosovës. Kurse të gjithë ata serb të cilët donë me u kuptuar në sistemin juridik të shtetit të Kosovës dhe që e pranojnë këtë shtet si shtet të vetin dhe që kanë krijuar partitë e tyre për t’u inkuadruar në sistemin e drejtësisë të Kosovës, Serbia i konsideron si armiq të tyre”, tha Tërnava.

Ai bën thirrje që institucionet e Kosovës t’i përgjigjen kërkesës së Vuçiqit dhe të jenë vigjilent në veprimet e tyre.

“Tani edhe që është një kohë jo e përshtatshme në shtator ku po fillon fushata zgjedhore, megjithatë mendoj se politikanet tonë duhen të jenë vigjilent dhe në kuadër të ligjeve pozitive që i posedon Kosova, duhen pozitivisht t’i përgjigjen kërkesës së Kryetarit të Serbisë, dhe t’i lejohet vizita në Kosovë, por nënkuptohet sipas protokollit shtetëror që parashihet për vizitat që i bëjnë burrështetasit e shteteve të huaj. Çdo kundërshtim apo mos lejim i kësaj vizite nga ana e Kosovës, do i shkonte përshtati politikave serbe dhe me këtë do dëshmohej ajo që e thash më lartë”, potencoi Tërnava.

Vuçiq do të propagandojë me serbët e Kosovës

Image
Faik Krasniqi

Kurse, analisti Faik Krasniqi, mendon se vizita e Vuçiqit do të ketë fjalime propaganduese dhe ta mbështetës Listën serbe që e ka krijuar ai vet.

“Jemi në kohë të zgjedhjeve. Dihet arsyeja e ardhjes së Vuçiqit në Kosovë. Ai nuk vije për mirë. Por do të vijë të bëj politikë, të bëj fjalime propaganduese dhe ta mbështetës Listën serbe që e ka krijuar. Prezenca e tij në Kosovë do të thotë shumë për Listën serbe, sepse përmes kësaj liste ai manipulon me serbët e Kosovës”, theksoi Krasniqi për “Bota sot”.

Ai tutje thotë se kjo vizitë duhet të ndalohet nga institucionet e Kosovës dhe çdo gjë duhet të jenë në reciprocitet.

“Pa dyshim që kjo vizitë duhet të ndalohet, sepse është vizitë nacionaliste dhe propagandistike. Serbia as për gjëra më të thjeshta nuk i lejon zyrtarët e Kosovës që të shkojnë në Kosovën Lindore, e lëre më në kohë zgjedhjesh. Çdo gjë reciprocitet”, tha tutje Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...