Vetëvendosja kryeministrin, LDK-ja presidentin, kërkohet ekuilibër pushtetesh

Politika

Vetëvendosja kryeministrin, LDK-ja presidentin, kërkohet ekuilibër pushtetesh

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 9 dhjetor 2019 Në ora: 08:03
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

“Kosova ka nevojë për ekuilibër pushtetesh. Prandaj dhe presidentin e vendit nuk mund ta ketë partia që ka nominuar kryeministrin. Vetëvendosja ka kryeministrin dhe presidentin do të duhet ta ketë Lidhja Demokratike. Meqenëse LDK do të ketë kreun e parlamentit, atëherë mund të bëhej një marrëveshje, sipas së cilës, në momentin që zgjidhet presidenti dhe këtë post e merr kjo parti, funksionin e kryetarit të parlamentit t’ia kalojë Vetëvendosjes”, ka deklaruar prof. dr. Enver Bytyçi.

Shumë takime ndërmjet zyrtarëve të LDK-së dhe Vetëvendosjes u zhvilluan këto ditë. Në fakt, takimet vazhdojnë të mbahen, por deri më sot nuk ka asgjë konkrete.

Kjo vonesë ndërmjet dy partive të para po cilësohet si e dëmshme për vendin.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati i kësaj partie për kryeministër, Albin Kurti ka deklaruar se nëse nuk ka marrëveshje me LDK-në për krijimin e koalicionit qeverisës, do të shkojnë në zgjedhje.

Në një intervistë për mediumin publik, ai ka thënë se LVV-së do t’i konvenonte shkuarja në zgjedhje të reja, pasi pas fitores së 6 tetorit është rritur përkrahja për partinë e tij, por ai ka porositur se ky nuk është qëllimi i LVV-së.

“Jam i udhëhequr nga interesi i përgjithshëm, nga interesi shtetëror që kërkon sa më parë një udhëheqje qeverisëse nga LVV dhe LDK”, tha Kurti.

Ai ka thënë se në takime me kreun e LDK-së, nuk janë diskutuar emra të përveçëm për presidentin, por ia ka thanë se vendi ka emra të shumë dhe po ashtu ai ka thënë se duhet të flasin për strategjinë e një presidenti të parakohshëm.

Luzha: LVV dhe LDK duhet të realizojnë premtimin e tyre

Aktivistja e shoqërisë civile, Besa Luzha, konsideron se çdo vonesë për formimin e institucioneve të reja, është vonesë për fillimin e ndryshimeve të premtuara.

Image
Besa Luzha

Ajo, për “Bota sot”, tha se votuesit kanë kërkuar ndryshimin dhe dy partitë, LDK dhe VV, duhet të realizojnë premtimet e tyre.

“Çdo vonesë për formimin e institucioneve të reja, është vonesë për fillimin e ndryshimeve të premtuara. Votuesit kanë kërkuar ndryshimin dhe dy subjektet që janë votuar me këtë mandat LVV dhe LDK duhet të realizojnë premtimin e tyre. Ka shumë punë që na presin si shoqëri, e dialogu po ashtu është në horizont”, tha ajo.

Më tej, Luzha, shtoi se duhet gjetur një zgjidhje për të përfunduar negociatat rreth koalicionit duke u fokusuar në kërkesat e qytetarëve.

Situatën në fjalë, publicisti Rexhep Shahu, e cilëson si një luftë nervash, tendosje e fort për territore.

Shahu: LDK është në të drejtën e saj

Për gazetën “Bota sot”, Shahu shtoi se Vetëvendosje si fituese i do të gjitha, ndërkohë LDK-ja, si kolonë që e mbanë këtë koalicion kërkon të fitojë sa më shumë.

Image
Rexhep Shahu

“Moralisht LDK është në të drejtën e saj por VV sheh veç bardh e zi, mik ose armik. Në sistemin parlamentar që ka Kosova, kryeministri është pushteti me i madh dhe partneri duhet kompensuar. Sherri për presidentin është jo i fisëm”, tha ai.

Shahu, theksoi se presidenti i takon LDK-së dhe pse ai post ndanë veç dekorata.

“Presidenti i takon LDK edhe pse ai post ndan veç dekorata. VV po sillet si dhëndrri i ri që do t`ua këpus kokën maces natën e martesës për ta trembë nusen”, tha ai.

Bytyçi: Kosova ka nevojë për ekuilibër pushtetesh, presidentin nuk mund ta ketë partia që ka nominuar kryeministrin

Nga ana tjetër, Enver Bytyçi, tha se shumë kush, përfshirë dhe atë vetë priti që sapo të certifikoheshin zgjedhjet e 6 tetorit, Vetëvendosja dhe Lidhja Demokratike ta kishin gati marrëveshjen për programin dhe përbërjen e qeverisë e ta firmosnin.

