Zgjidhja e dialogut me Serbinë në OKB,  e rrezikshme për Kosovën - Bota Sot
Zgjidhja e dialogut me Serbinë në OKB,  e rrezikshme për Kosovën

Politika

Zgjidhja e dialogut me Serbinë në OKB,  e rrezikshme për Kosovën

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 2 tetor 2019 Në ora: 17:33
Thaçi, Mogherini dhe Vuçiq

Prej vitesh zhvillohet dialogu Kosovë-Serbi, ende pa një marrëveshje përfundimtare. Ndërsa, prej muajsh dialogu është i pezulluar dhe Serbia këmbëngul që ai të mos vazhdojë, pa heqjen e taksës nga Kosova.

Së fundmi, politikani austriak, Norbert Hofer, i cili drejton Partinë Liberale Austriake (FPO) ka thënë se BE ka dështuar në zgjidhjen e dialogut Kosovë-Serbi dhe sipas tij, zgjidhja për dialogun duhet të kërkohet në Kombet e Bashkuara.

Sipas tij të gjitha palët që do të involvohen për të kërkuar gjetjen e një zgjidhje për Kosovën, duhet të kujtojnë rëndësinë e respektimit të “Rezolutës 1244” të Kombeve të Bashkuara.

Por, sa mund të jetë zgjidhja tek OKB apo duhet kërkuar ajo nga SHBA?

Tahiri: Kosova duhet të përfaqësohet si shtet

Image
Ramush Tahiri

Politologu Ramush Tahiri ka thënë për gazetën “Bota sot” se dialogu është i përhershëm, derisa të dyja shtetet kanë vullnet për të biseduar, derisa shton se sa të jetë BE, do të ndërmjetësojë dialogun.

“Dialogu Kosove Serbi është i përjetshëm dhe është i përhershëm përderisa të ketë dy shtete, pra Republika e Kosovës dhe Republika e Serbisë dhe përderisa këto dy shtete janë fqinj dhe përderisa ka vullnet e gatishmëri të bisedohet dhe përderisa ka interes të dyanshëm dhe përderisa ka tema dhe ka çështje që të bisedohet dhe të arrihet marrëveshje. Dialogu do të zhvillohet me ndërmjetësim jo me imponim edhe drejtpërdrejtë por edhe me ndërmjetësim të BE, derisa të ekzistojëBashkimi Evropian dhe që shpreh interes të lehtësojë dialogun, ose edhe më mirë të jetë garant i marrëveshjeve të arritura”, është shprehur ai.

Tahiri thotë se ndërmjetësimi mund të bëhet edhe nga OKB, mund të jetë kusht për të dyja shtetet për proceset integruese, por që Kosova duhet të përfaqësohet si shtet në kapacitetet e plota kushtetuese e ligjore.

“Ndërmjetësimin mund ta bëjë edhe OKB ose cilido mekanizëm ndërkombëtar që konsideron se ka kompetenca dhe rolin e të cilit e pranojnë palët. Dialogu duhet të jetë kusht për të dyja shtetet në procesin e integrimeve evropiane dhe botërore. Nuk është detyrim por është përcaktim. Për dallim prej procesit të deritashëm, Kosova tash e mbas duhet të përfaqësohet si shtet në kapacitetet e plota kushtetuese e ligjore”, ka vlerësuar politologu për “Bota sot”.

Sipas tij, Kosova duhet ta dijë për çfarë dialogon, jo për statusin e Kosovës, sovranitetin apo territorin e saj, pasi Serbia u ka dërguar letër shteteve duke kërkuar tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës, me arsyetimin se në Bruksel po diskutohet për statusin e Kosovës.

“Dhe të ketë të qartë çka pret prej dialogut dhe me cilën kornizë apo platformë hynë në bisedime. Pra që dialogu nuk është statusor pra me Serbinë nuk bisedohet për statusin e ardhshëm të Kosovës, as për sovranitetin e pjesshëm apo të plotë e as për tërësinë territoriale të plotë apo të pjesshme të Republikës së Kosovës. Serbia iu ka dërguar letër të gjitha vendeve, pra në këtë rast edhe Shqipërisë duke kërkuar tërheqjen apo suspendimin apo ngrirjen e njohjes së shtetit të Kosovës me arsyetimin se në Bruksel po zhvillohen bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit ku do të vendoset statusi i ardhshëm iKosovës dhe marrëdhëniet me Serbinë që do të ndikojë në paqen e stabilitetin në Ballkan”, ka shtuar më tej Ramush Tahiri.

Ai thotë se Qeveria e ardhshme e Kosovës ketë të qartë se dialogu është i pakushtëzuar dhe se qëllim ka normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisëdhe kjo do të ishte mirë të bëhet me njohjen reciproke e të ndërsjellë, por që nuk është kusht i domosdoshëm.

“Duke e njohur shtetin e Kosovës dhe pavarësinë e saj ju po prejudikoni zgjidhjen dhe po i inkurajoni shqiptarët në qëndrimet e veta seleksioniste, po dëshmon Serbia dhe te disa vende edhe po ka ndikim. Qeveria e ardhshme e Kosovës duhet ta ketë të qartë se dialogu është i pakushtëzuar dhe se qëllim ka normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë si dy shtete fqinje dhe kjo do të ishte mirë të bëhet me njohjen reciproke e të ndërsjellë, por që nuk është kusht i domosdoshëm”, ka deklaruar Tahiri.

Krasniqi: Zgjidhja në OKB e rrezikshme

Image
Faik Krasniqi

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Faik Krasniqi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se dialogu ka dështuar për shkak se dialogu është udhëhequr nga njerëz që kanë qenë pro ruso-serb.

“Është e vërtetë që BE-ja ka dështuar në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi. Kjo për fajin e BE-së, sepse procesin e dialogut e kanë udhëhequr gjithmonë njerëz që kanë qenë pro ruso-serb si Mogherini, Hahn, Junckeretj”, është shprehur ai.

Por, Krasniqi vlerëson se është e rrezikshme që zgjidhja për dialogun të kalojë në OKB, e për këtë jep dhe arsyet.

“Por, për Kosovën do të ishte e rrezikshme nëse zgjidhja për dialogun kalon në OKB. Pse do të ishte e rrezikshme? Sepse atje janë Rusia, Kina, India, Brazili etj, shtete që janë pro-serbe dhe do të ishte rrezik edhe zhbërja e pavarësisë së Kosovës. Edhe nëse nuk do të zhbëhej pavarësia, Kosova do të bëhej copë-copë. Por një gjë e tillë nuk do të ndodhë kurrë. Është propozim i një politikani”, ka theksuar Krasniqi.

Sipas tij, dialogu do të përmbyllet së shpejti dhe atë me ndërmjetësimin e BE-së dhe SHBA-së.

“Dialogu Kosovë-Serbi do të bëhet me ndërmjetësimin e BE-së dhe SHBA-së, dhe besoj që brenda disa muajve do të përmbyllet ky proces”, ka deklaruar Faik Krasniqi për “Bota sot”.

Duhanaj: Ideja e rikthimit të dialogut në OKB do të jetë në favor të Rusisë dhe jo të Kosovës

Image
Leon Duhanaj

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike, Leon Duhanaj, ka vlerësuar se ideja e rikthimit të dialogut në OKB do të jetë në favor të Rusisë dhe jo të Kosovës.

“Ishte fitore e madhe diplomatike e Kosovës, zhvendosja e bisedimeve (negociatave) Kosovë - Serbi. Kjo është arritur pas një përpjekje të madhe diplomatike, sidomos faktorit ndërkombëtar, mbështetës të pavarësisë së Kosovës, që janë shtetet kryesore të BE-së dhe SHBA-së. Nuk besoj që ideja e rikthimit të këtij dialogu nga BE në OKB të jetë në favor të Kosovës e as të paqes në rajon. Kjo ide, mund t'i konvenojë vetëm Rusisë e cila tashmë është si me thënë e përjashtuar nga ky proces. Ndoshta mund të ndodhë që ndonjë përfaqësues rus të përfshihet në proces. Por nëse ndodhë kjo mendoj që fajtori kryesor jemi ne vet. Sepse kemi dështuar të jemi unik dhe të vendosur, në mbrojtje të shtetësisë, përkatësisht tërësisë territoriale të Kosovës”, është shprehur ai.

Sipas Duhanajt, deklarata e tij nuk ka relevancë të madhe, por qëështë shqetësuese që po shtohen zërat negativ për Kosovën.

“Kjo deklarata e përfaqësuesit të FPO-së, nuk besoj që ka ndonjë relevancë të madhe në marrëdhënien ndërkombëtare. Megjithatë, është shqetësues fakti që çdo ditë e më shumë shtohen zërat që kanë konotacion negativ për Kosovën. Uroj, që pas këtyre zgjedhjeve nacionale, të dalë një qeveri e përgjegjshme dhe e aftë, e cila e u del ballë detyrave të veta si dhe, të kemi një politikë unike në ketë segment”, ka deklaruar LeonDuhanaj për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...