Grushtet ndaj qeverisë Kurti, ‘zbulohet’ skenari i Thaçit dhe Mustafës – këto janë pasojat për Kosovën me qeverinë e re

Politika

Grushtet ndaj qeverisë Kurti, ‘zbulohet’ skenari i Thaçit dhe Mustafës – këto janë pasojat për Kosovën me qeverinë e re

Nga: G.B Më: 2 qershor 2020 Në ora: 20:36
Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Albin Kurti

Nesër në ora 11 do të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, me pikën e vetme të rendit të ditës, zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Kjo është vendosur sot në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit, pas kërkesës së 61 deputetëve.

Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka pranuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ka filluar me mbledhjen e nënshkrimeve nga qytetarët përmes një peticioni, për të shkuar vendi në zgjedhje.

Se a pritet të formohet nesër qeveria e re, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Elezaj, ka thënë për gazetën "Bota sot" se LDK duke u bërë bashkë me AAK-në, Nismën dhe Listën Serbe, i bënë grusht shtet qeverisë Kurti dhe së fundmi është aktivizuar për të formuar Qeverinë Hoti, derisa thotë se i gjithë ky ishte skenar i përgatitur më ehrët nga Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi.

"Po, siç jemi dëshmitarë LDK-ja këtyre ditëve është duke ndërmarrë hapa përgatitor për formimin e qeverisë së dytë, kuptohet pas rrëzimit të qeverisë “Kurti”, pasi që Gjykata kushtetuese ia dha të drejtën antikushtetuese, që LDK-ja, si parti e dytë e dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit 2019 mund ta formojë qeverinë në koalicion me disa parti tjera opozitare. Pra, për të ardhur vetë në krye të qeverisë si dhe për ta realizuar këtë qëllim hileqar dhe shumë të dëmshëm për shtetin e Kosovës, duke e rrëzuar ish partnerin bashkë qeverisës, LVV-je me 25 mars, përmes mocionit të votëbesimit, kryetari i LDK-së Isa Mustafa bashkë me PDK-në, AAK-në, NISMA-n dhe Lista Srpska-n, në fakt bënë grusht shtet ndaj qeverisë “Kurti”, e që tani pas vendimit përkrahës të Gjykatës kushtetuese, u bë e qartë se e gjithë kjo lojë ka qenë një skenar i përgatitur mirë qysh më herët nga Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi", është shprehur ai.

Image
Rexhep Elezaj

Ai thotë se LDK bëri koalicion për ta sjellë Kurtin në pushtet dhe më pas ta rrëzojë që t'ia dëmtojë imazhin, skenar ky i përgatitur nga Thaçi, i cili Kurtin e quajti edhe armik të Kosovës dhe mik të Serbisë.

"Pra, së pari LDK-ja të bënë koalicion me LVV-je dhe Albin Kurtin, sa për ta sjellë në pushtet, dhe pas disa muajve ta rrëzon atë me qëllim që t’ia rrënojë imazhin dhe përkrahjen tek populli dhe votuesit shqiptar. Me një fjalë, që ta largon nga qeverisja dhe më pas edhe nga skena politike, gjë që këtë qëllim ogurzi e ka bërë të qartë presidenti H. Thaçi, i cili një natë para se Gjykata ta shpallte dekretin e saj, shkoi aq larg në akuza ndaj Albin Kurtit dhe LVV-je, sa që e fajësoi dhe e akuzoi për shumë akte të rënda, por të pa qena, madje duke e shpallur armik të shtetit të Kosovës dhe mik të Serbisë..!?", ka vlerësuar Elezaj për "Bota sot".

Sipas tij, të mërkurën do ta formojnë Qeverinë Hoti që do të jetë jolegjitime .

"Pra, deri këtu e shtynë realizimin e këtij skenari, dhe tani pa asnjë pengesë të mërkurën e ardhshme do ta formojnë qeverinë “legale” me Avdullah Hotin, kryeministër, por krejtësisht qeveri ilegjitime, sepse Kushtetuta aktuale e Kosovës nuk e lejon kalimin e të drejtës së mandatarit të parë, që është LVV-je, tek partia e dytë, pra mandati për formimin e qeverisë në asnjë Nen të Kushtetutës nuk ia jep LDK-së të drejtën për formimin e qeverisë pas rrëzimit me mocion të qeverisë legjitime", ka vazhduar më tej ai.

Elezaj thotë se kjo qeveri do të jetë antikushtetuese dhe do të zgjasë shumë pak, sepse nuk e ka legjitimitetin e sovranit.

"Prandaj, e them me përgjegjësi të plotë politike, se qeveria “Hoti” do jetë Qeveri antikushtetuese, jo legjitime dhe me kohëzgjatje shumë të shkurtë qeverisëse, ngase po formohet pa legjitimitetin e sovranit, në kundërshtim të plotë me normat e Kushtetutës sonë, e cila nuk e lejon në asnjë formë diskriminimi i partisë së parë fituese, meqë me këtë rast siç po ndodhë tani, dhunohet rënd vullneti politik si dhe vota e shumicës së votuesve, të cilët me shumicë ia kanë dhënë besimin LVV-je që ajo ta udhëheq vendin, konform programit të saj i shpalosur gjatë fushatës zgjedhore", ka thënë Rexhep Elezaj.

Ai thotë se kjo që po i bën LDK me partitë tjera dhe me Listën Serbe, është shkelja më e rëndë ndaj VV-së, si partia fituese, duke shtuar se kjo parti do t'i sjellë dëme të mëdha Kosovës në të gjitha fushat.

"Pra, kjo që po e bënë LDK-ja bashkë me partitë opozitare dhe me “Lista Srpska”, duke ia uzurpuar të drejtën partisë fituese, pra LVV-së, për të formuar gjoja një qeveri të shumicës “tjetër” parlamentare, është shkelja më e rëndë që i është bërë Kushtetutës së Republikës së Kosovës që nga pas lufta e deri më sot. Andaj si e tillë kjo qeveri do i sjellë Kosovës dëme politike, ekonomike dhe diplomatike të pariparueshme si dhe destabilitet politik me rreziqe të mëdha për cenimin e sovranitetit shtetëror dhe territorial të Republikës së Kosovës..!?" ka përfunduar Elezaj për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat