Klithjet e fundit të Rusisë dhe Serbisë para dështimit përfundimtar kundër Kosovës

Politika

Klithjet e fundit të Rusisë dhe Serbisë para dështimit përfundimtar kundër Kosovës

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 13 dhjetor 2019 Në ora: 11:47
Foto ilustrim nga "Bota sot"

Nuk është hera e parë që ambasadori rus në Beograd, Alexander Botsan-Kharchenko, konteston pavarësinë e Kosovës.

Ai ditë më parë e ka quajtur Kosovën ‘një shtet të rremë’ duke shtuar se kjo është ende pjesë e Serbisë, dhe se BE-ja duhet të presë, për t’i pajtuar këto të dyja.

Deklarata e radhës e politikanit nga Rusia e mbështet edhe më shumë pozitën e Qeverisë së Serbisë, e cila po refuzon ta njoh Kosovën që nga shpallja e pavarësisë, më 17 shkurt 2008.

Kujtojmë se pavarësisht këtyre deklaratave të vazhdueshme që vijnë nga Serbia e Rusia, Bashkimi Europium dhe SHBA-të i kanë bërë thirrje Kosovës që ta heqë taksën 100 për qind dhe të kthehen në tavolinën e bisedimeve me Beogradin.

Në këtë mënyrë, sipas tyre, vendi do të arrijë një marrëveshje finale dhe do t’u hapen shumë rrugë dhe procese në integrimet euro-atlantike.

Por, pas kësaj deklarate të shëmtuar nga Ambasadori Rus, kanë reaguar edhe analistë politikë e profesor të politikave të BE-së.

Bytyçi: Refuzimi që iu bë presidentit rus duhet të jetë shkaku i këtij reagimi

Image
Prof. Dr. Asoc. Enver Bytyçi

Profesori marrëdhënieve ndërkombëtare Enver Bytyçi, ka thënë se deklarata e fundit e tij se “Kosova është një shtet i rremë” vjen menjëherë pas takimit të Parisit për çështjen e konfliktit midis Rusisë dhe Ukrainës, ku thembra e Akilit ishte qëndrimi serb në Kosovë dhe ndaj Krimesë.

Sipas tij, nuk është hera e parë që dëgjojmë një deklaratë të tillë nga Ambasadori Rus dhe refuzimi që iu bë presidentit rus Vladimir Putin në Samitin e Parisit, sa i përket Krimesë duhet të jetë shkaku i këtij reagimi nga ana e Ambasadorit rus në Serbi.

“Pra, qëllimi i tij është jo të bëjë diversion mbi Kosovën, por t’i kujtojë partnerëve evropianë se “Kremlini do ta përdorë Kosovën si karrem për të mbrojtur interesat e Moskës në Krime dhe Ukrainë”! Por, ajo që më bëri përshtypje ka të bëjë me faktin se menjëherë pas këtij ambasadori, doli në publik presidenti i Serbisë, Alexander Vuçiq dhe dëshmoi se ende shpreson në diskutimet për kufijtë me Kosovën. Ai i bëri presion Gjermanisë dhe përmendi krahas kësaj edhe Francën me pyetjen retorike se “Për çfarë duhet të flasim atëherë kur nuk do të flasim për kufijtë”?! Dhe përkujtoi se Rusia dhe Kina nuk e njohin shtetin e Kosovës, duke paraqitur këtë fakt si arsyetim të diskutimit për ndryshimin e kufijve në Ballkan”, ka thënë profesor Enver Bytyçi.

Sipas tij, deklarata e Vuçiq na përkujton faktin se ai i rekordon idetë dhe aktet politike me Moskën, por kur përmend krahas Moskës edhe Pekinin, do të duhet të besojmë se lidershipit kinez nuk i pëlqejnë spekulimet politike të Beogradit me politikat e tij.

“Prandaj mund të pritet që një ditë udhëheqësit kinezë t’ia tërheqin vëmendjen liderit serb të Beogradit, që të mos spekulojë kësisoj. Kjo mund të ndodhë edhe për faktin se aleanca kino-ruse nuk është e nuk mund të jetë aq e qëndrueshme, sa të tolerohet çdo lloj spekulimi me palën kineze. Por më shumë sesa deklarata e ambasadorit të Rusisë, deklaratat e presidentit të Serbisë për mohimin e masakrave serbe në Kosovë, dhe kjo e fundit me kërkesën këmbëngulëse për të rikthyer në tryezën e bisedimeve çështjen e kufijve me qëllim cenimin e integritetit territorial janë shkaqe të mjaftueshme për të ndaluar çdo gatishmëri për bisedime të Prishtinës me Beogradin”, ka thënë profesor Enver Bytyçi.

Ai beson se, qeveria e re do të përcaktojë parimet dhe rregullat, si dhe do të vendosë vijat e kuqe, sa i përket rifillimit të dialogut.

“Nga ana tjetër qeveria e re në formim e sipër ka për detyrë t’ia bëjë me dije bashkësisë ndërkombëtare se me asnjë çmim nuk mund të preken ato vija të kuqe, të cilat përcaktohen. Shpresoj që lëshimet e presidentit në detyrë, Hashim Thaçi, i cili thoshte se nuk bisedon me Serbinë për çështje politike dhe shkoi deri te bisedat e fshehta për territorin e Kosovës, në kundërshtim me kushtetutën e vendit, duhet të bëhet mësim i mirë e ky rast të mos përsëritet më. Ndërkaq po shoh se Thaçi ka filluar të bëjë deklarata të përditshme, gjoja në reagim të presidentit Vuçiq. Duket qartë se ai e sheh rolin e vet në bisedimet me Serbinë të konsumuar dhe nuk i mbetet tjetër që dështimin e tij në zbatimin e politikave të Beogradit ta shoqërojë me poza nacionaliste e patriotike. Por, nuk guxon të shkelë vijat e kuqe, të cilat ia ka vënë homologu i tij serb. Duhet theksuar dhe vënë vazhdimisht në dukje se përkrahjen e SHBA-ve dhe vendeve të fuqishme evropiane për pavarësinë e Kosovës e ka konfirmuar Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, kur miratoi rezolutën e saj të 22 korrikut 2010, në të cilën thuhet se pavarësia dhe integriteti territorial i Kosovës janë e drejtë e popullit të Kosovës në pajtim me të drejtën ndërkombëtare dhe me Rezolutën 1244 të LS të PKB-së”, ka thënë profesor Enver Bytyçi.

Sipas tij, kësisoj liderët shqiptarë të Kosovës kanë argumentin juridik ndërkombëtar për ta mbrojtur fort pozicionin e tyre në raport me Serbinë në dialogun Prishtinë-Beograd me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian.

“Ekipi negociator i Kosovës do të ketë një pozicion të përforcuar në këto bisedime edhe për shkak të se shefi i ri i Politikave të Jashtme dhe Sigurisë të BE-së, është kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan. Madje ai do të jetë gjithashtu kundër krijimit të një Republika Srpska në veri të Kosovës, sepse do të shërbente si precedent për Katalonjën në vendin e tij. Ndërkaq lidershipi i ri, nuk duhet t’i marrë seriozisht iniciativat e Parisit dhe ndërmjetësimet e Macron në dialogun Prishtinë-Beograd. Si Parisi mundet që çdo vend të marrë një iniciativë si kjo. Me rëndësi është qëndrimi i përbashkët e vendeve anëtare të BE-së dhe kontributi i Komisionit Evropian”, ka thënë profesori ndërkombëtar Enver Bytyçi.

Shahu: Amerika mund të bëjë shumë lëshime për Rusinë por nuk i lëshon kurrë shqiptarët për hatër të Rusisë apo Serbisë

Image
Rexhep Shahu

Analisti politik Rexhep Shahu, ka thënë se Rusia asnjëherë në jetën e saj, nuk ka mund ta pengojë Kosovën dhe ndonëse vonon, megjithatë nuk ka fuqi ta pengojë, sepse Rusia asnjëherë nuk ka qenë, e as nuk është Amerikë apo fuqi që mund ti vendos gjërat.

Sipas tij, Amerika mund të bëjë shumë lëshime për Rusinë por nuk i lëshon kurrë shqiptarët për hatër të Rusisë apo Serbisë.

“Ambasadori rus edhe Rusia vetëm një gjë kanë në dorë, fjalët e deklaratat por fati i Kosovës është përtej dëshirave e interesave ruse. Aq sa ishte e fuqishme Rusia kur ushtarët e saj hynë në aeroportin e Prishtinës në kohën e luftës me 1999 dhe u dëbuan si lepuj dhe u lypnin cigare shqiptarëve, aq është edhe sot e fuqishme. Deklaratat ruse kanë vetëm vlerë mediale dhe kënaqin veten e tyre rusët kur bëjnë deklarata, por vlerë e fuqi vendosëse nuk ka Rusia për Kosovën e të ardhmen e saj euroatlantike”, ka thënë analisti politik Rexhep Shahu.

Meha: Deklaratën e ambasadorit rus, është një klithje e fundit para dështimit përfundimtar të projektit çeçen në Kosovë

Image
Xhevat Meha

Kurse analisti politik Xhevat Meha ka thënë se një deklaratë e tillë nuk është fare befasi.

Ai madje ka treguar se ka shkruar edhe një libër me këtë çështje, ku Rusia u dobësua pas rënies.

“Nuk është befasi as për ata/ato që kanë lexuar librin tim të botuar në vitin 2016 “ Syri dhe mendja e qytetarit përballë shërbimeve të fshehta serbe” i botuar në vitin 2016. Në këtë libër kam shkruar se kur Rusia u dobësua pas rënies së komunizmit, populli çeçen fillon luftën për shkëputje nga Rusia. Dhe në atë kohë njëri nga shefat e KGB-se rus ka qenë Putini ai i cili ka zbatuar projektin përmes të cilit ka instalua agjentet e vet komandantë kryesor të ushtrisë çeçene. Dhe pas periudhës së luftimeve, ulen në bisedime ku arrihet edhe marrëveshja që për 5 vite Çeçenia do të jetë e lirë dhe pas kësaj periudhe populli me referendum do te vendos se a dëshirojnë të janë të pavarur a pjesë integrale e Rusisë. Për 5 vite, komandantët çeçen agjente të Putinin nuk kanë lënë gjë të zezë pa bërë në popullin e tyre. Kur është organizuar referendumi populli çeçen ka votuar me 2/3 të jetë pjesë integrale e Rusisë vetëm e vetëm që të lirohet nga sundimi i komandantëve të vet”, ka thënën analisti politik Xhevat Meha.

Sipas tij, ky skenar është zbatuar edhe në Kosovë, mirëpo kushtet këtu janë të ndryshme nga çeçenia, sepse këtu kemi prezencën ndërkombëtare.

“Deklarata e ambasadorit rus vjen në kohën kur sipas këtij projekti Kosova nuk duhej të ishte shtet. Kjo deklaratë vjen rrjedhshëm si ngjarje pasuese e shumë ngjarjeve tjera. Zyrtarët e lartë serb ka disa vite që për Kosovën kanë folur si një projekt i dështuar për të përgatitur terrenin diplomatik që si zgjidhje të jetë kthimi i administrimit të Serbisë në Kosovë. Dhe për këtë kanë krijuar të gjitha kushtet e duhura sipas projektit. Aq shumë janë lodhur e mërzitur populli nga sundimi i komandantëve të UÇK-së agjentë të Serbisë sa sot nuk mund të gjejsh ndonjë të ri a të re që me dëshirë planifikon të ndërtoj ardhmërinë në Kosovë”, ka thënë analisti politik Xhevat Meha.

Sipas tij, po të organizohej një referendum si në Çeçeni, nuk do të ishte befasi nëse një shumicë do të votonte që Kosova të jetë pjesë integrale e Serbisë.

“Deklaratën e ambasadorit rus, pra e shoh edhe si klithje e fundit para dështimit përfundimtar të projektit çeçen në Kosovë. E shoh si klithje të dëshpëruar, sepse ky projekt ka dështuar për faktin se pavarësia e Kosovës është e përkrahur nga vendet e fuqishme perëndimore”, ka thënë analisti politik Xhevat Meha.

Ahmeti: Deklarata të tilla duhet dënuar brenda gjuhës diplomatike, pasi nuk ndihmojnë në ndërtimin dhe frymën e raporteve bilaterale

Image
Hidajet Ahmeti

Kurse analisti politik Hidajet Ahmeti, ka pohuar se këto deklarata janë të pamatura dhe të pagjykuara në kuptimin e gjuhës diplomatike dhe kodit etik të mirësjelljes.

Ai konsideron se, deklarata të tilla duhet dënuar brenda gjuhës diplomatike, pasi nuk ndihmojnë në ndërtimin dhe frymën e raporteve bilaterale, por mbi të gjitha nuk ndihmojnë në dialogun ndërmjet dy shteteve.

“Kosova si shtet, de jure është e njohur ndërkombetarisht në mbi 100 shtete dhe deklarata të tilla jashtë çdo kodi të gjuhës diplomatike nuk prodhojnë asnjë efekt në rendin ndërkombëtar. Shteti i Kosovës është një fakt i pamohueshëm në rendin ndërkombëtar dhe çdo tendencë për ta de faktuar nga shtetet keqdashëse nuk ndihmon në raportet bilaterale, të cilat përveç që janë të nevojshme janë edhe të domosdoshme ‘ka thënë analisti politik Hidajet Ahmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat