Faraoni shqiptar i shekullit XXI! E sheh veten si lider politik, shpirtëror dhe ushtarak i Shqipërisë!

Politika

Faraoni shqiptar i shekullit XXI! E sheh veten si lider politik, shpirtëror dhe ushtarak i Shqipërisë!

Prof. As. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. As. Dr. Enver Bytyçi Më 19 mars 2020 Në ora: 20:55
Edi Rama

Që prej 10 dhjetorit kur koronavirusi u shfaq për herë të parë në Wuhan të Kinës kanë kaluar gati 100 ditë. Nga dita e parë kjo sëmundje u bë lajmi kryesor në planet derisa u shndërrua në pandemi dhe u bë ankth jo vetëm për Kinën, por edhe në Amerikë e në Europë. Italia është tani epiqendra evropiane e përhapjes së kësaj sëmundje. Por, pasoja dramatike shfaqen edhe në Spanjë, Francë e vende të tjera.

I gjithë kontinenti është në alarm, madje dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aq sa ka filluar gara se kush duhet ta blejë shpikjen e vaksinës së një kompanie në Gjermani. Donald Trump ofroi një miliard dollarë për të marro ekskluzivitetin e kësaj vaksine me qëllim përdorimin e saj për amerikanët, Merkel këmbëngul se të parët që duhet ta përdorin atë do të jenë evropianët. Kësisoj koronavirusi është shndërruar jo vetëm në problem ekonomik e social, por edhe gjeopolitik. Kina është vënë gjithashtu në garë për ta fituar vendin e saj në këtë konkurrencë gjeopolitike. Vetëm Rusia qëndron e heshtur, por edhe e pa infektuar nga Korona 19.

Shqipëria, krahasuar me vendet e rajonit, është me rastet më të shumta të koronavirusit. Në Serbi, Maqedoni, e vendet e tjera virusi u shfaq një javë më parë se në Shqipëri. Por, vendi ynë për nga numri i të infektuarve ua ka kaluar këtyre vendeve. Edhe Kosova u përfshi nga koronavirusi. Vetëm Mali i Zi është ende i virgjër. Megjithatë, Shqipëria jep modelin e saj siu generis në përpjekjet për përballimin e situatës.

I vetmi person që e ka mirëprit këtë situatë për të ushtruar diktaturën e tij është faraoni shqiptar i shekullit XXI, Edi Rama. Ai është i pari dhe i fundit kryeministër që jep mesazhe nga një bunker në një fshat në periferi të kryeqytetit. Thuhet se bunkerët i ndërtuan Stalini, Tito, Enver Hoxha për të përballuar ndonjë luftë bërthamore. Por, në fakt bota e civilizuar do të shihte me habi se si në kohët e kolerës së Korona 19, ka edhe një faraon tjetër që ka ndërtuar bunkerin e tij, nga ku kërcënon shqiptarët me burg, burg, burg, pa u dhënë atyre asgjë prej gjëje. Është kryeministri i parë në histori që në kohë kolere përdor pasivisht dhunën e gjobave, që shkojnë deri 5000 euro për një person.

Në vend të heqë dorë dhe refuzojë PPP-të, me të cilat ndan miliona e qindra miliona euro, për të ushqyer ata që në ditët e flamës së padëgjuar varen te koshat e plehrave, ai na është bërë virus mbi viruset në ekranet televizive nga ku jep leksione joge, ose të afrimit social me Zahon! Në vend të rishikojë buxhetin dhe të alokojë fonde për t’i mbrojtur mjekët nga Korona 19, kryeministri ynë, heq nga shërbimi shëndetësor mjekë të aftë, pse ata janë kritikë ndaj sjelljes së kryeministrit në këto ditë të vështira.

Ndërkohë që bota ka marrë masa më të pakta sesa faraoni ynë për të përballuar gjendjen e krijuar. E ndërkohë ka akorduar miliarda euro ose dollarë për të mbështetur bizneset dhe ekonominë e vendit, me qëllim që të mos ulet niveli i mirëqenies së popujve. 

1. Në vendin tonë, aty ku përveç koronavirusit gjithashtu kryeministri Rama është shndërruar në makthin e shqiptarëve. Është i vetmi drejtues shteti që vendimet i merr nga vila-bunker e tij në Surrel.

2. Është i vetmi në rajon që nuk ka zhvilluar asnjë konsultë publike me specialistët, me qëllim që të ofrojë masa paraprake për ta luftuar këtë murtajë që i ka zënë shqiptarët.

Ndërsa qeveria e Kosovës zhvilloi disa ditë konsultime me shoqatat e biznesit e dhomat e tregtisë, me qëllim që të parashikojë efektet ekonomike e financiare të paralizës që ka ndodhur, Edi Rama nuk do t’ia dijë për këtë.

3. Ai është i vetmi kryeministër që nuk flet për paralizën ekonomike dhe nuk merr asnjë masë për ta zbutur ndikimin e saj në jetën e qytetarëve. Nuk do t’ia dijë nëse ata që janë kyçur në shtëpi kanë me çfarë të jetojnë. Nuk shpreh asnjë merak nëse bizneset falimentojnë. Madje nuk është i vetëdijshëm se me zgjatjen e kësaj situate mundet që, supermarketet, dyqanet e farmacitë të mbeten bosh. Ndërkohë që nuk ka asnjë cent në fondin rezervë të shtetit. Kryeministri ndodhet ende nën efektin e euforisë së 1 miliard eurove kredi e ndihma për tërmetin. Dhe nuk po kupton se ai premtim i përkiste një kohe në normalitet, ndërsa sot bota është në kohë pa kohë. As ato 15 milionët e Komisionit Europian ai nuk ka për t’i parë.

Megjithatë triumfalizmi i kryeministrit tonë është njëmijë herë më i lartë sesa entuziazmi i Angela Merkel. Edhe pse kancelaria gjermane akordoi 50 miliard euro si ndihmë dhe kreditim për biznesin, ndërsa Edi Rama ende nuk ka sugjeruar që së paku këtë kujdes ta bëjnë bankat shqiptare! Ai është vetëshpallur faraon i shekullit XXI. E sheh veten si lider politik, komandant ushtarak dhe udhëheqës shpirtëror i Shqipërisë. Por në fakt ua ka plasë tashmë shpirtin shqiptarëve!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat