Dorëheqja hipokrite e Ramush Haradinajt dhe rikandidimi i sërishëm për kryeministër - Bota Sot
Dorëheqja hipokrite e Ramush Haradinajt dhe rikandidimi i sërishëm për kryeministër

Politika

Dorëheqja hipokrite e Ramush Haradinajt dhe rikandidimi i sërishëm për kryeministër

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 6 shtator 2019 Në ora: 17:01
Ramush Haradinaj

Muajin e kaluar, Ramush Haradinaj ofroi dorëheqje nga posti i Kryeministrit. Lajmin për dorëheqje e bëri të ditur në një konferencë për medie, të mbajtur pas mbledhjes së qeverisë.

Ramush Haradinaj, përveç tjerash, tha se arsyeja e dorëheqjes është ftesa nga Gjykata Speciale, në cilësinë e të dyshuarit, ndonëse deri tash nuk ka njoftime nëse ndaj Haradinajt është ngritur ndonjë aktakuzë.

Për ta bërë sa më “dramatike” situatën, atij i rrodhën edhe lotët.

Pas dorëheqjes, Haradinaj u paraqit në Dhomat e Specializuara ku u mor në pyetje nga hetuesit e Gjykatës Speciale. Në një konferencë për media, ai përmendi se është mbrojtur në heshtje.

Por me tu shpallur data e zgjedhjeve, Ramush Haradinaj, sërish ia mësyu postit për të cilin dha dorëheqje.

Kryetari i AAK-së, po rikandidon përsëri për kryeministër.

Analistët dhe njohësit e çështjeve politike, tentimin e sëishëm të Ramush Haradinajt për t’u bërë kryeministër përsëri, e shohin si një veprim i cili nuk ka kurrfarë kuptimi.

“As në parlament, as në qeveri”

Image
Avni Zogiani

Avni Zogiani, zyrtar në Vetëvendosje, për “Bota sot”, tha se nëse dikush nuk mund të jetë kryeministër për shkak të një ftese nga çdo lloj gjykate e sidomos asaj ndërkombëtare, nuk mund të jetë as deputet.

“Nëse dikush nuk mund të jetë kryeministër për shkak të një ftese nga gjykata, ai madje edhe më pak do të duhej të ishte në parlament. Në vendet me demokraci funksionale, më shumë monitorohet puna e deputetëve se sa e vetë kryeministrit. Sepse nga aty burojnë të gjitha pushtetet”, tha ai.

Zogiani, theksoi se Haradinaj ka filluar të humbasë idenë për deklaratat e tij.

“Ai, një herë na thotë se dha dorëheqje për shkak të ftesës nga gjykata, e një herë tjetër thotë se u rrëzua nga presioni për taksën. Kjo thjesht nuk ka kuptim”, tha Zogiani.

Haziri: Haradinaj tenton ta materializoj ftesën e speciales për qëllime elektorale

Nga ana tjetër, njohësi i çështjeve politike Nexhat Haziri, për “Bota sot”, deklaroi se dorëheqja e Ramushit për shkak të ftesës nga Gjykata Speciale, ishte një lojë e ultë kryekëput për qëllime elektorale.

Image
Nexhat Haziri

“Rikandidimi i Ramush Haradinajt pas dorëheqjes së tij nga posti i kryeministrit dhe rënies së qeverisë gjoja për shkak të ftesës nga gjykata Speciale, ku ish-kryeministri Haradinaj deklaronte se nuk ishte i gatshëm për tu intervistuar nga Gjykata Speciale si kryeministër i Kosovës, edhe atëherë edhe tani nuk ishte asgjë tjetër, vetëm një tentativë e Haradinajt për ta materializuar këtë ftesë të Gjykatës Speciale për qëllime elektorale”, tha ai.

Haziri, tha se Haradinaj nuk do të duhej të rikandidonte për kryeministër për aq kohë sa nuk s’pastrohet situata me Gjykatën Speciale.

“Po të ishte Haradinaj i tillë, ai nuk do të duhej të rikandidonte fare për kryeministër, pasi ai mbetët akoma si një i dyshuar për krime luftë nga Gjykata Speciale, deri në një vendim të kësaj Gjykate që do ta lironte apo edhe do t’i ngrihej aktakuzë”, tha ai.

Sipas tij, Haradinaj shfrytëzoi këtë rast që të jepte dorëheqje e mos të rrëzohej nga një mocion që përgatitej nga partneri i qeverisë PDK-ja.

“Z. Haradinaj mbetej gjithë e më i izoluar jo vetëm nga partnerët e koaliciot qeveritar PAN, por edhe nga partnerët ndërkombëtar si rezultat I një qeverisje skandaloze nga ana e tij. Ndërsa, kur jemi të procesi i Gjykatës Speciale, mbase kjo do të ishte një gjë shumë e shëndetshme për demokracinë, funksionimin e shtetit dhe për një imazh më pozitiv të vendit në arenën ndërkombëtare që personat e intervistuar nga Gjykata Speciale si të dyshuar për krime lufte, dhe për krimet e tjera të pasluftës në Kosovë të mos jenë pjesë e procesit të zgjedhjeve në Kosovës, që do të thotë të mos kandidojnë për kryeministër të vendit e as mos të përfshihen në listat e kandidatëve për deputet”, tha Haziri.

Krasniqi: Ramush Haradinaj ka qenë i vetëdijshëm që PDK do ta rrëzojë

Image
Faik Krasniqi

Po ashtu, edhe Faik Krasniqi, njohës i çështjeve politike, për “Bota sot”, deklaroi që Haradinaj ishte i vetëdijshëm se PDK-ja herë do kurdo ta rrëzonte, ndaj dhe luajti lojën me dorëheqjen, kinse për shkak të ftesës nga Gjykata Speciale. Por sidoqoftë, Krasniqi potencoj se, përtej kësaj, ai nuk do të duhej të kërkonte votën e qytetarit, deri sa nuk s’pastrohet tërësisht nga Gjykata Speciale.

“Ramush Haradinaj ka qenë i vetëdijshëm që PDK do ta rrëzojë. Dorëheqja e tij dhe rrëzimi i Qeverisë ka qenë lëvizje taktike dhe politike e tij, në mënyrë që kur të shkojë në zgjedhje të fitojë vota në emër të taksës dhe si viktimë e ftesës nga Gjykata Speciale. Rikandidimi i tij tregon qartë hipokrizinë e tij. E kërkon votën e qytetarit, kurse në anën tjetër ka ende "punë" me Gjykatën Speciale”, tha Krasniqi.

Më tej, Krasniqi, konsideron se Haradinaj ka mbaruar punë me Gjykata për krime lufte por ai po e shfrytëzon për efekt të votave.

“Konsideroj që Haradinaj ka mbaruar punë me gjykata për krime lufte. Nuk besoj që personi i njëjtë që është shpallur dy herë i pafajshëm nga një Gjykatë për krime lufte, të ngritet akuzë nga një gjykatë tjetër e ngjashme. Siç thashë më lartë, ai po luan thjesht rolin e viktimës për efekt te votave”, tha Krasniqi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...