Ambasadori amerikan në Gjermani, Richard Grenell, është i dërguari i SHBA-së në dialogun Kosovë-Serbi, i emëruar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Shtëpia e Bardhë njoftoi se Gerenell do të vazhdojë të mbetet edhe ambasador në Gjermani dje do t'i udhëheqë përpjekjet e SHBA-së, për t'iu ndihmuar Kosovës dhe Serbisë në arritjen e një marrëveshjeje zyrtare të paqes, e cila do të mund të rezultojë me njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë.
Ky vendim u mirëprit nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke thënë se do të bashkëpunojë me Grenellin për të siguruar arritjen përfundimtare të paqes në Ballkan.
Emërimi i Gerenell është mirëpritur edhe nga kryeministri në largim, Ramush Haradinaj derisa tha se do të punojnë “bashkë për arritjen e njohjes reciproke në kufijtë ekzistues”.
E zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiq ka thënë se Bashkimi Evropian punon ngushtë me Shtetet e Bashkuara për Ballkanin Perëndimor.
“SHBA-ja ka dhënë një kontribut të çmuar në punën tonë në Ballkanin Perëndimor, në veçanti për suksesin e dialogut (Kosovë-Serbi). SHBA-ja dhe BE-ja ndajnë interesin e fuqishëm për një Ballkan Perëndimor stabil dhe të përparuar”, ka thënë Kocijançiq.
Në anën tjetër, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, emërimin e Richard Grenell e ka quajtur përkushtim të Qeverisë amerikane për një përparim të shpejt drejt një të ardhme paqësore për rajonin.
“Mezi presim të punojmë me ambasadorin RicGrenell si të dërguarin e posaçëm të presidentit për negociatat e paqes në Serbi dhe Kosovë. Emërimi i tij, krahas Matt Palmer (i dërguar i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor), tregon përkushtimin e Qeverisë amerikane për përparim të shpejtë drejt një të ardhme paqësore për rajonin”, ka shkruar Kosnett.
Kurse, Violeta Haxholli nga KDI, ka thënë për gazetën “Bota sot” se emërimi i Gerenell dhe i Palmer, tregojnë përfshirjen më aktive të SHBA-së në procesin e dialogut, ndërsa sa i përket përshpejtimit të dialogut, ajo thotë se varet nga të dyja shtetet se sa kanë vullnet për të vazhduar atë.
“Po emërimi i zyrtarëve amerikanë z. Palmer për Ballkanin dhe z. Grenell për dialogun tregon për një përfshirje më aktive të SHBA-së në këtë proces. Se a do të përshpejtojë ky angazhim arritjen e marrëveshjes nuk mund ta dimë në këtë fazë pasi që arritja e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë varet nga vullneti i të dy shteteve për të vazhduar së pari me procesin e dialogut e më pas edhe për të arritur një marrëveshje”, është shprehur Haxholli.
Sipas saj, angazhimi i SHBA-së në procesin e dialogut është pozitiv për Kosovën.
“Gjithsesi angazhimi më i madh i SHBA-së në procesin e dialogut është pozitiv për Kosovën pasi që SHBA është shtet partner i Kosovës dhe ka qenë përkrah shtetit tonë në momentet më të rëndësishme të shtetformimit dhe shtetndërtimit”, ka deklaruar Violeta Haxholli për “Bota sot”.