Image
Enver Bytyçi

“Por u gabuam. Nuk llogaritëm forcat e errëta që veprojnë jashtë këtyre partive politike, jashtë Kosovës në Serbi, por edhe brenda të dyja partive fituese të këtyre zgjedhjeve”, tha Bytyçi.

Më tej, Bytyçi, shtoi se Vetëvendosje dhe LDK, taktikisht vepruan në fillim me entuziazëm.

“U duk se gjithçka po shkon më së miri. Por ata që e pengojnë krijimin e koalicionit nuk e patën të vështirë të nxisin oreksin e secilës palë për më shumë pushtet. Rendja për pushtet është shkaku kryesor i mos krijimit të qeverisë në Kosovë. Dikush mendon se është njëra palë fajtore. Jo janë të dyja palët, sepse të dy palët kanë rend madje edhe pas emrave konkretë se kush mund të jetë presidenti i ardhshëm i Kosovës”, tha ai.

Publicisti për “Bota sot”, tha se ka zgjidhje edhe ngërçi që krijohet për shkak të dilemës se kujt i takon presidenti. Kosova është demokraci në zhvillim.

“Kosova ka nevojë për ekuilibër pushtetesh. Prandaj dhe presidentin e vendit nuk mund ta ketë partia që ka nominuar kryeministrin. Vetëvendosja ka kryeministrin dhe presidentin do të duhet ta ketë Lidhja Demokratike. Meqenëse LDK do të ketë kreun e parlamentit, atëherë mund të bëhej një marrëveshje, sipas së cilës, në momentin që zgjidhet presidenti dhe këtë post e merr kjo parti, funksionin e kryetarit të parlamentit t’ia kalojë Vetëvendosjes. Duhen parë nevojat për qeverisje dhe parimet e saj në përcaktimin e pozicioneve. Ndërkaq, nuk e shoh të arsyeshme që njëra parti të ketë edhe ministrinë e Jashtme, edhe atë të Brendshme! Pra duhet balancë, dhe nuk duhet retorikë sipas interesit me kokëfortësi të tipit “Unë i kam fituar zgjedhjet dhe ti i ke humbur ato”! Të dyja partitë janë fituese. Këtë e ka vendos sovrani”, tha ai.

Ai, shtoi se mos krijimi i qeverisë ka pasoja të rrezikshme për Kosovën. Sipas tij, Kosova nuk e ka komoditetin që të qëndrojë çdo dy vjet me 4-5 muaj pa qeveri. Është dëm i madh. Por njerëzit kanë nevoja të përditshme dhe jeta administrative vazhdon.

“Çfarë do të ndodhë, nëse deri në mars Kosova të mos ketë buxhet të miratuar?! Njerëzit mbeten pa paga. Çfarë ndodh me sektorët e ekonomisë që janë në proces reformimi? Kolaps ekonomik, rënie e të ardhurave! Në kushtet e sotme askush në BE dhe strukturat ndërkombëtare nuk merret me Kosovën. Kjo do të thotë vonesa të proceseve integruese. Nuk po flas për paralizën e punës në administratë, në gjyqësor, në agjencitë e zbatimit të ligjit. Të gjitha këto nuk punojnë sa kohë nuk kanë një strategji zhvillimi”, tha ai.

Qeveria e re duhet të krijohet sa më parë

Tutje, Bytyçi, tha se ka nga ata që shqetësohen për dialogun me Serbinë, sa i përket mos pasjes një qeveri fituese.

“Personalisht këtë e quaj avantazh. Sa më gjatë të shtyhet dialogu, aq më mirë do të jetë për Kosovën. Në të vërtetë edhe Beogradi nuk e dëshiron dialogun, sepse në pranverë ata kanë zgjedhje dhe partia në pushtet nuk dëshiron të humbasë elektorat. Por kjo nuk do të thotë se meqenëse Beogradit nuk i konvenon, Prishtina duhet të nxitojë me bisedimet me Serbinë”, tha Bytyçi.

Në fund, Bytyçi, shtoi se bisedimet do të duhet të fillojnë nga e para.

“Me një analizë të zbatimit të marrëveshjeve dhe rivlerësimit të tyre, sepse Hashim Thaçi i ka shit interesat e Kosovës te Serbia për shkak të pushtetit të tij. Pastaj duhet një strategji dhe platformë, përgatitje e mirë dhe pjesëmarrje me të drejtën për të thënë aty shumë të vërteta, të cilat Beogradi ka harruar t’i dëgjojë, sepse Thaçi ka pasur frikë t’i artikulojë. Pra duhet kohë. Megjithatë edhe për këtë arsye qeveria e re duhet krijuar sa më parë”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat