Edi Rama po i përgatitë “kurthin” Albin Kurtit? - Bota Sot
Edi Rama po i përgatitë “kurthin” Albin Kurtit?

Politika

Edi Rama po i përgatitë “kurthin” Albin Kurtit?

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 24 shkurt 2020 Në ora: 08:06
Albin Kurti dhe Edi Rama, foto ilustrim nga "Bota sot"

Edhe pse Kosova tashmë ka 21 vite që është liruar nga okupimi serb, ende Serbia punon që të vazhdojë copëtimin e saj. Përkundër që vendi ynë më 17 shkurt festoi 12 vjetorin e Pavarësisë, ka individë të cilët punojnë në ndarjen e saj.

Gjatë viteve të fundit u publikua një ide e re për shkëmbimin e territorit të Kosovës, por një gjë e tillë nuk u realizua. Në këtë ide u tha që pjesa veriore e Kosovës ti kalojë Serbisë, ndërsa Kosova Lindore, siç njihet si Lugina e Preshevës t`i rikthehet shtetit të saj amë. Por, një gjë e tillë nuk u arrit, pasi që kishte kundërthënie të shumta rreth kësaj teme.

Ndërkaq, kjo çështje u riaktualizua nga kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ditë më parë në intervistën për gazetën gjermane, Süddeutsche Zeitung, deklaroi se ”Projekti dështoi, por ideja nuk ka vdekur. Ne duhet të jemi të kujdesshëm. Zgjidhje të tilla për shkëmbimin e tokës do të hapnin kutinë e Pandorës”.

Për këtë çështje, ekspertët i japin të drejtë kryeministrit Kurti, pasi që kjo ide ende sillet nëpër “sirtarët e kuzhinave” dhe se temë është shqetësuese e cila paraqet kërcënim të rrezikshëm.

Elezaj: Udhëheqësit antishqiptarë asnjëherë nuk kanë hequr dorë nga projekti i Serbisë së madhe

Image
Rexhep Elezaj

Lidhur me këtë çështje, zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Elezaj, në një prononcim për “Bota sot” është shprehur se kryeministri Kurti ka të drejtë, dhe se fal Kancelarës, Angela Merkel si dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, ka dështuar me turp dhe përfundimisht.

“Kryeministri, Albin Kurti, ka pasur plotësisht të drejtë kur ka thënë se “projekti për shkëmbim të territoreve ka dështuar, por ideja nuk ka vdekur..”, sepse, është e vërtetë se projekti famëkeq i Aleksandar Vuçiçit, Edi Ramës, Baton Haxhiut dhe H. Thaçit për korrigjim të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht dhënien e Veriut të Kosovës Serbisë dhe bashkëngjitjen e Preshevës me disa fshatra Kosovës, projekt ky i kurdisur në Nish para 2 viteve, falë qëndrimit konsekuent dhe miqësor të Gjermanisë dhe Kanzelarës, znj. Angela Merkel si dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, ka dështuar me turp dhe përfundimisht”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Për më tepër, ai ka theksuar se duhet pasur kujdes pasi që ideja e një projektit të tillë nuk ka vdekur pasi që udhëheqësit antishqiptarë, shovinist dhe hegjemonist të Serbisë, asnjëherë nuk kanë hequr dorë nga projekti i Serbisë së madhe.

“Ndërsa, se duhet të jemi të kujdesshëm, sepse ideja e një projekti të tillë nuk ka vdekur, po ashtu z. Albin Kurti, ka pasur të drejt, ngase udhëheqësit antishqiptarë, shovinist dhe hegjemonist të Serbisë, asnjëherë nuk kanë hequr dorë nga projekti i Serbisë së madhe, të cilët do bëjnë çmos me të gjitha mënyrat dhe mjetet e mundshme politike, diplomatike, madje edhe ushtarake, që në momentin e volitshëm politik në Ballkan, ta ripushtojnë Kosovën, siç kanë deklaruar në vazhdimësi shumë çetnikë në Beograd; “se edhe 1000 vjet do presim, dhe në momentin që amerikanët do të largohen nga Ballkani, ne do ta rikthejmë Kosovën në sovranitetin e Serbisë..”..!?Pra, duke i ditur këto synime hegjemoniste të Serbisë ndaj shqiptarëve dhe Kosovës, kryeministri Albin Kurti, edhe ka deklaruar se ideja e shkëmbimit të territoreve nuk ka vdekur. Por, edhe për shkakun e qëndrimit antikombëtar të disa tradhtarëve të kombit, të cilët me vite kanë lobuar fshehtë në qarqe të errëta, “se pas këmbimit të territoreve me Serbinë, do ta bëjmë bashkimin tonë kombëtar..”, dhe se gjoja shqiptarë, njëherë e përgjithmonë do përkufizohen me Serbinë, duke harruar faktin, se territoret e sotme të mbetura nën Serbi deri në Novi Pazar, Nish dhe Molla e Kuqe, janë toka etnike shqiptare!”, ka deklaruar Elezaj për “Bota sot”.

Po ashtu, ai ka shpjeguar se çfarë do të ndodhte në qoftë se do të hapej “Kutia e Pandorës”.

“Ndërsa, kur është fjala për hapjen e “Kutisë së pandorës”, është e qartë se në rastin e këmbimit eventual të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë, me automatizëm do vinte tek luftërat e reja në Ballkan, ngase Maqedonia do copëtohej midis Bullgarisë, Shqipërisë e Kosovës, Sanxhaku boshnjak do i bashkohej Kosovës dhe Bosnjës, si dhe “Republika Srpska” do i bashkohej Serbisë sipas efektit “domino”, gjë që në rrethana të tilla askush nuk do mund t’i parashikonte pasojat si dhe përfundimin e ngjarjeve të tilla. Me siguri se do ndodhnin shumë tragjedi, spastrime etnike dhe ekzoduse të reja në Ballkan, andaj duke i ditur të gjitha këto rreziqe të mëdha, jo vetëm për Ballkanin, por për krejt Evropën, ndërhyrja dhe kundërshtimi i Gjermanisë dhe Francës për shkëmbim territoresh midis Kosovës dhe Serbisë, ishte i domosdoshëm për t’i penguar luftërat e reja si dhe ndryshimin e kufijve në Evropë. Mbase, çdo destabilizim i situatës në Ballkan dhe më gjerë në Evropë, do i shkon gjithherë për shtati vetëm Serbisë dhe Rusisë hegjemoniste të cilat kurrë nuk do heqin dorë nga synimet e tilla djallëzore për të dalë në detin Adriatik..!?”, ka potencuar Elezaj për “Bota sot”.

Bytyçi: Ideja e ndryshimit të kufijve dhe ndarjes së ka tendenca të rigjallërohet

Image
Enver Bytyçi

Në anën tjetër, profesori Enver Bytyçi, i ka dhënë të drejt konstatimit të Kurtit, duke deklaruar se kjo ide ka tendenca të rigjallërohet dhe ka përmendur faktin se “kutia e Pandorës” ka hapur një dritare në Bosnjë-Hercegovinë.

“Para dy ditësh kryeministri Albin Kurti ka dhënë një intervistë për gazetën e njohur gjermane “Sueddeutsche Zeitung” dhe ka pohuar se projekti për shkëmbimin e territoreve ka dështuar, por ideja për këtë nuk ka vdekur”. Ndërkohë ai në këtë intervistë paralajmëron se me shkëmbimin e territoreve mund të hapet kutia e Pandorës, d.m.th se kjo mund të nxisë vendet e tjera të Europës Juglindore dhe më tej për ndryshimin e kufijve.

Sigurisht që Albin Kurti ka të drejtë në konstatimin e tij. Ideja e ndryshimit të kufijve dhe ndarjes së Kosovës jo vetëm nuk ka vdekur, por ka tendenca të rigjallërohet. Ndërsa kutia e Pandorës ka hapur një dritare në Bosnjë-Hercegovinë, pasi Milorad Dodik ka vendosur në parlamentin e Republikës Srpska në Banja Luka që në muajin mars të zhvillojë një referendum për shkëputje dhe krijimin e një shteti të pavarur, si hap i parë për bashkimin me Serbinë.

Dodik i njeh këto zhvillime, ka informacion se po bëhen përpjekje për ndarjen e Kosovës dhe ndaj kërkon që të mos humbasë kohë. Ta kryejë shkëputjen e Republikës Srpska në të njëjtën kohë me procesin e ndarjes së Kosovës”, ka thënë profesori..

Bytyçi: Edi Rama ka për qëllim ta fus në kurth Albin Kurtin

Njësinjal tjetër, sipas profesorit është vizita e ministrit të Jashtëm në detyrë të Shqipërisë, Gent Cakaj në Prishtinë, i cili u takua me kryeministrin Kurti.

Sipas profesorit, Cakaj i ka sjell një ofertë Kurtit nga Rama për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

“Një sinjal tjetër i rigjallërimit të këtij procesi është takimi kokë më kokë i Albin Kurtit dhe Gent Cakajt. Nuk është praktikë diplomatike që një kryeministër të zhvillojë takim prapa skene me një ministër të Jashtëm, aq më tepër me një zv. Ministër të Punëve të Jashtme, çfarë është Cakaj. Po pse ndodhi ky takim? Sepse Cakaj kishte për të dhënë disa mesazhe sekrete të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për kryeministrin Kurti të Kosovës. Mesazhi është i njëjtë me mesazhet që para tri vitesh merrte Hashim Thaçi. Sipas meje Rama ka dërguar një ofertë për Albin Kurtin: Hajde të punojmë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe unë ju siguroj që ju të bëheni presidenti i parë i Shqipërisë së Bashkuar, ndërkohë që ai veten e llogarit si kryeministrin e parë të kësaj Shqipërie.

Por, Cakaj nuk kishte tagër të fliste me Kurtin për koston e këtij bashkimi. Qëllimi i Edi Ramës është ta fusë Kurtin në kurthin e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë dhe pasi të shpallet kjo iniciativë vetvetiu Kurti dhe Kosova do të jenë në kurthin e ndarjes dhe ndryshimit të kufijve, pasi që nuk mund të ketë bashkim pa dakordësinë e Beogradit dhe në Beograd, ashtu si Rama, bashkimi me Shqipërinë kushtëzohet me ndarjen e Kosovës dhe aneksimin e veriut të saj si dhe Anamoravës e ndoshta edhe më gjerë nga ana e Serbisë”, ka deklaruar Bytyçi për “Bota sot”.

Por, sipas profesorit Bytyçi, Kurti nuk do të bie në këtë Kurth, dhe si i ka sugjeruar se çfarë duhet të bëjë kryeministri i Kosovës.

“Unë besoj se Albin Kurti nuk do të bie në këtë kurth. Por, oferta e Ramës vjen edhe në harmoni me presionin e Uashingtonit për heqjen e taksës. Hapi i parë për rikthimin e idesë së ndarjes dhe shkëmbimit të territoreve do të jetë heqja e taksës dhe mos kushtëzimi i saj. Ndaj unë do të kërkoja me ngulm që zoti Kurti dhe qeveria e tij ta kushtëzojnë heqjen e taksës me një memorandum mirëkuptimi midis Kosovës dhe Serbisë për parimet mbi bazat e të cilave do rifillojë dialogu. Në këtë memorandum duhet të përjashtohet kategorikisht çdo mundësi për të diskutuar mbi kufijtë dhe territoret. Të gjitha luftërat në botë, edhe kur në dukej ka pasur ndonjë sfond fetar apo ideologjik, janë zhvilluar për kufijtë dhe territoret. Prandaj qeveria e Kosovës duhet të kërkojë zgjidhje që nuk e thellon konfliktin, por që sjell paqen. Memorandumi i mirëkuptimit duhet të firmoset edhe nga përfaqësuesi amerikan dhe evropian i ndërmjetësimit”, ka përfunduar Bytyçi për “Bota sot”.

Zogaj: Ideja i ka mbetur mollë në fyt edhe kryeministrit Albin Kurti

Image
Skënder Zogaj

Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike, Skënder Zogaj, ka deklaruar për “Bota sot” se kjo temë është shqetësuese dhe se paraqet kërcënim të rrezikshëm për njerëzimin.

“Pushtimi i territoreve, çlirimi i territoreve, këmbimi ose shitja e territoreve janë tema tepër të rënda, madje të kobshme për njerëzimin sepse, lahen e shpërlahen me gjakderdhje njerëzish! Kjo është historia e krijimit të territoreve të shteteve të sotme, që dikur kanë qenë një realitet krejt ndryshe, prandaj, sot e gjithë ditën është temë shqetësuese, sepse paraqet kërcënim të rrezikshëm për njerëzimin!”, ka thënë ai për “Bota sot”

Për më tepër, Zogaj ka thënë se ideja nuk ka vdekur dhe se momentalisht në rajon ka preokupime të tjera, sepse nuk është koha e këmbimit të territoreve.

“Me këtë rrezikshmëri është duke u përballur Kosova, që e hapi temën e këmbimit të territoreve në rrethana shumë të papërshtatshme dhe po , i ka mbet mollë në fyt edhe kryeministrit Albin Kurti, për mediat e huaja dha një deklaratë të shkëlqyeshme, duke thënë se "projekti për këmbimin e territoreve ka dështuar, por ideja nuk ka vdekur!" Kjo është e saktë, sepse, momentalisht në rajon ka preokupime të tjera, sepse nuk është koha e këmbimit të territoreve. Por, ideja nuk ka vdekur, sepse nuk mund të vdes dhe nuk duhet të vdes!!! Si mund të vdes, nëse pronarët e territoreve nuk e gëzojnë tokën e vet që nuk e kanë shitur, por që u është marr me dhunë! Ideja nuk ka vdekur!”, ka deklaruar Zogaj për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat