Kur kryeministri i Shqipërisë dhe presidenti i Serbisë bashkohen për izolimin dhe zhbërjen e shtetit të Kosovës!

Politika

Kur kryeministri i Shqipërisë dhe presidenti i Serbisë bashkohen për izolimin dhe zhbërjen e shtetit të Kosovës!

Prof. dr. Enver Bytyçi Nga Prof. dr. Enver Bytyçi Më 24 dhjetor 2019 Në ora: 11:42
Edi Rama, Aleksandar Vuçiq

Së pari, është krejt e qartë se Edi Rama bashkëpunon më Aleksandër Vuçiq kundër Kosovës, kundër shtetësisë së saj, kundër interesave të saj dhe të kombi shqiptar. Pyetja pa përgjigje është: Pse e bën ai këtë? Sepse kryeministri i Shqipërisë nuk ka familje. Duke mos pasë familje, nuk mund të ketë as atdhe! Mesazhi është i qartë: Shqiptarët në Shqipëri kur zgjedhin dikë nisen nga ideologjia dhe jo nga interesat kombëtare. Kjo do të thotë se ata zgjedhin "të fortin" që mbron ideologjitë e kaluara, pavarësisht interesave nacionale.

Një intervistë e ballkanologut dhe diplomatit të shquar amerikan, Eduard P. Joseph, dhënë autoritetit tjetër në fushën e ekspertizës ballkanike, Janusz Bugajski, na zbulon shumë qartë rolin dhe bashkëpunimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, me qëllim izolimin e Kosovës, çka do të thotë zhbërjen e shtetit të Kosovës.

Përmbajtja e kësaj interviste na bën me dije se ky bashkëpunim është e duhet të jetë kambanë alarmi për politikën shqiptare në tërësi, si dhe për opinionin publik shqiptar në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Luginën e Preshevës si dhe kudo ku jetojnë dhe frymojnë shqiptarët në diasporë.

Me qëllim që të mos u lëmë shteg (keq)interpretimeve, kam zbardhur intervistën e lansuar në internet dhe po e jap për lexuesin të plotë.

- Bugajski: T'ju pyes çfarë është kjo lidhje e kohëpaskohshme e Ramës me Vuçiqin, çfarë po ndodh prapa skenave mes tyre?

- Eduard Joseph: Besoj se kjo pyetje zgjon shumë më shumë interesim kur bëhet në raport me Edi Ramën, sesa nëse bëhet në lidhje me Vuçiqin. Tek Vuçiqi është e qartë: Të izolojë Kosovën. Pra nëse Beogradi mund të kultivojë marrëdhënie më të afërta me Tiranën dhe Kosova nuk është pjesë e atij ekuacioni, atëherë kemi izolim të Kosovës.

- Bugajski: Nuk ka nevojë që të njihet ajo?

- Eduard Joseph: Po pra. Nga pikëpamja e Beogradit është taktikë krejt e qartë. Pyetja reale është pse e bën Rama këtë, si dhe si strukturat politike e lejojnë Ramën që të veprojë në atë mënyrë që dëmtojë interesat e Kosovës? Kjo është pyetja.

- Bugajski: Atëherë si e shihni ju këtë? Pse po e bën Rama këtë? Pse po i bën Rama këto bisedime prapa skene? Ai bile edhe ka folur për këmbime territoriale e të tjera. Çfarë po ndodh?

- Eduard Joseph: Përgjigja më e shkurtër këtu do të ishte: Nuk e di, nuk e di. Por besoj isha i qartë në formulimin e përgjigjes time. Këtu pyetjen do ta ndaja edhe më tutje. Pyetja se çfarë loje po luan Rama këtu është vetëm një pjesë e pyetjes se si dinamika, politika në Shqipëri lejon që ai të bëjë kësi veprimesh që dëmtojnë interesat e Kosovës.

Nga gjithë kjo sa paraqitëm më lart dalin disa përfundime:

Së pari, është krejt e qartë se Edi Rama bashkëpunon më Aleksandër Vuçiq kundër Kosovës, kundër shtetësisë së saj, kundër interesave të saj dhe të kombi shqiptar. Pyetja pa përgjigje është: Pse e bën ai këtë? Sepse kryeministri i Shqipërisë nuk ka familje. Duke mos pasë familje, nuk mund të ketë as atdhe! Mesazhi është i qartë: Shqiptarët në Shqipëri kur zgjedhin dikë nisen nga ideologjia dhe jo nga interesat kombëtare. Kjo do të thotë se ata zgjedhin "të fortin" që mbron ideologjitë e kaluara, pavarësisht interesave nacionale. Edi Rama është përfaqësues tipik i ideologjive internacionaliste e kozmopolite, që në dëm të interesave kombëtare bashkëpunon me armiqtë e kombit shqiptar. Interesat personale për pushtet e pasuri janë interesat primare të tij. Këto interesa ia plotëson platforma Soros, por jo edhe platforma e mbrojtjes së interesit kombëtar.

Së dyti, kur pranojmë se Edi Rama nuk ka atdhe, atëherë nuk ka nevojë të thuhet se edhe "patriotizmi" i tij i nëntorit 2014, kur kërkoi në Beograd njohjen e Kosovës, ka kuperturën dhe alibinë e justifikimit të shitjes së interesave të saj. Fatmirësisht këtë konstatim e kam shkruar dhe publikuar që në atë kohë, si paralajmërim për zhvillimet në ardhje. Nëse ai thotë tani se "dje isha patriot, ndërsa sot qenkam bërë tradhëtar", kjo shpreh thjesht alibinë e tij për të maskuar veprimet anti-kosovare e antishqiptare të sotme të tij. Deklarata e tij në Beograd del qartë si deklaratë e planifikuar dhe e projektuar për të justifikuar ndryshimin e kufijve, ndarjen e Kosovës, izolimin e saj dhe zhbërjen e shtetësisë së saj. Këto akte ai i ka kryer dhe I kryen duke rekrutuar disa politikanë në Kosovë, përfshirë presidentin e saj, Hashim Thaçi, si dhe duke bashkëpunuar ngushtë sipas një regjie beogradase-serbe me Baton Haxhiun dhe grupin mediatik të tij.

Së treti, Konflikti politik që Rama ka shkaktuar në Shqipëri, me liderët e Kosovës dhe më tej në hapësirën politikë shqiptare në Ballkan, rezulton të jetë pjesë e strategjisë së dobësimit të faktorit shqiptar dhe promovimit të faktorit serb në rajonin tonë. Po të verifikojmë sipërfaqshëm këtë realoitet, atëherë nuk është vështirë të dallojmë se si Edi Rama provokon, fyen dhe injoron çdo kundërshtar të tij në Shqipëri, Kosovë e më gjerë. Ndërkohë që ai ka gjetur konsnsus të plotë me të gjitha projektet, strategjitë dhe interesat e Beogradit dhe të Aleksandër Vuçiq. Edhe në komunikimin e fundit, sa i përker pikëpamjes së presidentit serb për Reçakun, kryeministri i Shqipërisë iu përgjigj me një lloj komunikimi as pajtues, as kundërshtues. "Nuk jam dakord në këtë pikë me presidentin e Serbisë", tha ai. Le të gjejë dikush një përgjigje dhe një komunikim kaq elegant të Edi Ramës me Lulzim Bashën, Ramush Haradinajn, Sali Berishën dhe kundërshtarë të tjerë shqipfolës dhe unë do ta justifikoj një përgjigje si kjo në adresë të Aleksandër Vuçq!

Kësaj strategjie i shërben gjithashtu iniciativa serbo-ruse e minishengenit ballkanik. Nëse Edi Rama do të ishte patriot shqiptar, ka pasur kohë që të punonte e të realizonte një "minishengen ballkanik" drejt perëndimit me pjesëmarrjen e Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kroacisë, të cilit do t'i ishte bashkëngjit edhe Kosova e Maqedonia dhe besoj Bosnjë-Hercegovina e më në fund ndoshta Serbia. Por Rama zgjodhi drejtimin në Lindje, kah Beogradi e Moska.

Së katërti,intervista e mësipërme zbulon dobësinë e faktorit politik shqiptar. Ajo intervistë është thirrje e hapur për politikën shqiptare që ta izolojë Edi Ramën dhe veprimtarinë e tij antishqiptare e proserbe. Ramush Haradinaj dhe Albin Kurti nuk e kanë më Edi Ramën vëlla. Vëlla i Edi Ramës tashmë është shpallur Aleksandër Vuçiq. As Lulzim Basha nuk duhet të llogarisë në ndonjë bashkëpunim politik me Edi Ramën. Vëllazëria Rama-Vuçiq e përjashton çdo mundësi për ta respektuar Edi Ramën si person ose si kryeministër dhe për të bisëduar me të për zgjidhjen e ndonjë konflikti ose problemi. Nëse Edi Rama përpiqet ta zhbëjë Kosovën përmes izolimit të saj, duke kryer një detyrë patriotike serbe, politika shqiptare nuk mund të qëndrojë në pozitat e konstatimit. Nëse vijon këtë qëndrim, ajo do të konsiderohet gjithashtu fajtore dhe bashkëpunëtore në realizimin e projekteve antishqiptare të Beogradit dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama!

Shkruar ekskluzivisht për gazetën "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat