Dora e fuqishme e SHBA-së ndjehet në dialogun Kosovë-Serbi

Politika

Dora e fuqishme e SHBA-së ndjehet në dialogun Kosovë-Serbi

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 29 janar 2020 Në ora: 08:03
Richard Grenell

Së fundmi u arrit marrëveshja për hapjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd, ndërsa pas kësaj, kanë filluar bisedimet për rivendosjen e linjës hekurudhore midis Prishtinës dhe Beogradit, me ndërmjetësimin e të dërguari të presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell, i cili ka thënë se bisedimet për këtë kanë shkuar mirë.

Përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë u takuan të hënën në Berlin, nën ndërmjetësimin e Grenellit.

"Kemi bërë përparim të mirë këtë mëngjes, duke lëshuar një Letër Synimi për bashkëpunimin hekurudhor. Diskutimet kanë shkuar aq mirë saqë kemi biseduar edhe për çështje të tjera. Do të punojmë për të përfunduar Letrën e Synimit për hekurudhat, përmes postës elektronike, gjatë javës së ardhshme ose më vonë. Dua t'i falënderoj përsëri ekspertët nga Serbia dhe Kosova, që kanë udhëtuar sot në Berlin për këto bisedime", tha Grenell në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, duke mos dhënë më shumë detaje për temat e diskutuara.

Për këtë, kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha të hënën se infrastruktura hekurudhore e Kosovës është shumë e dobët dhe pothuajse jofunksionale.

"Hekurudhat tona që na lidhin me Serbinë, janë në gjendje shumë të keqe. Jemi në proces rinovimi. Është një projekt i madh me Bashkimin Evropian. Një marrëveshje me Serbinë për trafikun nuk do ta dëmtojë Kosovën ", ka thënë Haradinaj.

Gaxherri: SHBA po na bën me dije se nuk ka kohë për të humbur

Lidhur me këto bisedime për linjën hekurudhore Kosovë-Serbi dhe se a ka filluar dialogu në mes të dyja shteteve në heshtje, deputetja nga radhët e LDK-së, Besa Gaxherri, ka thënë se SHBA përmes Grenell-it po jep sinjale që problemet mes dy shteteve mund të zgjidhen dhe po i jep mesazh BE-së që të ketë më pak burokraci.

Image
Besa Gaxherri

“SHBA, përmes ambasadorit Grenell, po na jep sinjal se problemet në mes dy shteteve mund të zgjidhen. Me këtë rast SHBA po i jep sinjal BE-së se duhet të ketë më pak burokraci e më shumë pragmatizëm si dhe SHBA në këtë rast administrata e Trump-it do të ketë arritje në politikat e jashtme, në këtë rast në Ballkan sepse ata janë në fushatë zgjedhore, në këtë trekëndësh Kosova duhet të jetë e gatshme të përfitojë dhe njëkohësisht të jetë e kujdesshme në hapat e veprimit”, është shprehur ajo.

Gaxherri ka vlerësuar se SHBA e ka vënë në lëvizje dialogun Kosovë-Serbi për të na treguar se nuk kanë kohë për të humbur.

“Fatkeqësisht Kosova ka probleme me ngërç politik për formimin e institucioneve dhe kjo është tejet e dëmshme për ne. Fuqia politike e taktike e SHBA-së e ka vënë në lëvizje dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë për të na bërë me dije se nuk kanë kohë për të humbur apo nuk kanë kohë të na presin ne. Kjo do jetë edhe taktikë e SHBA-së se kinse Serbia është bashkëpunuese edhe pa largimin e taksës dhe pas këtyre veprimeve të Serbisë ata do kërkojnë nga ne heqjen e taksës dhe vazhdimin e dialogut. Kosova duhet urgjentisht ta ketë qeverinë e vet dhe t’i vë institucionet shtetërore në funksion për zgjidhjen e dialogut por edhe të gjitha problemeve tjera që ka vendi”, ka deklaruar Besa Gaxherri për “Bota sot”.

Tahiri: Kosova përfiton nga marrëveshja për hekurudhat

Ndërsa, politologu Ramush Tahiri, ka thënë për gazetën “Bota sot” se sialoguështë rikthyer me ndërmjetësim të Amerikës.

Image
Ramush Tahiri

“Dialogu është rikthyer i sigurt në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës e Serbisë tash me ndërmjetësimin amerikan dhe të marrëveshjeve të mëhershme iu shtuan edhe dy, ai për lidhjen ajrore Prishtinë Beograd dhe për lidhjen hekurudhore Fushë Kosovë-Beograd përkatësisht Fushë Kosovë-Nish. Me këtë Kosova lidhet me korridoret evropiane hekurudhore dhe rrugore Tetë dhe Dhjetë...”, ka thënëTahiri.

Ai thotë se me linjën hekurudhore Kosova përfiton, pasi lidhet me korridoret evropiane.

“Kosova përfiton nga këto marrëveshje sepse padrejtësisht deri tash mbeti e izoluar nga Evropa dhe e bllokuar nga Serbia në qasjen e lejekalimit nëpër territorin e saj ajror e tokësor si ndalesë për Kosovën. Nuk është me rëndësi si e nga kush është nënshkruar marrëveshja dhe në cilin nivel nga Kosova e në cilin nivel nga Serbia”, është shprehur ai.

Politologu vlerëson se është e rëndësishme që marrëveshjet të jenë në dobi të të gjithë qytetarëve.

“Më e rëndësishme është që këto marrëveshje të përjetësohen duke qenë në dobi të të gjithë qytetarëve pa dallim. Gjithashtu më vjen mirë që pushuan krekosjet e vetëlavdimit mbi udhëheqjes së Kosovës se ata i kanë ndërprerë marrëdhëniet deri në njohje nga Serbia”, ka deklaruar Ramush Tahiri për “Bota sot”.

Haxholli: SHBA-të janë partner kyç në shtet-ndërtimin e Kosovës

Kurse, Violeta Haxholli nga KDI, ka thënë se marrëveshje për linjën ajrore dhe bisedimet për atë hekurudhore, janë në kuadër të procesit të dialogut Kosovë-Serbi.

Image
Violeta Haxholli

“Iniciativat e fundit, pra arritja e marrëveshjes për linjën ajrore dhe bisedimet për arritjen e një marrëveshje për hekurudhat është në vazhdën e përpjekjeve të shtuara të SHBA-ve në procesin e dialogut Kosovë - Serbi. Që kur ka filluar faza e re e dialogut, ne kemi parë një përfshirje më të madhe të SHBA-ve në këtë proces me letrat e Presidentit Trump dhe të emëruarve të posaçëm amerikanë për dialogun”, është shprehur Haxholli për “Bota sot”.

Sipas saj, është pozitive për Kosovën dhe është pozitive që Serbia është rikthyer në dialog.

“Kjo është pozitive për Kosovën meqenëse SHBA-të janë partner kyç në shtet-ndërtimin e Kosovës. Njëherësh është pozitive e Serbia është rikthyer në dialog edhe pse përfaqësuesit serb patën deklaruar se nuk rikthehen në dialog pa u pezulluar taksa. Kjo do të thotë që Serbia ka lëvizur nga ky pozicion me faktin qëështë rikthyer në dialog dhe ka arritur marrëveshje të re me Kosovën.Megjithatë progresi i mëtutjeshëm në procesin e normalizimit varet nga vullneti i të dy palëve për të arritur marrëveshjen finale”, ka deklaruar Violeta Haxholli për “Bota sot”.

Ndryshe, javën e kaluar u arrit marrëveshja për trafikun ajror me ndërmjetësimin e Grenellit, ku palët ranë dakord për vendosjen e një linje të drejtpërdrejtë ajrore midis Prishtinës dhe Beogradit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat