Albin Kurti e përkujtoi me fjalë, por a do ta bëjë hapin historik që ta vizitojë varrin e Ibrahim Rugovës?

Politika

Albin Kurti e përkujtoi me fjalë, por a do ta bëjë hapin historik që ta vizitojë varrin e Ibrahim Rugovës?

Nga: N.Sh. Më: 21 janar 2020 Në ora: 12:55
Foto ilustrim nga "Bota sot"

Ishte 21 janari i vitit 2006, kur presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova ndërroi jetë.

Në 14 vjetorin e ndarjes nga kjo botë të arkitektit të shtetit të Kosovës, e kanë përkujtuar të gjithë liderët politik në Kosovë.

Rugova ishte presidenti i parë i Kosovës dhe poashtu kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, parti kjo që i priu nga themelimi i saj në vitin 1989, e deri në vdekje.

Prej këtyre liderëve e veprimtarëve politik edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti e ka përkujtuar Rugovën, por ai ka zgjedhur një mënyrë tjetër.

Kurti, ka cituar historianin Noel Malcolm i cili ka thënë se presidenti Ibrahim Rugova, në njërën anë, i ka bashkuar shqiptarët e Kosovës kundër Serbisë, ndërkaq, në anën tjetër, e ka ndërkombëtarizuar çështjen e Kosovës.

I pari i LVV-së, ka publikuar po ashtu edhe një pjesë të intervistës së Ibrahim Rugovës, ku ai kishte folur për bashkimin me Shqipërinë.

Kurti ka thënë se Rugova ka qenë kritik letrar i kalimit nga strukturalizmi te post-strukturalizmi francez gjatë viteve të 70-ta, intelektual i angazhuar e humanist që ka evituar konfliktet, njeri racional i pasionuar me gjuhën si histori dhe si institut, dhe, shqiptar i urtë që e don popullin e vet ashtu siç ai është.

Kurti në Velani?

Image

Mirëpo, a do të shkon Kurti ta viziton varrin e Ibrahim Rugovës në Velani?

Sipas burimeve të gazetës “Bota sot”, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i mandatuar nga Thaçi për kryeministër që të qeverisë me vendin, ndoshta edhe mund ta bëj këtë.

Burimi ynë, ka thënë se Kurti është menduar që ta bëj vizitën e tij historike te varri i Rugovës.

Megjithatë, mbetët të shihet nëse Kurti e merr këtë hap jashtëzakonisht të madh.

Kurti tregon pse nuk e viziton varrin e Rugovës

Image

Kurti ishte pyetur disa herë se pse nuk e viziton varrin e Rugovës. Për këtë ai ishte përgjigjur se kjo kërkesë për të është nga ata që dëshirojnë ta largojnë partinë e tij prej LDK-së.

Ai thotë se nuk e sheh të sinqertë as shkuarjen e disa të tjerëve te varri i Presidentin Rugova.

“Nuk mendoj se besimi nuk duhet të jetë për atë gjest [shkuarjen te varr]. Nëse e shihni se kush sot po shkon te varri i Ibrahim Rugovës, atëherë shihet se sa vlerë ka ajo”, ka thënë lideri i VV-së.

“Kur është njeriu aktual ne kemi kritika të mëdha. Sot kur nuk është në mes nesh, nuk mund ta kem qëndrimin e njëjtë si në vitin ’97, por s’mund të kalojë nga një ekstrem deri në një tjetër”, është shprehur Kurti.

“Unë nuk kam shkuar tek varri i Rugovës, përveç tjerash se njerëzit nga LDK, janë më së paku që kisha dashur të ma kërkonin një gjë të tillë, insistonin që unë të shkoj, ai është një gjest simbolik, të cilit unë nuk dua t’ia jap vlerën artificiale, por po them kështu ishte deri më tani”, kishte deklaruar Kurti.

Vizita e Kurtit në Bosnjë

Image

Kurti është kritikuar që nuk e ka viztuar asnjëherë varrin e Ibrahim Rugovën, e në anën tjetër ka vizituar varrin e Alisa Izetbegoviqit në Bosnjë.

Pak kohë më parë, lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti gjatë një vizite në Bosnjë e Hercegovinë kishte vizituar varrin e ish – kryetarit të parë të Bosnjës, Alija Izetbegoviqit si dhe monumentin për fëmijët sarajevas të vrarë.

“Gjenocidi në Kosovë i pranverës së vitit 1999, u zbatua nga operacioni ushtarak i Serbisë ‘Patkoi’ i cili i dëboi rreth 860 mijë shqiptarë nga Kosova dhe vrau afër 10 mijë civilë të paarmatosur. Gjenocidi në Sarajevë u zbatua përgjatë gati katër vjetëve, saktësisht 1.425 ditëve, aq sa zgjati rrethimi i hekurt i qytetit. U vranë 11.541 civilë (nga të cilët 1.601 fëmijë) kurse u plagosën a lënduan mbi 50 mijë të tjerë. Për çdo ditë mbi qytet binin mesatarisht 329 granata. Gjatë qëndrimit në Sarajevë bëra nderim dhe vendosa lule të freskëta te varri i kryetarit të parë të B&H, Alija Izetbegovic, dhe te monumenti i fëmijëve sarajevas të vrarë gjatë luftës”, kishte shkruar Kurti në Facebook për vizitën e tij në Bosnje.

Kurti në shtëpinë e pavarësisë “Dr. Ibrahim Rugova”

Image

Kurti edhe pse nuk shkon në Velani, ai e kishte vizituar shtëpinë e pavarësisë “Dr. Ibrahim Rugova”.

Gjatë kohës së fushatës në Kosovë, pak muaj më parë, Albin Kurti i cili ishte kandidat për kryeministër, e që edhe i fitoi zgjedhjet e 6 tetorit, e kishte vizituar edhe Shtëpinë  e Pavarësisë së Kosovës “Dr. Ibrahim Rugova”.

Kurti kishte thënë se në këtë shtëpi, e cila dikur ka qenë Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës presidenti Rugova ka filluar veprimtarinë e tij politike.

“Në këtë shtëpi po ashtu bashkë me Adem Demaçin në vitin 1998-99 kemi mbajtur mbi 15 konferenca shtypi si zyrë e përgjithshme e përfaqësisë politike të UÇK-së 6 prej të cilave i kam mbajtur unë vetë pa bacën Adem. Me presidentin Rugova unë jam takuar këtu në vitin 1997 dhe takimet tona kanë qenë konstruktive, edhe atëherë kur nuk jemi pajtuar. Unë e vlerësoj për insistimin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe kundër okupimit të Serbisë. Para 30 vjetëve janë disa intervista dhe deklarime të presidentit historik Ibrahim Rugova  se pavarësia e Kosovës është kompromis dhe unë besoj që kjo është një gjë që duhet vlerësuar”, kishte thënë Albin Kurti

Mendimi i Kurtit për Rugovën

Image

Albin Kurti ishte pyetur edhe për atë se çfarë mendon për ish-presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova.

Kurti ka thënë që e ka përkrahur shumë në fillimet e tija si politikan, madje edhe do ta kishte votuar, po të kishte moshën.

“Në vitin 1992 më 24 maj kur janë mbajt zgjedhjet e para në Kosovën e shpallur të pavarur, paraprakisht në shtatorin e vitit 1991 ishte referendumi, në korrikun 1990 ishte deklarata kushtetuese dhe mund të them që Lidhja Demokratike e Kosovës e prirë nga Ibrahim Rugova nga themelimi në dhjetorin e vitit 1989 deri në verën e vitit 1992 është për çdo lavdatë, pra është një subjekt i cili e bashkoj popullin dhe ishte në ballë të rezistencës, unë nuk kam votuar për Ibrahim Rugovën më 24 maj 1992, pasi nuk kam pasur moshën e duhur për këtë, prindërit e mij e kanë votuar, po ta kisha moshën do ta votoja edhe unë”.

Por, sipas Kurtit, dallimet filluan pas vitit 1992.

“Pas verës 1992 meqenëse në vjeshtën pasuese nuk konsolidoheshin institucionet dhe sistemi paralel siç quhej i Republikës së Kosovës, mirëmbahej përgjithësisht vetëm nga arsimi e jo edhe nga politika, unë besoj se kjo e degradoj rezistencën aktive në pasive, e këtu ka lindur pastaj mospajtimi im, pra unë e vlerësoj shumë Ibrahim Rugovën, për rolin e tij në gati 3 vitet e para të LDK-së, mendoj që është i pashembullt dhe unë para kësaj Rugovën e kam njohur vetëm si njeriu i cili ka shkruar parathënien e botimit të veprave të Kadaresë nga Rilindja, vetëm atë pjesë kisha lexuar më vonë kam lexuar edhe punimet e veprat e tjera, mirëpo para se ai të hyjë në politikë unë vetëm këtë kam pasur të lexuar është një parathënie shumë e mirë. Gjatë viteve të 90-ta më pastaj kemi kaluar në fazën e mos-pajtimit, unë kam qenë student i cili ka dashur rezistencë aktive po jam pajtuar me qëllimin e Rugovës, ka qenë qëllimi i gjithë popullit, ndërkaq unë besoj që aj ka performuar një rezistencë pasive”.

Megjithatë, Kurti përmend një deklaratë të Ibrahim Rugovës, për të cilën thotë që kishte shumë të drejtë.

“Gjithashtu e vlerësoj edhe deklaratën e tij në kuadër të një interviste për një revistë gjermane, se pavarësia e Kosovës është kompromis se në fakt Shqiptartë e duan bashkimin kombëtar, por pavarësia e Kosovës është kompromis, pra ne po e kërkojmë këtë por mos mendoni që dëshira jonë është e reduktueshme në këtë pjesë dhe unë mendoj që ajo ka qenë shumë me vend”.

Merovci tregon çfarë mendonte Rugova për Kurtin

Image

Adnan Merovci, bashkëpunëtor i ngushtë i Presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, kishte folur për raportet që kishte ky i fundit, me Albin Kurtin.

Merovci ka përmendur një nga momentet kur atëbotë Albin Kurti kishte shfaqur dëshirë ta takonte Ibrahim Rugovën.

”Ibrahim Rugova, për një arsye dhe tjetër, ka qenë dhe mbetet i zhveshur nga të gjitha atributet tjera, madje ish dashur edhe populli në aspektin moral ta pranojë se ka qenë një dijetar”.

”Ibrahim Rugova vërejtjet i ka shprehur kudo që i kishte. Albin Kurti ka qenë student”.

”E kam pritur për tu takuar me Ibrahim Rugovën, patën dashtë me hy me zor, Albin Kurti pat thënë: ‘’jo me zor nuk hy se është i zënë njeri’’.

”Insistojshin me hy në takim. Ata donin ta takonin dhe të merrnin mendim për çështjen e demonstratave”.

Por cili ka qenë atëbotë, mendimi i presidentit Ibrahim Rugova, ndaj Albin Kurtit?

”Mendim në nivel të lartë, superlativ. Ibrahim Rugova në paraqitjet publike kurrë s’ka folur për njerëz. Ai nuk është marrë me këto çështje dhe me njerëz”.

”Çështja e Ibrahim Rugovës e prek edhe aspektin moral njerëzor. Ibrahim Rugova ka qenë dijetar, dhe e di këtë e krejt bota”.

”Pasuria më e madhe kombëtare, pas Hasan Prishtinës, quhet Ibrahim Rugova. Unë kam qenë një shërbëtor që kam zënë vendin e 2 milionë shqiptarëve”.

Albin Kurti viziton varrin e Sami Frashërit në Turqi

Image

Ndryshe nga kjo, Kurti e kishte vizituar edhe varrin e Sami Frashërit në Turqi.

Gjatë një vizite në Turqi, Kurti ka vizituar varrin e veprimtarit të çështjes kombëtare Sami Frashëri, me rastin e 115 vjetorit të vdekjes së tij. Varri i Sami Frashërit dhe gruas së tij gjendet në qytetin e Ferikoy.

“Mbrëmë, me rastin e 115 vjetorit të vdekjes së Sami Frashërit, me Mytaherin, Albulenën, Fitoren, Arbenin dhe Arbërin, vizitova Qendrën e Kulturës Shqiptare "Shemsettin Sami Frashëri" në Ankara. Përveç ambasadorit tonë z.Avni Spahiu, aty na pritën edhe studentët shqiptarë: Hysen Mustafa nga Presheva, Fehmi Mehmeti dhe Feston Hajdini nga Skënderaj, Besir Zeneli nga Shkupi, Arbër Thaçi nga Kastrioti, Flamur Ismaili nga Gostivari, Arbnor Murati nga Ulqini, Era Domi nga Tirana dhe Agon Besimi nga Prizreni.

Ndërkaq sot në mëngjes, vizituam varrin e Sami Frashërit në Feriköy në Stamboll ku bëmë homazhe dhe vendosëm lule të freskëta. Sivjet janë mbushur 120 vjet të veprës madhështore të tij "Shqipëria, çka qënë, ç'është dhe ç'do të bëhetë". Pranë varrit të Samiut, rilindasit tonë enciklopedik, ndodheshin edhe varri i gruas së tij Emines që ka qenë shtatzënë me djalin Sylejmanin kur ka vdekur, djali i Sami Frashërit, Ali Sami Yen i cili është themeluesi i klubit sportiv "Galatasaray", vajza e tij Samiye dhe burri i saj Raşit Erer, ministri i parë i arsimit dhe vakëfeve (Maarif) në Republikën e Turqisë”, kishte shkruar Kurti në Facebook.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat