Roli i SHBA-së, jetik në përmbylljen e dialogut pa u dëmtuar Kosova

Politika

Roli i SHBA-së, jetik në përmbylljen e dialogut pa u dëmtuar Kosova

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 22 tetor 2019 Në ora: 15:35
Richard Grenell

Që nga nisja e bisedimeve Kosovë-Serbi, marrëveshje në të mirë të Kosovës nuk ka pasur.

Aktualisht dialogu është i pezulluar për shkak të zhvillimeve politike, duke përfshir këtu edhe taksën 100 % ndaj produkteve me prejardhje nga Serbia e Bosnje e Hercegovina.

Tani, rrjedha e politikave në vend me shumë gjasë do të ndryshojë dhe me këtë pritet që të ndryshojë edhe rrjedha e bisedimeve. Mirëpo si do të arrihet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë?

Kosova dhe Serbia duhet ta shfrytëzojnë mundësinë që është krijuar, pas emërimit të Mattheë Palmer si i dërguar i Posaçëm i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor dhe më pas edhe Richard Grenell, i dërguar presidencial për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka thënë diplomati amerikan David Kostelancik.

Diplomati amerikan David Kostelancik në deklaratat e tij ka thënë se është e mundur që SHBA organizojë një konferencë vitin e ardhshëm. Një mundësi të tillë e ka përmendur presidenti Donald Trump në letrën që u dërgoi liderëve të të dyja vendeve në fillim të këtij viti. Kjo është një mundësi, por tani për tani, gjëja më e rëndësishme është të fillojë dialogu, dhe të dyja vendet të përparojnë në çështjet që qëndrojnë midis tyre.

Ai ka pohuar se gjëja themelore dhe më e rëndësishmja është rivendosja e dialogut dhe mendoj se është e rëndësishme.

Ndërsa, analistët dhe njohësit e çështjeve politike në vend thonë se për Kosovën është e rëndësime çfarë ka përgatitur SHBA në mënyrë që të arrihet një marrëveshje përfundimtare mes këtyre dy vendeve.

Haziri: Një konferencë e tillë, ku do të involvoheshin edhe evropianët, do të ishte një rast i mirë për çështjen e Kosovës dhe Serbisë

Image
Nexhat Haziri

Analisiti Nexhat Haziri për gazetën “Bota sot” thotë se, bazuar në deklarata e diplomatit amerikan David Kostelancik, se nuk përjashtohet mundësia që Uashingtoni të organizojë një konferencë vitin e ardhshëm, me synimin për të finalizuar një zgjidhje për marrëveshjen Kosovë Serbi, është një tregues se administrata amerikane është e vendosur që të shtyj këtë proces përpara, gjë që do të mundësonte një marrëveshje finale në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Një konferencë e tillë, ku do të involvoheshin edhe evropianët, pra BE-ja, do të ishte një rast i mirë që çështja e Kosovës dhe e Serbisë të marrë një epilog përfundimtar që do të çonte deri të njohja reciproke në mes këtyre dy shteteve”, shprehet Haziri.

Ai thotë se, nuk e sheh se kjo konferencë do të jetë e tipit të Rambujes, pasi rrethanat janë më ndryshe, por kjo konferencë do të mund t’i japë epilog procesit të mosmarrëveshjeve në mes Kosovës dhe Serbisë, pasi palët do t’iu nënshtroheshin një presioni të gjerë qoftë nga Uashingtoni dhe Brukseli.

Krasniqi: Për Kosovën me rëndësi është se çfarë ka përgatitur SHBA, në mënyrë që të arrihet marrëveshje përfundimtare

Image
Faik Krasniqi

Analisti Faik Krasniqi ka thënë për “Bota sot” se nëse diplomati amerikan ka folur në emrin e tij personal, atëherë s'do të thotë që një gjë e tillë do të ndodh. Por, nëse është qëndrim i Uashingtonit zyrtarë, atëherë një konferencë e tillë do të ndodh.

“Nuk ka rëndësi a mbahet një konferencë për të arritur një marrëveshje Kosova dhe Serbia. Për Kosovën me rëndësi është se çfarë ka përgatitur SHBA, në mënyrë që të arrihet marrëveshje përfundimtare”, përfundoi Krasniqi.

Tutje shprehet se Serbia s'ka çfarë të humbë nga këto bisedime, sepse Kosova është e jona, kurse ne humbasim shumë nëse nuk jemi të kujdesshëm.

Burjani: Një dokument i tillë duhet të përmbajë dy gjëra themelore njohjen reciproke të kufijve dhe njohjen ndërshtetërore

Image
Blerim Burjani

Njohësi i çështjeve politike Blerim Burjani për “Bota sot” thotë se nuk ka nevojë për ndonjë konferencë, mendoj se ka nevojë për një hartim dhe dakordim për një dokument ndërkombëtarë që palët e nënshkruajnë.

“Një dokument i tillë duhet të përmbajë dy gjëra themelore njohjen reciproke të kufijve dhe njohjen ndërshtetërore, tjerat duhet të jenë çështje teknike që duhet të rregullohen në mes dy vendeve”, thotë Burjani

Sipas tij, duhet pas parasysh se dialog për çështje statusore nuk mund të ketë, kufijtë të mbeten të pandryshuar, Kosova duhet të ruaj unitetin shtetëror duke respektuar plotësisht integritetin dhe sovranitetin e shtetit.

“Dokumenti ndërkombëtar duhet t’iu bëhet gati palëve, nëse nuk ka ndonjë dokument ku gati 90 % rregullohen raportet atëherë palët e kanë të pamundur të gjejnë zgjidhjen.

Mehmeti: Kjo nuk është në favor të Kosovës

Image
Faton Mehmeti

Edhe analisti Faton Mehmeti për “Bota sot” thotë se siç po shihet po shkohet drejt një Dejtoni të dytë, e cila nuk është në favor të Kosovës.

Fatkeqësisht politikanët tanë të deritanishëm, kanë sjellë vendin këtu.

“Kosova s`ka pse të jetë në konferenca kur flitet fati i saj, pasi Kosova është shtet i pavarur. Andaj, duhet devijuar një konferencë, apo ndonjë gjë e tillë, nga e cila Kosova nuk pritet të përfitojë asgjë”, thotë Mehmeti.

Ai vlerëson se duhet ditur që Pavarësia ka qenë kompromis për shqiptarët, dhe çdo gjë përveç kësaj është në kundërshtim me qenien dhe ekzistencën e Kosovës.

“Në këtë logjikë duhet theksuar se Kosova ka nevojë për veprime të cilat e ndihmojnë atë që të konsolidohet shtetësia e saj, e jo që çdo gjë të kthehet në pikën zero”, përfundoi Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat